Imazhi artistik dhe subtiliteti krijues i poetit Arqile Gjata / Nga: Dr. Zejnepe Alili – REXHEPI

Imazhi artistik dhe subtiliteti krijues i poetit Arqile Gjata

Vëllimi poetik “Lumenjtë janë të vjetër”, i Arqile Gjatës, poetit vlonjat që prej disa vitesh jeton në Athinë, nxit asisoj ritme idesh që dallgëzohen si valë, me forma të përpikta renditjesh poetike. Lumenjtë janë simbolika e udhëtimeve gjarpëruese mbi gjeografinë e Atdheut, ashtu si poeti i kudondodhur, që gjithmonë e bart historinë e vendit të tij, e bart shpirtin e dheut stërgjyshor. Asnjëherë nuk i përkufizon kufijtë dhe kohën si perceptim i së veçantës personale, por i lë me ato përmasa hapësirash shqiptare, të cilat i ka të njohuara edhe lexuesi. Vepra, veç përcaktohet në disa linja përshkrimore: koha – dashuria = atdheu – ëndrra.
Arqile Gjata, kuptimisht është poet paqësor, por që entuziazmi poetik i ndikur nga fati historik i vendit të tij, e bën vargun më kumbues e të “sertë”, sepse dhembja është burim njohjesh e frymëzimesh. Përvoja krijuese disa vjeçare, shkrimtarin e ka pajisur me urtinë që u paraprin perceptimeve të jetës, duke i radhitur të njëpasnjëshme veprat: “Kur trazohet jeta” (poezi) – 2005, “Kurorë me ngjyra” (poezi) – 2006, “Qyteti që kërkon muzikë” (tregime) – 2008, “Gratë e poetëve” (poezi) – 2009, “Një ese për jetën” (kritikë letrare) – 2010, “Jeta më vjen si poezi” (poezi) – 2010, “Kur thinjet deti” (poezi të zgjedhura) – 2012, “Lumenjtë janë të vjetër” (poezi) – 2014. Botimi i fundit është libri që e sjellim para lexuesit edhe përmes këtij vështrimi letrar.
Në këtë vepër, poezia pararendëse është “Dua të flas me ty Vlorë”, e cila e portretizon prejardhjen fisrore, vendin e bekuar, të quajtur – vendlindje! Vargu domethënës “Dua të flas me ty Vlorë” plotësohet me vargun “Të t’vi pranë përsëri me puthjen e memories”. E sa shumë mall ngërthen ky varg! Në këtë poezi, veçmas të bën përshtypje mendimi i Bertrand De Luvenel, shënuar poshtë titullit të poezisë “Është kapitalizëm, i dashur idiot. Një shoqëri e Deleve, krijon njëherazi një qeveri të Uqërve”. Një antitezë shumë e fuqishme kjo, me këtë ndërthurje vargjesh e thëniesh…?!
Përse një ndërlidhje e tillë, pyetemi?
Duke u ndalur në rrethanat e përgjithshme shoqërore, shpesh ndizen shkëndijëza dilemash dhe trazojnë pikëllime njerëzore, madje edhe të shpiejnë në polemika, më të thella sesa sipërfaqësore. Ndoshta, pikërisht këto dilema, do ta arsyetonin disi ndërlidhjen e tillë të poetit!
Duke iu referuar titullit përmbledhës të vëllimit, sidomos asociacionet që zgjon në ne simboli – lumi (lumenjtë), e gjejmë ndërlidhjen e frymëzimit me imazhologjinë, ku figuracioni artistik dhe eksplorimi mbi gjuhën (të pasur e të ndjeshme) të dërgojnë sinjale deshifrimesh përtej kësaj, diku në lashtësi, në zanafillë…, ku fjala si porosi qëndron mbi formën poetike. Pasqyrimi i hollësishëm i ngjarjeve, thellësia e mendimit dhe lidhshmëria jetike e formëson boshtin tematik atdhetar, që shtjellohet nga poezia në poezi, me seriozitet të mirëfilltë krijues.

