Poezi nga Miltiadh Davidhi

Poezi nga Miltiadh Davidhi

 

Shpirtra të bukur

Dua të bëj të dukshëm, shpirti im,
dua të bëj të dukshëm,
si fytyrat e sinqerta të fëmijëve
të nipërve e mbesave,
për sot, për nesër e përgjithmonë,
të dukshëm në tokë e në qiell,
si një rreze drite, si një cipëz hëne,
si një mendim i bukur,
si një liqen i kulluar ku duken
gjithçka ka në fund,

të prekshëm si një pemë dashurie
ku mund të kapim me dorë
ndër degë lirshëm
format e frutave e gjetheve,
si hapësira e largët
që e shikojmë me sy kaq pranë
në kohë të bukur e me diell,
pa skuta të errëta e të padukshme resh,
pa asnjë mendim
dashakeq për njerinë, shpirti im.

Dua të bëj të dukshëm
Që të shikojnë të gjithë,
të duan të gjithë,
të gjallë e të vdekur,
të fillojnë të ndryshojnë
dhe shpirtrat e tyre,
e të duhemi pa u djegur
në flakët e urrejtjes të vetëtimave
përbuzëse e hakmarrëse,

por të përqafohemi
si në tokë e ndër qiej
siç përqafon e bashkon një ylber
ngjyrat e tij,
të duhemi sinqerisht
si shpirtra të pavdekshëm që jemi,
e të udhëtojmë së bashku
si tufa zogjsh drite
kur ndërrohen stinët,
e këtë planet ta popullojmë
vetëm me shpirtra të bukur.

 

NËNË GJENËS SIME

Qielli s’po qan
Unë po.
Jam kthyer në një re
Vajtuese e turp s’kam që jam burr, e qaj
Buzëdridhur dhe tani që po shkruaj,
E mundohem t’u fshihem
Syve të yjeve.
Jo nga turpi,
Por s’dua t’i ngarkoj dhe me dhimbjen time;

Nëna ime po lëngon pranë vdekjes
Diku një varr qëndron i hapur,
E tashmë heshtja e ka mbushur atë,
E mua më duhet të ha,të fle,të buzëqesh,
Kur ajo s’ha,s’fle,rënkon!

Deti është i qetë
Unë jo.
Dallgët e dhimbjes
Që i fshihja thellësive
Më kanë dalë mbi sipërfaqe
Dhe shpirti buçet, thërret e gjëmon,
Se s’mund të pajtohet me këtë fakt
Tronditës,
Thikë të përgjakur futur thellë në zemër
Të dhimbjes e dashurisë
Më të madhe të njeriut.

Nata fjeti.
Unë jo.
Sytë e mi u shndrruan në yje
Të largët e të ftohtë,
E zëri im
Në një erë klithëse e ulëritëse,
Ndërsa trupi më rënkon
Nga vuajtjet e dhimbjet
I paralizuar pranë krevatit të nënës.

Ç’do dhimbje e saj është dhe e imja
Ndihem një trup i përqafuar me të si në vogëli,
Tjetër s’mund t’i bë më gjë,
Se im atë i përmallur kaq vite larg saj
Ka hapur krahët e po e pret,
Të ndaj dhe shtratin e vdekjes,si shtratin e jetës me të.

Mbase do ua dëgjoj nga larg një puthje malli,
Të më qetësohen plagët e dhimjes.

Gur thërmoje qelqin e shpirtit tim,
Zerë vendin e tij e bëmë të fortë!

 

KËTË MËNGJES…

…Ajo erdhi e ëmbël dhe e ngrohtë
Si rreze diellore
Mbi rrëkezën e akullt….
S’ngopesha dot me aromën
E trupit të saj.
Zogjt’ e ngrirë
Nuk mërdhinë më brënda meje,
Po nisën fluturimin
Nëpër qiej,
Të lumtur e të dashuruar.

Buzët nisën
Të qeshin.

…Ajo erdhi si rreze dimërore,
E rrëkezat ëndrrave të mia
Këndonin me zërin e saj…
Pastaj filluan të lulëzonin
Me të gjitha ngjyrat e dashurisë.
Nga ai çast, qindra zogj
Më këndojnë nëpër degë shpirti.
Një fllad i lehtë
Ma tundte zemrën si gjethe.

Sytë nisën
Të qajnë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s