Poezi nga Adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

AS RRUGA PËR NË GOLGOTË

Më duket se nga një sëmundje e keqe
Paskan marrë ilet viset
Pranë çezmave të shterura
Shoh qen të sëmurë
Dhe mace që ngordhin në çdo kohë

Kërma derrash e lopë duke pallur
Nga etja e madhe
Po qahen drurët e po thyen gurtë
S’pushojnë as hingëllimat e kuajve
Nga lia e shpirtit po kalben pragjet

Si i lënë nga mendja bredhi rrugëve
Këmisha më është grisur
E më janë çarë shollat e këpucëve
Nga thonjtë e paprera
Me vrushkuj të nxehtë pëlcet gjaku

Edhe pak hapa kanë mbetur
Ndoshta do mbërri në fund të rrugës
Ose mos jam vallë në ëndërr
As rruga për në golgotë
Nuk ka qenë më e vështirë se kjo udhë.

 

PO I SHKULIN EDHE RRËNJËT E VETA

Mbi një kryq mbështjellë me pluhur
As zogjtë më nuk fluturojnë
Si një fëmijë bonjak
Po dënes kambanorja e qytetit

S’ka njeri që i hapë dyert e mbyllura
Ama s’ka kush as ta pastroj pluhurin
Nga apatia e dhembjes së shpirtit
Shoh se si plasariten muret

Kroi që me shekuj na shuante etjen
Sivjet nga lëfyti s’pikon
Asnjë pikë uji të kthjelltë
Ndoshta kanë vdekur damarët e tokës

Njerëzit duken si të shastisur
Nga rrënja po i shkulin lisat
Asnjë gjeth nuk lënë nëpër plepa
Po i shkulin edhe rrënjët e veta.

 

DËGJOHET NDONJË KRAKËLLIMË KORBI

Nëpër lagjet e boshatisura
Drynat e lodhura i hapin sytë
I hapin dhe shikojnë kah zbrazëtira
E vdekur para pak kohe

Asnjë njeri nëpër rrugë
S’ka as mace që mund të na prenë udhën
Vetëm disa vargje hudhrash të fishkura
Nëpër dyer përkunden me elegancë

Aty këtu nëpër çatitë e rrënuara
Dëgjohet ndonjë krakëllimë korbi
Edhe të lehurat kanë pushuar
Askush nuk kalon këndej pari

Më herët kalonin ushtarë dezertorë
Postier sharlatan e prostituta
Tani si pluhuri nëpër rafte
Çdo gjë është mbështjellë nga heshtja

Këtë fat e paska qyteti im
Rri mbështjellë me një pëlhurë të zezë
Dhe pret kthimin e zogjve të plagosur
Derisa nuk i thinjet qimja e fundit e flokut.

 

POR AS URREJTJEN NUK E HARROJNË

Nëpër rrugicat e qytetit
Era fshikullon muret e lodhura
Vetëm në varret e vjetra
S’shoh kurrfarë ndryshimi

Këtu asnjë njeri nuk ankohet
Sa për të ngrënë
Kanë tokë deltine sa të duan
Këtë qetësi relative e prish vetëm hutini

Ju thashë këtu askush nuk ankohet
Të gjithë jetojnë të barabartë
Askush askujt asnjëherë
Nuk ja turbullon ujin

Kur s’ndjehen të vetmuar
Si në korin antik dëgjohen zërat e tyre
Këndojnë për dashurinë
Por as urrejtjen nuk e harrojnë

Netëve të vona e të mjegullta
Dalin me nga një çarçaf të bardhë
Dalin për t’i frikësuar meteorët
Dhe banorët e qytetit të të vdekurve.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s