Poezi nga Zamira Agalliu
Paqes sime
Shtëpia tempulli i Paqes sime
Ku tryeza na mbledh sy më sy
Bashkohen në tufa të bardhat kujtime
Dhe gotat trokasim aty- këtu
Pastaj çuditem dhe unë vetë
Si rriten fëmijët e behen burra
Ta besoj jo-jo s’e kam të lehtë
Si të jenë “beba” për ta marr kura
Ti s’flet aspak dhe rri i heshtur
Supet mbledh si i çuditur
Xhelozinë ndoshta mban të fshehur
Se ndoshta pëkëdhelje edhe ti ke pritur
Sa Paqe ka sonte ky shpirti im
Si deti i qetë me dritë Hëne
Mallkuar kush ia prish qetësin’
Kush ndan në copa një zemër Nëne.
Ne të Dy
Ne të Dy,
d’y skajet e kundërta Nord-Sud
të një magneti,
i drejtojmë njeri-tjetrit
polet e së njejtës ngarkesë…
Shtyhemi në hapsira qiellore
Dhe shkrepëtimë dritë
Ndriçojmë natën vetëm për pak !
Çast:
Pastaj;
Unë Sud që shuaj ajzbergët e shpirtit tënd…
Ti Nord që kristalizon zjarret e shpirtit tim…
E kështu mbrojmë kufijtë tanë me shpatat ngrehur në të njëjtin shtrat
Ekuador…
***
I urrej metropolet
Edhe pallatet si kolona
Ku disa njerëz vegjetojnë mes pluhurit
Të tjerë shkëmbehen si milingona !