FANTAZMAT E GJAKUT / Tregim nga Resmi Osmani

Tregim nga Resmi Osmani

 

FANTAZMAT E GJAKUT

Hak pa marrë e gjak pa larë nuk jet.”

Kanuni i pashkruar i maleve.

“Gjaku s’hup kurrë”

Kanuni i Lek Dukagjinit

Në kronikat e ditës së hënë, gjithë mediat vizive të Tiranës, dhanë lajmin se në suitën rezidenciale të hotel “Paradise”, ndaj të gdhirë u godit në shtrat, nga një “Arrest kardiak” shtetasi suedez me origjinë shqiptare Sokol Hajrulla Bajraktari. Këtë e bëri të ditur, e shoqja Helga Anders Kristensen -Bajraktari. Shkaqet ende të paditura. I sëmuri. i shtruar në Klinikën Mjekësore Universitare “Nënë Tereza”, kishte dalë nga koma, ishte nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

        1

Leme Sala, nuk u mërziti  që s’e  besoi askush për atë që tha se kishte parë në mesnatën e së martës në rrugën qëndrore të qytetit, por që e quajtën të shkarë, të rrjedhur e të lajthitur që shihte ëndërra me sy hapur dhe broçkulliste.E tregonin me gisht dhe gaxhiteshin me të, ca të tjerë thanë se ajo po i nxirte nam të keq qytetit të tyre të nderuar dhe mund të largonte turistët.Edhe shoqet e punës sesi e shihnin, nuk i hapnin muhabet dhe sa të mundeshin i kthenin krahët. Si për t’i vënë kapakun , edhe i shoqi, Binaku, i tha të mbyllte gojën se u bë gazi i botës. Kjo s’durohej, e mërziti shumë Leme zezën. Por jo të gjithë mendonin kësisoj. Lemes i shkoi në shtëpi një nxënës i gjimnazit dhe i tha se profesori Gjon Gjin Marku, e priste në lokalin “Ujvara”, për një kafe, në ora pesë të pasdites. Lemja u ndje në zor nga kjo ftesë. Ç’ne ajo, një fshesare e ndërmarrjes së “Pastrim gjelberimit” me një profesor të nderuar e famëmadh të qytetit?

Profesori i nderuar i gjimnazit të vetëm të qytetit Gjon Gjin Marku, ishte ajka e intelektualëve historianëve dhe studjuesve. Hulumtimet e tij në astrologji, spiritizëm, mistikë, dhe parashikimet  e tij për ngjarjet e pritshme, i kishin lënë pa mend bashkëqytetarët që kishin nisur ta shihnin si orakull. Mjekra e thinjur prej patriarku, syzet lentetrasha, flokët e gjatë mbi supe e bënin atë objekt admirimi. U bë aq i famshëm, sa fama nisi t’i rëndohej, e t’I kthehej në barrë gjë që dukej në krrusjen e shpatullave,  por sido qoftë ajo u bë pjesë e jetës së tij dhe ai s’jetonte dot pa ‘të. Lemja e gjeti profesorin e nderuar, të rënë në mendime, të dystuar në kolltuk, duke tymosur llullën, në kthinën e rezervuar për klientët e rëndësishëm që tashmë kishin filluar t’I quanin VIP. Ajo u afrua me ndrojtje e çape të ngadaltë, por profesori i shquar, u ngrit i dha dorën dhe e ftoi të ulej në kolltukun karshi dhe porositi një kafe turke. Lemja u ndje e nderuar.Duke i dhënë vetes atë hijen e rëndë e disi misterioze, i tha  se kishte dëgjuar ca fjalë. për një ndodhi që  i  kishte ngjarë asaj  dy net më parë, por desh ta dëgjonte nga goja e saj.

