MONOLOGU I POSTFESTËS (Si teto Ollga…) / Nga: Eliverta Kanina

MONOLOGU I POSTFESTËS
(Si teto Ollga…)

 

Nga: Eliverta Kanina

Puç-puç! Ika mami…
Më prek me gisht mes dy vetullave. Mbasi e hap shtegun, më puth aty dhe llastueshëm më përshëndet përsëri:
-puç-puç, epo do festojmë edhe me shoqet, hë me maaa!
Dhe a-ja jote më bën akoma shoqëri, ndërsa ti fluturon teposhtë shkallëve.
Nuk di si të sillem. Ndihem më e vogël se ty, pa ty…
Ç’nuk do të bëja që të isha unë me ty tani. Por, a do të ishe ti e lumtur? Sepse një gjë e di mirë dhe e kam në çdo çast para sysh: Lumturia jote është për mua përmbi gjithçka! Edhe mbi egon time.
Ndoshta je mosbesuese kur e lexon këtë, duke ndërmendur ato çastet kur “ziremi’ apo kur u përgjigjem “jo” dëshirave të tua. Por jo-të e mia s’kanë të bëjnë me kufizimet paragjykuese apo mërzitjen tënde. Meqenëse unë të kam rritur siç duhet, jam e qetë dhe të besoj ty. Por unë nuk i zë besë botës që na rrethon, dhe…Është frika ime se ndoshta ti lëndohesh apo zhgënjehesh dhe sidomos përgjegjësia që unë ndiej nëse nuk jam pranë teje për të të mbrojtur. Sepse lëndimi yt është edhe i imi. Ndaj dua të më mirkuptosh ato pak herë që unë nuk të aprovoj dëshirat…
Po aq, dua edhe të mos më zhgënjesh për të gjitha herët që të besoj pa kushte! Sepse zhgënjimi im është një dhimbje dhe një zhvlerësim për ty…
E kujt më shumë se mua do ti dilnin pendë nga vlerat e tua? Ndaj unë duke iu gëzuar vlerave të tua fizike, morale e emocionale, shpesh edhe gaboj…
Gaboj unë, gabon ti…kështu rritemi e rrisim njëra tjetrën duke falur dhe kritikuar, por jo pafundësisht. Sepse koha nuk na premton të qenurit bashkë përjetësisht. Unë të kam brenda meje derisa të kem frymë, por ti nuk mund të jesh vetëm e imja. Erdhi koha të jesh e vetes! Më pas edhe e dikujt që të shumfishon vlerat, gëzimet, që të plotëson dhe përmbush dëshirat, përtej meje…
Edhe pse jam xheloze, dhe ndihem e trishtuar për këtë, e pranoj edhe këtë realitet. Siç pranoj rritjen tënde, jetën dhe ligjet e saj. Më mjafton gjithçka që të bën të lumtur! Jam gati të bëhem hasëm me çdo mik, edhe çdo hasëm ta bëj mik, nëse e di se është faktor në lumturinë tënde. Këdo qoftë…
Ndaj nuk e urrej, por e admiroj këdo që ndan me ty çaste të bukura. Edhe në çastet pa mua. Kjo më ngushëllon: Të rritesh por edhe të jesh e lumtur! Është si një sukses i mëmësisë time. Ndaj dua të di si ndjehesh, të ma pohosh lumturinë tënde, por edhe shqetësimet . E ke detyrim edhe ti, të më qetësosh duke e ndarë veten me mua, madje duke më besuar edhe sekretet. Jam paneli djellor por edhe kasaforta e të gjitha ndjesive të tua, të hidhura apo të ëmbla qofshin, në çdo fazë të jetës. Kuptoje dhe besoje këtë!
Që të jemi të dyja të lumtura, afër apo larg njëra tjetrës, kurdoherë…
I qofshim njëra tjetrës krenari, shendegaz dhe dashuri bija ime!
Puç- puç!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s