Poezi nga Nikollë Loka
E ke lënë një vend bosh
Të synosh lartësitë
e të përballosh marramendjen,
të jetosh në atë gjendje
ku lartësia s’ekziston,
t’i pushtosh horizontet
e të kesh ëndje,
deri atje,
sa dhe Zotin ta shohësh!
Ka horizonte,
me lartësi të paqenë,
atje madhështinë
nuk do ta synosh!
Dhe nëse rastis
e të përlan ndonjë erë,
po të çoi lart nuk të josh!
Kur ta përballosh pa frikë
marramendjen,
atje lart mund të qëndrosh,
kur vjen koha të zbresësh në tokë,
do të ulesh
se e ke lënë një vend bosh.
Një strehë
Kulla
me themele në gur,
nuk u shemb,
nuk u lëkund,
nuk u tremb.
Kishte dritare
mbush me diell,
ku e djeshmja
bëri histori,
përmbi çati
i priste rrufetë,
zjarr dhe flakë
nëpër frëngji.
Tash tymos re të bardha
në qiell,
strehë shqiponjash,
prej flatrash
në gur,
amanet i brezave,
zjarrin e votrës
për jetë e mot
si dikur.
Beso në parandjenjën!
Kur busulla të prishet,
netëve pa yje,
dallgësh me valë.
Në det ti fute ëndrrën,
beso në parandjenjën!
Se një dallgë që ta prek zemrën,
ta sjell ty parandjenjën,
të çon në një liman.