-Pjesa ime e pastrimit nis nga bashkia, pranë monumentit që u ngrit para disa ditësh,- filloi të rrëfejë Lemja- ku kurorat e luleve edhe s’janë tharë, dhe përfundon në fund të bulevardit, te monumenti tjetër ai i ngritur para dy vjetësh. Isha duke i dhënë fshesën e fundit pastrimit, kur nga alpet zbriti mjegulla, e dëndur, e lagësht, e perhinjtë si e zbërdhylur,  sa mezi shihje dy çape përtej, larg shkrepi një vetëtimë, erdhi një bubullimë e mbytur, pastaj fryu një erë e fortë, pa shi, me shtjella që ngriti re pluhuri.Pak caste ra një qetsi e shurdhër, por nuk vonoi dhe dëgjova vringëllima dhe gjurmë të rënda. U pataksa! Monumenti i bashkisë, ashtu i bronzët, si një mal i rëndë, duke u branisur dhe shungulluar iu afrua monumentit tjetër dhe nxori nga brezi alltinë, mori nishan e qëlloi. plumbi shkau në bronz dhe kaloi rrëzë veshit tim. U llahtarisa! Tjetri zbriti nga podi i mermertë dhe vringëlliu shpatën, u kacambytën. Sa herë e qëllonte me shpatë dëgjoheshin vringëllima dhe shkrepëtinin xixa. I gërmusheshin shoshoqt me fjalë, siç duket u shanë, por unë s’mora vesh se ç’thanë. Shtanga e frikësuar dhe më ngriu fshesa në dorë. Në atë kohë kënduan gjelat e parë , era u platit, po binte muzgu dhe ata u kthyen në vendet e tyre…..Kur mbarova punë, ata ishin aty, të heshtur,të ngrirë. si të mos kishte ndodhur gjë. Kjo ishte ajo që pashë. Askush s’më besoi, më quajtën të lajthitur e të marrë!Për atë zot,që është një. e për kryet e fëmijëve, Lemja nuk rren!  Ruajna o zot mendt e kresë.

Profesori nuk bzajti, s’shfaqi asnjë mendim, nuk i tha as që e besonte as që s’e besonte. I kishte fjalët të shtrenjta.Fytyra e tij s’shprehte asgjë,si të ishte e drunjtë. E falnderoi dhe i la të kuptonte se biseda kishte mbaruar. Lemja u ngrit e shkoi disi e lehtësuar.Fundja dikush e kish dëgjuar