Arqile Gjata

Arqile Gjata, është nga ata shkrimtarë, brezi i të cilit e vuajti më së shumti ideologjinë komuniste, ndonëse sot, kur ai shkruan, ajo i reflekton “Nga memoria e largët” (50), duke aluduar në një kohë më të artë, ndonëse e largët (antikiteti) dhe pamjaftueshëm e njohur, siç shprehet në këto ngasje krijuse: “Nuk di kush ka lindur i pari në botën tonë,/as të vdekurin e parë… askush nuk e di./Të gjithë puthën njëri-tjetrin!” Mandej, po me atë intensitet të të shprehurit, vijon: “vendbanimi i të parit/ende nuk ka atdhe,/t’i falesha, t’i flisja me shpirtin tim!”. Megjithëse me ngjyrim pikëllues, autori synon tubimin e shqiptarëve rreth trungut kombëtar, që mallkimi të mos prekë askend e të mbetet jashtë këtyre rrënjëve. Kjo është bota e brengave që bart me vete poeti, për të mposhtur kohën që teksa rrjedh, fshin çdo gjë të paqëndrueshme para vetes. Prandaj, Gjata, kërkon unitet shqiptar rreth një trungu të paluhatshëm. Poeti në mërgim, më së shumti nga të gjithë e kupton këtë shqetësim, shqetësimin e shkapërderdhjes së fisit nëpër rrugët e përbotshme.
Autori e bën transparente praninë e tij, gjë që edhe e tregon personalitetin letrar, në harmonizim me mendimet që i përvidhen nëpër damarët e gjakut, ndonëse metaforat nuk shërbejnë vetëm si forma artistike mbretëruese, por e kanë mprehtësinë e mjaftueshme sa ta drejtojnë lexuesin te objektivi, ku padyshim, fshihet mesazhi autorial. Ai mesazh derdhet si mendim i posaçëm, largpërçues dhe në realitet të ngulit perceptimin e diçkaje të brendshme në shpërthim të përçueshmërisë së atij mendimi jashtë konturave të personales. Herë-herë, brenda poezive të Gjatës, i ndesh vargjet hokku… dhe nxitesh për të zbërthyer thelbësoren e brendisë së tyre “Fusha e shahut varrezë e tmerrshme/me ushtarë e kuaj të bardhë” apo duke vijuar më tej “Nëpër kuadratet e shahut ka dhe trima…/fillojnë e vdesin në moshë të rinisë/e lënë pas kuadrate të përgjakur” (Kur luaj shah, 116). Në të vërtetë, historitë kombëtare janë të pranishme përmes kujtimesh, andaj një poet edhe vetëm me dy – tre vargje të shkurtëra, pa stërzgjatje vargëzimesh, e qartëson se ku aludon vargu i tij, ku të shpie mesazhi i poezisë. Në brendinë e poezisë së Gjatës, ka plot vargje që mund të qëndrojnë si të mëvetësishme, por gjithmonë me forcën përçuese të një ngjarjeje të tërë…
Sipas një zgjedhjeje metodologjike, formësore e ideprurëse, mbështetur mbi analogji idesh, del se lumi është rrjedha e jetës. Lumi, për cilindo poet, është nisma e periodizimit të ngjarjeve përmes vargjeve, që nënkupton se ama e pashterur dhe rrjedha e pandalur gjarpërojnë në përkalimet kohore si në kapërcyllin e shekujve. T’i afrohesh sa më pranë synimeve dhe ndjenjave të autorit, për lexuesin, është si të ribësh së jashtmi udhën e tij. Kjo ndërlidhje: autor – lexues, është mishërim i universalizmit tematik që dëshmojnë për formimin kulturor të poetit dhe objektet heterogjene që mundet të perceptohen dhe zbërthehen nga lexuesit.
Në sajë të idesë, autori të shpie vëmendjen gjetkë, brenda filozofive që të nxisin njëlloj lidhjeje a filiacioni (bijësimi) për ndikimin nga lumenjtë dhe analizën logjiko-filozofike dhe atë teoriko-estetike, që është trajtuar nga shumë autorë. Kërkimet e lidhjeve, ngjashmërive ideore-tematike, afrisë dhe ndikimit, përkapen vetë me anë të universalizmit të njohjeve, etapave kohore, situatave…, gjithmonë në raport me përjetimin shpirtëror të poetit, sikur janë të pranishme “Në çdo stinë” (126).
Në vëllimin e Arqile Gjatës, vëmë re gjuhën e përzgjedhur e të begatshme (sintaksë të pasur e norma dialektore), ndërlidhjen e mitologjisë (ilire) dhe të tjera të antikitetit, krahasime ngjarjesh e figurash…, të cilat përmes një ndërthurjeje semantike, mbeten poezi mesazhesh të pranueshme e të rëndësishme. Poezitë, të zgjojnë kërshërinë e vazhdueshme për të kuptuar dhe njohur ndjesitë autoriale të përcjellura në formë vlerash letrare.

 

Nga: Dr. Zejnepe Alili – REXHEPI

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s