Poezi nga Sabit IDRIZI
NË SPITAL
Tre laringa (kështu na quan stafi mjekësor)
Në dhomën numër tre
Në Repartin e Fytit në QKUK
Unë jam vendosur në shtratin afër dritares
Në mes – Iskanderi nga Prishtina
Kurse afër derës – Jetullahu nga Suhareka
Jemi të operuar në fyt dhe na ushqejnë përmes hundës
Të gjithë e dimë çka kemi
E asnjëherë nuk ia dëgjuam emrin sëmundjes sonë
Dikush i thotë “i raftë gurit”
Dikush “sëmundja e keqe” (thua se ka sëmundje të mirë)
Dikush kurrrqysh (nga frika prej saj, natyrisht)
Asnjëri prej nesh nuk mund të flasim
Gabzherrat tanë i kanë ngrënë diku qentë endacakë të Prishtinës
Pasi që Kompania që ka zgjedhur Komuna
I ka bartur në deponinë e qytetit
Po edhe pse na la pa gojë kjo sëmundje pirate
Ne dimë të flasim edhe ndryshe
Do ta varrosim këtu në fytat tanë shpellë
Që kurrë kush në botë të mos vuaj më prej saj
Prishtinë, shkurt 2018
(Po e publikoj ashu siç është shkruar me frymën e parë, pa asnjë ndërhyrje)