Profesor  Gjon Gjin Marku, u kthye në kabinet dhe ra në honin e të thellave. Një hetim i kujdesëshëm, vërtetoi se burmat që kishin vidhosur monumentet në piedestale ishin çvidhosur dhe vidhosur sërish. Lemja, mbase e tepronte por ngjarja dukej të ishte e vërtetë! Shënjat ishin të frikshme. Para disa ditësh ngjau eklipsi i hënës. Hëna u shfaq e kuqe, e kuqe si e përgjakur e frikshme dhe e llahtarisur. I hodhi një sy hartës së yjeve, shenjat e turbullta, paralajmëronin ngjarje të frikshme. Edhe falltari Sadri Prroni, që kishte shqyrtuar shpatullat e berrave të therur për Kurban-Bajram kishte parë njolla gjaku. Fallxhorja zonja Selfixhe, kishte veguar në filxhanin e kafes një qivur! Paralajmërimet ishin të qarta. Dikush do të vdiste tragjikisht për të larë borxhet e gjakut.Diku larg, jo në qytetin e tyre, paçka se lufta e fantazmave kishte nisur aty, ngaqë aty ishte shkaku dhe zanafilla. Profesorit i kishte ardhur zogu në dorë. Hapi një dosje të re”Shpirtrat dhe monumentet”. Nisi hulumtimet. Qyteti  i tyre, që qytet i thënçin, dukej si i ulur këmbëkryq në prehër të alpeve, në një ngastër vend të rrafshnaltës  së ngushtë të Bjeshkëve të Namuna. Ngado që të hidhje sytë, përpjetë e tatëpjetë, male e përsëri male, si ca dallgë deti të ngrira me kulme të dhëmbëzuar, që dimrit i mbulonte bora e verës i piqte dielli. Vend I nëmur, ashtu siç kishte edhe emrin.Thoshin se qëmoti ai kishte qenë një fshat me nja njëzet kulla, që qiste nja dyzet burra me huta e martina. Ca e ca, fshati u zgjerua, posta e xhandarmërisë, shkolla,post-telegrafa  dhe dugaja me bakallët, që shisnin më së shumti  kripë,  vajguri, gozhdë e ndonjë kut pëlhurë, po i rrisnin namin dhe qeveritë e atëhershme e shpallën qendëër të nënprefekturës.  Në hapësirën e paanë, në luginat shpatinat, zabelet, gjith ku kishte pak tokë për parmendë, burime uji dhe bjeshkë për kullotë ishin katundet, të ndara në vllazëri, gjini, fise, bajraqe. Burra trima e të sertë.Kishin luftuar me dovletin, karadakun, serbin dhe nemcen.Por më e ashpër ishte lufta mes vedi. Vriteshin për një gardh, për një gur sinori, për një fjalë, nder të marrun e fytyrë të vrugueme, për hajni e cubni. Gjakmarrja bënte kërdinë. Si të mos mjaftonin gjith këto, nisi lufta politike. Bajraktari i Madh, her me hile, her me pabesi e her me trimni, duke derdhur argjend e flori, ia doli të dilte në krye. Për hakmarrje dhe siguri të vetes, i vrau ata që deri dje kishin qënë miqt e vet e që nga miq iu kthyen në armiq. Shumë ujra kishin rrjedhur, shumë vite e stinë ishin ndrruar, erdhën të tjera kohë,u thanë të tjera fjalë. Fuqinë e merrte her një bajrak e her një tjetër, u ngjallën mëritë, hasmëritë, nisën të dhembin plagët e qëmoçme , fantazmat e shpirtrave të paqetë dhe ajo e Lek Dukagjinit trazonin mëndjet dhe shpirtrat. Dhe ja ku ishim: Në qytet u ngritën dy monumente, karshi njeri-tjetrit: I Bajraktarit të Madh, vrasësit, nga njeri bajrak, që kishte dhënë shpirt nga pleqëria në shtratin e shtëpisë, larg në një vend të huaj dhe i të vrarit, në lule të moshës, nga bajraku tjetër, që s’i dihej varri. Për të dy lahutarët dhe rapsodët këndonin këngë!

Profesori  i nderuar, Gjon Gjin Marku, i thelluar në shkencat okulte, spiritizëm dhe misticizëm , rastin e Leme Salës e pa si vërtetim të teorisë së tij të migrimit të shpirtrave. Ai hapi një faqe të re në traktatin që po shkruante dhe bëri një shënim:”Trupi asht gjasend landore, shkimet e shpërbahet, jesin veç eshtnat prej qereçi e fosfori. Shpirti asht etern,nuk vdes, i takon amshimit deri në gjygjin e fundit…” Pas kësaj fjalie gjith mençuri, rreth së cilës do të kondensohej gjithë subjekti, ai mendoj vijimin. Shpirti që jet pa trup, s‘ka ku të mishërohet, ai kur e thërresin të gjallët, shfaqet si hije, si fantazmë, në mugëtirë e terr. Ndryshon puna kur ngrihen monumentet. Shpirti që i njeh shëmbëlltyrat e vetes, gjen strehë brenda tyre dhe i trand, i vë në lëvizje e veprim. Bash kjo kishte ndodhur me dy monumentet e qutetit të tyre! Ishin ngjallur të vdekurit. Kërkonin hakmarrje!

