SHËNIME PËR LIBRIN “TEPËR E THJESHTË” TË NDUE GJIKËS / Nga: Prof. Sadik Bejko

SHËNIME PËR LIBRIN “TEPËR E THJESHTË” TË NDUE GJIKËS

 

Nga: Prof. Sadik Bejko

Libri “Tepër e thjeshtë” i Ndue Gjikës sjell përvojën e një prozatori që ka hyrë pa shumë bujë në rrugën e prozës me vëllimet e tij me tregime, por edhe me romanin “Prapësia”. Ndue Gjika lëvron me shumë ngulm prozën e shkurtër, këtë zhanër të letërsisë që tek ne ka një histori të gjatë që me tregimet e M. Frashërit, të mjeshtrave të njohur si Mitrush Kuteli dhe Ernest Koliqi. Edhe më tej tregimi shqiptar gjeti rrëfimtarë të tillë si Naum Prifti dhe Sotir Andoni, pastaj dhe Dhimitër Xhuvani e Teodor Laço. Pas disa përmbledhjeve me tregime nga Lazër Stani e Faruk Myrtaj tregimi sot i ngjan asaj vjollcës së fshehur që ka ndrojtje të ngrejë krye. Romanet, libri publicistik, apo historia si rrëfim divulgativ në dhënien e biografive të personazheve historike kanë zenë mesin e fushës. Tregimi ka mbetur anash.
Nuk është kjo arsyeja pse ndalemi te ky libër i Ndue Gjikës. Në librin “Tepër e thjeshtë” vjen një prozë që e ka afirmuar autorin si një nga tregimtarët me prurje të arrira në vitet e fundit. Libri përmban 19 tregime dhe tri novela. Në këto tregime Ndue Gjika nuk ka bërë atë që shumë prozatorë në këto vite, të ndikuar nga leximet, iu drejtuan teknikave të groteskut a të fantastikes, në kërkim të risive teknike e tematike. Ndue Gjika ka ecur nëpër një rrugë të njohur edhe më parë nga tradita jonë tregimtare. Të jetë i mbështetur në jetën e përditshme. Prozaiken, të përditshmen që të ngjan e rrafshët rreh ta ngrejë në nivelin e prozës artistike. Dhe jeta në të vërtetat e saj nuk është te çuditë, as te personazhet e çuditshëm por te e ndodhura që e jetojmë ti dhe unë me të tjerë. Kjo pikënisje të ngjan më e rrezikuara për të bërë art që të godasë, që të joshë e të thërrasë brenda faqeve të një libri. Por Ndue Gjika në tregimet më të mira kësaj ia ka arritur. E për këtë dëshmojnë tregime të tilla si: Marrëzi, Cigania, Hapa në jetë, Lulet e shegës, Dimensioni zero, Burri me trastë.
Në tematikë tregimet e tij janë të larmishëm. Ka disa prej tyre që sjellin Mirditën me koloritin e saj të veçantë të tipave dhe të mbartjeve prej historisë dhe mitologjisë vendore. Diku diku vijnë dhe reflekset e kantiereve të dikurshme të ndërtimit. Më tej sheh brenga të gëlltitura të njerëzve që drama e burgut u është dyllosur si damka që nuk do të shlyhet kurrë. Pastaj dhe emigranti shqiptar në Greqi e në Itali. Duket si një shtrirje e mirë për të brendësuar lëndën e një libri me tregime. Por këto, nëse e thyejnë dhe e pasurojnë me ngjyra librin, nuk janë vlera e vërtetë e prurjeve të tij.

NDUE GJIKA

Do të veçoja këtu një tregim që me të vërtetë mund të të japë kuriozitetin që ta lexosh deri në fund prej temës së tij. Është tregimi “Hapa në jetë”. Një mirditor, Marku, hyn në radhët e partizanëve dhe merr rrugët për në Jug bashkë me shumë nga bashkëfshatarët e tij. Është një tip që rend drejt një bote krejt të panjohur, jo aq si mjedis, por si marrëdhënie. Jeta e vështirë, uria, lodhja, disiplina, të qenit si i huaj ndaj këtyre partizanëve, nga ana tjetër djali i bajraktarit dhe gjithë mjedisi i vendit që nuk i ndahen. Aftësia e tij që të përshtatet po dhe që të mbetet vetja. Kalimi nga Saranda në Shkodër. Pastaj shkon në shtëpi dhe gjen nusen e panjohur. E kishin martuar pa ia thënë, sipas zakonit. Është një novelë që ndryn sinopsin e një romani. E lexon dhe merr një informacion të ri. Dhe prapë mbetet diçka që nuk thuhet. Dhe kjo e pathënë e bën më të plotë enigmën e një jete që e merr njeriun rrëshqanë e ai duhet të përshtatet në rrëshqitë. Asgjë më shumë. Autori nuk ndërhyn, vetëm paraqet. Mbase ky ishte realiteti, e vërteta “e thjeshtë” e Markut. Mbase është dhe një metaforë për jetën e ne të gjithëve.
Por as kjo plotëria e jetës dhe e informacionit nuk është karakteristika kryesore e prozës së Ndue Gjikës.
Ndue Gjika është poet i prozës në arritjet e tij më të mira. Ai e rrok jetën së brendshmi. Herë si një rrëfim në vetë të parë. Por kryesorja është poezia e vizatimit të ndjenjave në dramacitetin e tyre kundërthënës e kapërthyes. Një poet i ndjenjës. Dhe kjo është lënda e lëngu i prozës së tij. Edhe vizatimi i pejsazhit, i momentit, është në ndihmë të zbërthimit psikologjik. Fraza është e shkurtër dhe e ngjeshur. Fjala vjen e ngyruar me frazeologji e me figuracion të freskët. Dhe pejsazhi merr dritë e orkestrohet në tonalitetet e ndjeshmërisë së personazheve. Dinakëritë e poezisë e quan këtë mjeshtëri Gabriel G.Markezi. Fol patjetër për motin e klimën, porosiste Hemingueji. E pra tepërt e thjeshtë ngjarja por magjia e tregimit tepër e vështirë për t’u endur e hollë dhe e tendosur sa të mos griset. Në ndonjë tregim (novelë) përdoret simboli. Druri dhe fruti i shegës janë boshti i rrëfimit sa dramatik aq dhe poetik te tregimi “Lulet e shegës”.
Me këto procedime krijuese Ndue Gjika ka siguruar një përvojë që premton për një vazhdim të sigurtë në rrugën e tij si prozator.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s