PLOJË NDJENJASH / Poezi nga Ekrem Ajruli

Posted on August 30, 2018

0


Poezi nga Ekrem Ajruli
 
 
PLOJË NDJENJASH
 
Sonte hëna iku u zhduk pas një reje
Ylli im u shua me shpejtësi vetëtime
Ti shkrepe ca fjalë si krisma rrufeje
Hape një të çarë thellë në zemrën time
 
S’të trokas n’dritare siç trokitja më parë
S’ ta prishi qetësinë në këtë fillimvjeshte
Ti më ngrite vlerat më shpalle të marrë
Buzëqeshe përçmueshëm dhe pastaj heshte
 
Në tëmtha m’goditi një krrokamë sorrash
Shqiptove ca fjalë me një dozë nervoze
N’ballë flakëruan ca zgërdhima horrash
Në sytë tu lexova ndjenja nebuloze
 
Hyre në jetën time dhe e bëre Plojë
Shkatërrove çdo gjë që lindi mes nesh
Për ty dashuria thjesht paska qenë lojë
Mos prit të të qasem pas fjalëve rrebesh
 
Unë mblodha kujtimet, të trishtat kujtime
Për festën e fundit ato kostum i qepa
Të ftoj solemnisht ty në dasmën time
Mos sjell dhuratë, kostumet s’kanë xhepa
 
Merr një trëndafil e mbillma mbi krye
Nuk e dua të blerë por nga e ytja bahçe
Kur të nxeh dielli yt ai t’më bëj hije
Në t’u dhimbs trëndafili mbill një ferrë kaçe.
Posted in: POEZI