Qytetari suedez me origjinë shqiptare, Sokol Hajrulla Bajraktari, i lindur jashtë Shqipërie nga një ledi fisnike irlandeze, pasardhëse e një lordi, dhe Hajrulla Kapidanit, pinjoll i rrafshit të Lugjeve të Verdha, e kishte çuar jetën larg Shqipërie. Ishte martuar me zonjën Roz Anders Kristensen, bijë e një industrialisti të madh. Ishte bashkuar fisnikëria me pasurinë. Vinte për herë të parë në vendin e gjyshit, i ftuar nga nipi i Bajraktarit të Madh, me rastin e martesës së tij. Ishin shokë fëminie. Ai, i përkrahur nga miq e shokë që i kishin mbetur besnikë, kishte kohë i ardhur në Shqipëri, në kërkim të trashëgimit të gjyshit të vet, Bajraktarit të Madh. Dikur,ata kishin qenë shokë armësh,Mehmet Kapidani kishte qenë krahu i armatosur, që i kishte pastruar rrugën e pushtetit.i ishte  dashur të derdhte shumë gjak, të armiqve por edhe të miqve të pabesë. Kishte kaluar shumë kohë, dy breza, aq sa ato ngjanin si legjenda.

Që madam Helga të njihej me bukuritë e vendorigjinës së basshkëshortit. morën me qira një helikopter çarter dhe fluturuan mbi Bjeshkët e Namuna, mbi alpet,majave të të cilëve bora s’kishte shkrirë ende, u mahnitën me bukuritë: pyjet livadhet luginat, lumenjtë, katundet e strukur rrëzë maleve. Bënë fotografi dhe filmime. Kur zbritën në qytetin N i pritën miq të familjes, vllazëri, kushërinj dhe kureshtarë. Madam Helgës që ishte e mrekulluar nga ç’kishte parë dhe nga kjo pritje, i dhuruan lule. U çmallën dhe darkuan bashkërisht. Një rapsod këndoi me lahutë një këngë për trimëritë e Mehmet Agë Kapidanit.

Vizituan, në fund të rrugës së vetme të qytetit momnumentin madhështor të  Bajraktarit të Madh dhe vunë lule.

Të mbushur plot mbresa, zunë vend në hotelin e ri me pesë yje “Radohima”, ku u kishin rezervuar  suitën rezidenciale.Pas darkës së shijshme e plot emocione, u kthyen në suitë dhe të lodhur u shtrinë për të fjetur. Bënë dashuri dhe Helgën  e kapiti gjumi. Kur Sokolit po i mbylleshin sytë, ndenji shesh në shtrat me mëdyshje nëse duhej të mbulohej, ngaqë iu duk vapë. Për një çast ndriçimi i abazhurit të komodinës u zbeh dhe dhomën e mbuloi mugëtira. Nga mbidritarja e hapur për ajrim, hyri duke rrahur krahët një flutur e bardhë, me krahët mbuluar me pikla të kuqe dhe nisi të sillesh rreth llambës me një valle të marrë.

-Mos fli!- zëri ishte i thellë, i ngjirrur i rrokëzuar dhe zvargur ,por urdhërues.

-Ëho are you?[1]– pyeti Skënderi që nuk e kuptoi prej nga i erdhi zëri.

-Folmë shqip!

-Kush je ti?

-Shpirti i plakut të maleve!-foli zëri.

-As njohur as dëgjuar,ç’kërkon prej meje?

-Gjyshi  yt, Kapidani i Lugjeve të Verdha më ndoqi siç ndjekin zagarët gjahun, s’mu nda, këmba-këmbës, deri sa më rrethoi, e kur mua dhe trimave na mbaruan ushqimet dhe fishekët, na vrau. I shikon pikat e kuqe në krahët e mi? Janë plagët e plumbave që kullojnë hala  gjak.

Skënderi i kishte qepur sytë boshllëkut të muzgët prej nga i vinte zëri, nuk po kuptonte, ishte zgjuar, e kishin kapluar haluçinacionet,apo në atë gjendjen as në gjumë as zgjuar, ku ëndrrat trazojnë gjykimin dhe fantazia e pakontrolluar, si në filmat e Hiçkokut, shëtit si një somnambul. Cimbisi krahun. I dhembi. Padyshim që ishte zgjuar. Roza flinte.

