”GJUHA ARVANITASE ZHARGON APO DIALEKT” – Arqile Gjata dhe kritika letrare  / Nga Teuta Sadiku

”GJUHA ARVANITASE ZHARGON APO DIALEKT”

Arqile Gjata dhe kritika letrare  

 

Është vërtet për tu përgëzuar puna  këmbëngulëse  studimore dhe interesi i thellë në fushën kërkimore i poetit dhe studjuesit Arqile Gjata, emigrant në Greqi,ku këtë herë vjen me   librin e ri titulluar“Trokas me ligjërime”,një vëllim me kumtesa,referate, kritika e studime letrare botuar në revista e referuar në universitete  brenda e jashtë Shqipërisë.

Për të ndërmarrë një hap të tillë nuk është e lehtë  për secilin,por i pajisur me një arsim filologjik dhe me talentin e një poeti (kujtoj këtu se A.Gjata është poeti i 8 vëllimeve me poezi e 3 vëllime me  studime letrare si dhe shumë shkrime e kumtesa të botuara në gazeta e revista letrare e kulturore) ia ka dalë mbanë të sjellë para lexuesve jo vetëm ndjeshmërinë e shpirtit dhe botën e tij krijuese por edhe problematikën në filologji e kritikën letrare  shqiptare si  dhe tematikën social politike e historike të botës që na rrethon.Është merita e kritikut, shkrimtarit dhe poetit, të na tregojë si ta perceptojmë e ndjejmë artin që ndodhet pranë nesh,duke hedhur dritë mbi artin e vërtetë të krijuesve dhe  periudhës   së ngjizjes së tyre.

Ai ndërmerr një hap më tej ,përveç kritikut të artit, ai këtë herë vjen me  mendime e vlerësime për poezinë çame,për gjuhën arvanitase,duke vënë në pah  vlerat artistike e frazeologjike   në poezinë çame, me  një punë kërkimore,studimore e shkencore.

Të gjykosh  një vepër  letrare duhet së pari jo vetëm  të jesh një krijues, por edhe të zotërosh  mirë talentin e krijuesit,të ndjesh dhe përjetosh çaste e situata,të lexosh e të emocionohesh,të dëgjosh e të përmallesh. A. Gjata i ka përftuar  të gjitha këto edhe si një poet  i talentuar edhe  si një emigrant plot përvojë e përjetime. Nuk i mungon as syri kritik dhe as fuqia e fjalës e pasi ka përzgjedhur fjalët e duhura nuk i mbetet veç të parashtrojë e argumentojë ide, teza, parantezë nga pozicioni i tij si  poet, shkrimtar,kritik e studjues.Kritiku i artit duhet të vërtetojë, dëshmojë  e mbrojë atë çfarë shkruan dhe me këtë nënkuptojmë aftësinë për të balancuar gjendjen emocionale  me zotërimin e një logjike të fortë përveç ndjeshmërisë së lartë  qytetare e ndjesisë së përgjegjësisë për hapin e ndërmarrë. Ashtu si poeti i talentuar edhe kritiku  letrar punon me fjalën e gdhend dhe e skalit bukur e me hijeshi për të nxjerrë në pah e në sipërfaqe atë çfarë mbjell poeti apo shkrimtari,për të hedhur dritë jo vetëm në artin krijues por edhe për të qartësuar lexuesin e shijuesin e artit, për të zbardhur e ndriçuar historinë e filozofinë,shpirtra e jetë,karaktere e mjete artistike,të cilat janë të palosura e nënshtresuara herë me dritë e herë me  terrin e vdekjes  siç shprehet Kalvo.

Një vepër arti  dhe gjuha e përdorur me mjetet e saj artistike,ka shumë shtresa e nënshtresa kuptimesh e nënkuptime ndaj është detyrë e kritikut  për ti ardhur në ndihmë lexuesit, me domethënien, rolin e rëndësinë e mesazheve që përcjellin.Gjuha është një përjetësi ashtu si dhe vetë arti.Brezat lindin e vdesin, kombet e etnitë  krijohen e shëmben ,por është gjuha e artit ajo që u jep pavdeksinë.

