“Poema e eshtërnajës” / Fragment nga “Mare Nostrum” e  autorit Shpend Sollaku Noé

“Poema e eshtërnajës”, fragment nga “Mare Nostrum” e  autorit Shpend Sollaku Noé

“Vargje thellësisht njerëzore, të ngjeshura me dhimbje, ankth, rebelim”. 

Paolo Chiozzi, Universiteti i Firences 

Ekstrakti i dytë

Ky det ndihet mirë në prehër të Vlorës
– Mare Nostrum i pranverës,
që s’është sozia e vëllait dimëror,
që gërnjitet me binjakun e verës,
që denoncon thjeshtrin e vjeshtës për plaçkitje
të thesareve prej përbarkieve,
që bën hile në Bursën e xhixhivalleve.
Është deti pranveror, lagjin që i lan këmbët
Kepit të Gjuhëzës, të malluar pas mjegullash
për kryeneçësinë e fortesës së Kaninës.
Është deti i natës groteske i të të parakohshmit Halloween
që shtyn të gjithë në tubim: të shkrumbëzuarit e Mobi Princit,
të rishfaqurit e Ustikës,
të mbeturit pezull të përjetshëm të Bolonjës,
të masakruarit në përçartje të Drenicës.

Është deti i Otrantos, angështi – enigmë e Katerit të Radës
– lëvozhgëz arre, arkëmort britmash shpresëprera
mbi valët lunatike që bishëzohen me hope,
të ngarkuara me shkrepje mbi kreshtat e pranverës së mardhët,
të ngarkuara me plumbin e tradhëtimit të pritjes së kotë,
det i të të nxituarit Halloween.

Është deti zemërndrydhur i dhimbjes së pakuptuar,
i të qarave të heshtura fëmijërore që prehen nën këmbët e ujit,
pa asnjë pyetje, deti i nënave tronditëse
që shtrëngojnë krijesëzat e tyre
në të rralluarën kujtesë të agonisë,
gjer në përputhjen me kumin e pasy
të gjirit gangrenë të Otrantos.

Është deti i kreshpëruar i dosjeve euforike gjyqësore
që bymejnë llogaritë rrjedhëse të të emëruarve
prej parlamenteve – zëdhënëse të mizorëve;
deti pranveror i kurorave hipokrite të heronjve
të dyshimtë, deti i të vërtetave të kredhura
nën duna të rreme të Premtesh të Shenjta, i përfaljeve
të përlyera që zënë ngushtë ikonastasët; deti i pranverës,
i ngashërimit të Zotit, të nemitur
akoma edhe një herë prej plogështisë së pandreqshme
të krijesave të tij të mangëta;
deti i të të përshpejtuarit Halloween,
i lotit pa dobi të etërve me lemzë tragjike.

Është deti i pranverës, i provokuesve avance
të admiralëve që ç’tendosen të qetë
pasi kryen detyrën ndaj shtetit vrastar, që kridhen
në kërkim dhuratash për kurtizanet, shtojcë
diamantesh, pas portave të blinduara,
të padepërtueshme nga pëshpërimat
e të vdekurve të mohuar.

Marrë nga Libri “Abysses-Voragini”

Pak nga parathënia e librit me të njëjtin titull, botuar në SHBA, në anglisht e italisht, në vitin 2009:

“Shpend Sollaku Noé është një poet i madh që ka pasur si qëllim daljen e poezisë nga akademitë, nga aristokracitë letrare, nga ambientet mondane. Poet nga nevoja, gazetar për domo­sdoshmëri historike, profesor e njeri i letrave rritur në under­ground, politikan i lindur, martir i lirisë të shtypur. I paisur me një përgatitje të gjerë kulturale, letrare, filologjike e muzikale, po aq sa edhe shkencore në sensin enciklopedik, poliglot, ka­rakter i guximshëm, kurioz nga instikti, inteligjencë akute, mendje shumë të kujdesshme për të ardhmen qoftë letrare, filo­sofike o qoftë politiko-sociale, Shpend Sollaku Noé është per­sonalitet shumë kompleks dhe është i paisur me një ngarkesë të ngjeshur humane. Poemat Mare Nostrum e Murus Noster të këtij libri janë të një bukurie të rrallë. Lirika e Sh. S. Noé-së është aktuale, therëse, kafshuese, mallëngjyese, e vuajtur, gër­vishtëse, magjepsëse. Ky libër fenomenal është dëshmi që poe­zia është akoma gjallë”.

Stelvio Mestrovich Wotninsky

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s