Nga mbidritarja hynë flutura të tjera, më të vogla, të gjitha  të përhinjta, me pikla të zeza. Edhe ato filluan të vertiten rreth llampadarit dhe dhoma e gjumit u mbush me shungullimën e zërave të pakuptueshëm.Flutura e madhe u ul mbi komodinën e shtratit.Sytë i ndrinin si dy thëngjij.Skënderi i ra që ta vriste, po ajo u ngrit vrik, dhe prej saj doli një hije: malësor,mustaqemadh, me plis të bardhë, sytë futur thellë në zgavra, prej tyre dilnin dy rreze drite që shponin mugëtirën, qëndronte pezull si të ishte prej ere.

-Janë shpirtrat e shokëve që u vranë tok me mua.-tha për fluturat e tjera.- Gjith ne jemi zotërit e gjakut, ti je trashëgimtari i gjaksit i borxhliut. Atje në vend të huaj, ne se merrnim dot gjakun, na e ndalon kanuni, po ti na erdhe në vend. Të dërgoi dora e zotit. Gjak pa larë e hak pa marrë nuk jet. Gjaku shkon për gisht dhe dorërasi[2] është Kapidani i Lugjeve të verdha.Ti je trashëgimtari, që të shlyesh borxhin duhet të vdesësh, që dera e kapidanit të shuhet e të mbyllet, siç u shuan dyert tona!

Fluturat e vogla u shndrruan në ushtarë. Të gjithë kishin pushkë.Ja drejtuan gjaksit,por nuk kishin fishekë, i kishin djegur në luftën e bërë para tetëdhjetë vjetësh .

-Jo, de, Jooooo!-bërtiti fatziu gjer në kupë të qiellit.

Britma zgjoi Helgën, që brofi dhe ndezi dritat.

– Ç’ke, i dashur? Pse ia ngjit sytë e tmerruar zbrazëtirës?

Ai i bëri me nojmë me kokë nga fluturat, por në atë çast kënduan gjelat nga shtëpitë aty afër dhe fluturat u zhdukën si të mos kishin qënë kurrë.Nuk i tha gjë së shoqes, do ti tregonte në mëngjes.

Fjetën deri vonë dhe mënngjesin ua shërbyen në dhomë.

Ishte i bindur se ajo suitë e hotelit ishte e magjepsur dhe e pushtuar nga shpirat dhe fantazmat,  ajo që i kishte ndodhur nuk ishte një makth.

Morën Helikopterin dhe u kthyen në Tiranë.

Ata u nisën e stolisën, ai : me kostum të zi, këmishëtë bardhë jakvogël cepa kthyer, kravatë flutur vishnje me pika të bardha, një lule të bardhë gardenia në thile, shamiçkë mëndafshi të bardhë në xhepin e vogël.Ajo: me fustan ngjyrë argjendi, me një shall spanjoll mëndafshi hedhur mbi supe dhe vargun e perlave, që ndrinin ëmbël me reflekset e sedefta. E gjatë belhollë elegante. Limuzina i la te porta e “Ruajal Palas”. Shoqëri e zgjedhur, e hareshme, gazmore, me sqimë.  Dasma ishte madhështore, si dasmë mbretërore. Salla e “Ruajal Palas” ndrinte e shkëlqenta nga dritat,luksi dhe stolitë e dasmorëve.Trashëgimtari i Bajraktarit të Madh,po martohej  me zonjushë Etlevën, e njohur në botën e modelingut.Jo e shquar nga fisi apo pasuria, por e pashoqe për nga bukuria dhe talenti.” Kjo s’do të thoshte gjë,- tha Helga,- a nuk kishte vepruar kështu edhe princ Herri që u martua me Meganin, një mulate afro-amerikane?”

Pas ceremonisë,limuzina i solli para hotelit. Të përshëndetur nga personeli që u gëzohej bakshisheve, u ngjitën në suitën rezidenciale, u çliruan nga veshjet  dhe të ulur në kolltukë po shkëmbenin mbresat për dasmën.