Çdo epokë lë shenjat, mesazhin e vet dhe të gjitha së bashku krijojnë pazëllin e përjetësisë e vërtetësisë së saj.

Çfarë është vërtetësia e kush është e vërteta në art?

E vërteta gjendet brenda faqeve të librit, si në prozë,në poezi po nuk është e lehtë të jesh kritik,pasi duhet të krijosh e të rikrijosh nga grimca gjuhësh e thërrime fjalësh,të ri prodhosh të kaluarën e të projektesh të ardhmen në punishten e artit duke vënë në punë  gjithë bagazhin e potencialin,euridik,mendjen  e syrin kritik.Kritika e bën trurin një vegël të hollë e të mprehtë  thotë  Oskar Ualdi,sepse  vetë kritika si art është një krijim brenda krijimtarisë.E vërteta  në art,si nocion  konsiston jo vetëm si realitet artistik bashkëkohor, por  edhe si karakter identiteti,specifik dhe vërtetësia është realiteti i gjallë dhe aktiv i jetës ,përjetuar nga autori.Kërkohet kulturë,ligjësi dhe logjikë konceptuale për të konvertuar  në një të vetme vërtetësinë jetësore me vërtetësinë specifike të artit të vërtetë dhe fenomenal.

A.Gjata përveç mendimit të tij kritik na jep edhe mendimet e kritikëve të tjerë  të konfirmuar si shqiptarë edhe të huaj ,herë duke plotësuar e herë duke iu kundërvënë  me fakte të bazuara në  logjikë e  dokumentacion  të pasur bibliografik.Nëpërmjet elementit konvencional, kritiku A.Gjata ka motivuar  bindshëm  vërtetësinë jetësore me vërtetësinë  në art,sepse ai ka punuar me forcë shpirtërore në tematikë,  në brendësi e përmbajtje emocionale nga këndvështrimi i tij si krijues,e ka depërtuar në thelbin e fenomeneve të realitetit dhe botës shpirtërore të  poetit-njeri për të zbuluar  vërtetësinë dhe të vërtetën në art.

Nëse një piktor na jep një sy, një muzikant një vesh, kritiku na jep një pamje të së vërtetës,shkruan poeti grek J.Seferi.Kështu në përmbledhjen e kumtesave A.Gjata na ka sjellë jo vetëm, poetë, prozatorë, vlera e vlerësime,por edhe vetveten duke i interpretuar ato nga pozicioni i një kritiku e studjuesi të zellshëm.

Shpesh dëgjojmë  lexuesin të bëjë pyetjen :”Çfarë ka dashur të thotë poeti këtu?” Lexuesi ka të drejtë të mendojë e  hamendësojë por është kritiku që i vjen  në ndihmë.Umberto Ego ka pasuruar bibliografinë tonë me artikuj e shkrime  të ndryshme,ku në njërin prej tyre shkruan:”Në periudha të veçanta herë i është dhënë  rëndësi krijuesit, herë lexuesit e herë veprës artistike,kjo në vartësi edhe të rrymave e zhvillimit të

tyre.Kohët e fundit i është dhënë përparësi lexuesit.”Kur e pyetën  Nobelistin grek,Seferi në lidhje me mardhëniet e tij me  lexuesin ai u përgjigj se diçka duhet të bëjë edhe lexuesi.Umberto Eko i jep mundësinë dhe të drejtën  lexuesit të bëjë diçka por thekson se  çdo vepër arti mbart brenda saj   çelësat e interpretimit dhe nuk mund ta lejojmë interpretimin në duart dhe hamendjet e lexuesit,vetëm po qe se ai është një lexues perfekt, domethënë një lexues që fle e zgjohet me agoninë e interpretimit.Pra arrijmë në përfundimin duke iu referuar   poetit grek Seferi, se diçka duhet të bëjë edhe lexuesi dhe ajo diçka që duhet të bëjë është të shtojë nga vetja diçka pasi e ka lexuar atë. Por pikat mbi i i vë kritika letrare,puna studimore çka i nevojitet aq shumë letërsisë shqiptare e artit në përgjithësi.