– Më thanë se dasma kostoi njëqind mijë euro! Nuk të duket harxhim ekstravagant? Më mirë një ceremoni të thjeshtë dhe lekët për bamirësi, në këtë vend që është kaq i varfër!

-Epo, njeriu një herë martohet!- I tha i shoqi-Ndër shqiptarët, dasma është si një rit, që rrëfen klasin e atij që martohet.

Detyrat e ditës ishin kryer. U shtrinë. bënë dashuri.”Ta mbajmë mend këtë natë dashurie në Tiranë” tha Helga, si të donte ti koleksiononte netët dashurore. Të lektisur e të kapitur, ashtu të përqafuar, si në një botë ëndrrash, po i kaplonte gjumi. Skënderi u kujdes që dritaret të ishin të mbyllura. Pa të shoqen: flokët e arta shpërndarë mbi nënkresë,fytyra e bukur dhe e paqme si e një foshnje.Buzëqeshte në gjumë. U ngjat brinjë saj me kujdes që të mos e zgjonte. Kishte qënë me fat:Helga ishte vajzë përsëmbari.

Drita e zbehtë e kaltëreme gjumëndjellëse e ndriçuesit të komodinës, e linte në hije të mugët  pjesën e sipërme të dhomës, në mure luhateshin hijet e perdeve që u binte ndriçimi nga rruga. Kondicioneri shushurinte lehtë dhe shpërndante freski. Skënderit iu bë se ndjeu parpalitje krahësh të një fluturake që sillesh nëpër dhomë. Nuk ishte gabuar. S’ mundi ta shquante mirë, ishte një zogth apo lakuriq nate. Nga të kishte hyrë? Dyer e dritare ishin mbyllur.

-Të prita i varur te qoshja e murit nën tavan, në errësirë.- tha zëri si t’i kishte lexuar mendimet. Dhe ndodhi një shndrrim: në mugëtirën e dhomës u shfaq një hije veshur allafranga, me redingotë e jelek, i shquheshin mustaqet e plota, në vend të syve dy zgavra, ishte i zhytur në muzg të tymtë, i pezullt, një siluetë e palëndët. Iu kujtua se diku e kishte parë të trupëzuar në një monument.

“ Prapë? Ç’ishte kjo”?-pyeti veten dhe bëri një lutje, që ky shpirt, hije apo xhind,të hiqej e vidhisej,të shporrej në humbëtirën nga kish dalë. Por lutja s’bëri punë.

-Jam shpirti i profesorit, i deputetit,politikanit. Mehmet Bajraktari, gjyshi yt, me porosi tw Bajraktarit të Madh, mi vuri hafijet pas gjurmëve, kudo që shkova: në Vjenë, Sofje, Stamboll , Romë. Hija e vdekjes më ndiqte pas. Më vranë në një qytet të huaj, kur po numëroja qindarkat që më kishin mbetur për të paguar kafen. Isha hala i ri. S’i kasha mbushur tridhjet e pesë vjeç.  Ishte një vrasës me pagesë, ai që shkrehu armën, një halabak. Dorëras i paguar nga shtëpia juaj. Shtëpia juaj është në gjak me timen. Nipërit e mi që se kanë marrë gjakun, në malësi hala i përbuzin, ua japin kafen nën gju, i kallzojnë me gisht si të shburrnuem  dhe fjalën s’ua ndigjojnë në kuvendin e burrave. Balli i tyre asht’ i vruguem. Atë e ndrit veç  derdhja e gjakut të gjaksit. Edhe unë s’gjej as prehje as paqe,s’më nxe varri.

Heshtje e akullt.

-Edhe ti, ish deputet,professor,politikan, ke mbetur rob i gjakut? E kërkon atë prej meje që jam i brerzit të tretë e i pafaj?

-Zakoni, ashtë ligj ma i fortë se çdo ligj. Gjaku s’hupë kurrë. E vrave,tjetrin, fisnik a firuk[3], ndëshkimi asht i njëllojtë: i ke gjakun.Gjakun e lan edhe aj që nep plumbin.Pushka e dhanme e çon gjakun në shpi! Gjaku shkon bir pas biri e nip pas nipi.

-Por a nuk ka falje, a nuk ka pajtim?

-Edhe ka, kur hyjnë dorzanët e gjakut.Për ty nuk ban fajde.S’ishte vrasje për gjak, ishte vrasje politike. Edhe po të fal unë s’falin të tjerët, gjakhupsit, dhe ata janë shumë. Shikoji !-Muzgu i tymtë u mbush me hije – shpirtra që lëvrinin, rënkonin, ofshanin sa të dridhej mishi. – Erdha të ta bëj me dije. S’e di se kur, e ku…. Por në një qafë mali,  trotuar qyteti,apo portë hoteli, nipi im do të zerë pritë, dhe para se të të vrasë, do të thërrasë që të më bësh të fala mua dhe do të qëllojë……Vdekje e bukur ashtë n’ lule t’ ballit, apo drejt e në zemër ….. Nuk do ta prishin fytyrën, do ta kthejnë trupin së mbari, nga dielli…. Dhe po të kesh, do ta venë pushkën në brinjë. Pastaj do ti bajnë za shpis sate që të kanë vra. Të vijnë të të marrin e të bajnë gjamën. Kështu e do kanuni. Kështu do të bahet…..Zëri vinte me tropare, i thellë i ngjirrur, si të dilte nga humbellat, zvarrë-zvarrë, si një qefin i zi që ndehet mbi tabutin e të vdekurit.

-Fantazma,hije skëterre, shpirtra të vdekurish të dalë varresh,apo djaj, ç’fardo që jeni: përjashta, shporruni, hiqmuni sysh- ai deshi të bërtiste urdhërueshëm, por zëri nuk i doli, ishte i dobët ,fjalët të shqiptuara si belbëzim. Hijet lëvizën në kaos, iu afruan, e qarkuan dhe i qëndruan mbi krye, të frikshme, të ngërdheshura, gojë pa dhëmbë si shpella, zgavra pa sy, skelete të shkalafitura, rënkime e ungërima ngjethëse: gjaku….Gjaku…Gjaku…. Atmosfera e dhomës kutërbonte varr, kalbësirë.

Skënderi ndjeu shtrëngesë therëse të padurueshme në gjoks, i rigouan djersë të ftohta, iu meh fryma, iu err shikimi pastaj një shkrepëtimë e ndritshme dhe zhytja ngadalë në një hon të errët….Helga që u trondit nga dridhja e shtratit dhe rënkimet e të shoqit, brofi vrik dhe u llahtaris kur pa sytë e ngrirë si dy sfera qelqi, pamjen e ngurtësuar dhe një tizgë jarge që kishte rrjedhur nga buza në faqe. I foli, e shkundi fort, bërtiti me sa kish në kokë, por asnjë shenjë jete.

Nga jashtw u dëgjua kënga e gjelave që lajmëronte agimin. Helga asgjë s’pa. asgjë nuk dëgjoi.

Me duart që i dridheshin ngriti telefonin dhe lajmëroi recepsionin që të thërrisnin një ambulancë.

Mjeku konstatoi një “Arrest kardiak”. Shkaqet të panjohura. Pulsi punonte ngadalë, i sëmuri ishte gjallë por në koma. Bëri një ndërhyrje me elektroshok dhe u nisën për në Qendrën Spitalore Universitare”Nënë Tereza”.

Në mbyllje të këtij tregimi, lexuesit mund t’i themi se ngjarje të tilla ndodhin rrallë, rrallë, por ja që ndodhin!

       Tiranë, shtator 2018  

[1] Kush je ti? Anglisht.

[2] Dorërasi,ai që qëllon dhe vret.

[3] Firuk- nga shtresë e ulët.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s