Pra “Trokas me ligjërime” vjen këtë herë poeti,shkrimtari,studjuesi e kritiku A.Gjata,një përmbledhje me artikuj ,studime e kritika letrare botuar nga shtëpia botuese” Milosao”Sarandë 2018,në të cilin nuk mungojnë recenca, parathënia e pas thënia nga profesorë,prof.dr e mjeshtër të fjalës të cilët kanë sjellë mendimet e vlerësimet e tyre për punën dinjitoze e vlerat e veçanta që sjell ky  libër në kritikën letrare shqiptare.

Vetë titulli” Trokas me ligjërime”  një titull poetik ky,është tregues i përmbajtjes së librit  në përgjithësi dhe analizës së ligjërimeve në veçanti si të poetëve e prozatorëve  edhe  fjalës e mendimit të autorit.Pra janë dy fjalë të  zbërthyera e të gërshetuara shumë mirë me njera-tjetrën : Pjesa e parë e titullit na parapërgatit se autori po troket  në tema e tematika, probleme e problematika letrare”,të nxehta “ siç shkruan docenti Odise Çaçi në shkrimin e tij për librin dhe autorin e librit në fjalë.Gjuha arvanitase një zhargon apo një dialekt,pyet dhe përgjigjet autori me një hulumtim që hap diskutime e studime gjuhësore e historike.

Pjesa e dytë e titullit, “ligjërime”  na bën të ditur për  ligjërimet e poetëve e prozatorëve,dhe kjo mori krijuesish. kalon në diskutime e analizë të teorisë letrare,të burimeve letrare dhe hulumtime  personale të F.Gjatës. Analiza që u bën fakteve, të dhënave historike si dhe argumentet që ai sjell e parashtron, flasin për punën e tij këmbëngulëse në fushën e gjuhësisë,historisë,një vizion i ri në studimet tona letrare,siç shkruan Prof.dr.Bardhosh Gaçe për librin në fjalë.

Meritë e autorit është Bibliografia e pasur që ai sjell,referencat e shumta ku ai konsultohet si dhe kodet e çelësat që i jep lexuesit për të shijuar e reflektuar një vepër artistike.

Fjalët hyrëse  të A.Gjatës  në të gjitha esetë dhe shënimet e tij diskurseve …përshkruajnë shkurtimisht apelin e fiksionit krijues që qëndron  në potencialin e tij hulumtues,marrëdhënies mes leximit dhe krijimit,po aq dhe mes sprovave të shumta  në këtë lëmi aq të vështirë ,po mjaft tërheqëse për autorin e këtij libri ..do të nisë Prof.dr.Fatmir Terziu esenë e tij titulluar”Gjata ose lexim-përgjigjja ndaj humanizmit-liberal.”

Arqile Gjata është poet, prozator  studjues e kritik letrar.Ai ka lindur në qytetin e Vlorës dhe ka studjuar në Institutin e lartë të Shkodrës.Është botues I tetë vëllimeve me poezi,tre vëllimeve me prozë si dhe ka shkruar e mbajtur reçesione, referate, kumtesa në universitete brenda e jashtë shqipërisë.

Është autori I vargjeve të mrekullueshme  “të zhurmshme” të vëllimit “Gratë e poetëve.”

Vijnë gratë e poetëve
Dallgë-dallgë,
mbushur shpirtin me këngë.
 
Këto gra me luk të ndryshuar
ditë e natë përtypin ëndrra
trullosur nga frymëzimet për burrat.
 
Gratë e poetëve idilike
“Natyrë e qetë” në kopshtin me ajër të poezisë
feksin si mollë e ndalueme
shembur  mbi shtrat
të joshura
nga dashuria  e burrave poetë.
 
Nuk u del shpirti pa u botuar libri
me fjalor muzike
“Gratë janë fajtore”.
 
 
Nga: Teuta Sadiku

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s