“GJURMË” TË NJË JETE TË TRAZUAR,  POR TË SUKSESSHME… (Shënime, për librin e ri të Prof.Murat Gecaj, “Gjurmë, nëpër udhë”) / Nga: Sejdo Harka  

GJURMË” TË NJË JETE TË TRAZUAR,  POR TË SUKSESSHME…

(Shënime, për librin e ri të Prof.Murat Gecaj, “Gjurmë, nëpër udhë”) 

1.

Sapo fillon të shfletosh librin më të ri të Prof.Murat Gecaj, “Gjurmë, nëpër udhë”…, i cili ka dalë në qarkullim kohët e fundit, përpara të shpaloset një “udhë”, sa e gjatë, aq dhe e vështirë, me të përpjeta e taëtpjeta, plot pengesa , të cilat ,protagonisti i këtij libri(autori),i ka kapërcyer me sukses. Ai, herë shfaqet si narator dhe herë si aktor i ngjarjeve. Mespërmes kësaj  “rruge gjarpëroshe” të shfaqen , si në ekran, “gjurmët” , sa reale aq dhe metaforike, që ky autor ka lënë  mbi këtë rrugë të mundimshme, gjatë një jete të tërë. Këto gjurmë janë të mbushura plot djersë e stërmundime, me gëzime e trishtime, me ëndrra e zhgënjime, me arritje e dështime, të cilat herë e kanë lumturuar dhe herë e kanë trishtuar , por kurrë nuk e kanë  dehur e gjunjëzuar. Përkundrazi, ato e kanë motivuar për të ecur e vështruar gjithmonë përpara. Puna e sakrifica dhe kthjelltësia e mendimit, e kanë bërë  që këto gjurmë të marrin emrin e tij të suksesshëm, në shumë fusha të jetës dhe të krijimtarisë.

Ky libër, për nga brendia dhe mënyra e kompozimit të përmbajtjes e të stilit, është një ndërthurje,ndërmjet jetëshkrimit dhe autorbiografisë, publicistikës dhe krijimtarisë së mirëfilltë  letrare. Në të, lexuesi do  të gjejë  biseda  e diskutime, analiza e përshkrime, mesazhe e vlerësime, që figura të njohura të letërsisë, kulturës e artit, brenda dhe jashtë vendit, i bëjnë  protagonistit kryesor të këtij libri. Përmes tyre, lexuesi njihet mirë, me jetën dhe veprimtarinë e gjerë dhe shumëplanëshe krijuese të autoreit të këtij libri. Por, në këto shënime të shkurtëra, në pamundësi për të thënë gjithçka, po mundohemi t’i japim përgjigje, shkurtimisht, pyetjes kryesore: “Kush është Murat Z.Gecaj?”

Murati u lind në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), në një familje të thjeshtë e me tradita atdhetare.  Shëtpia e tyre u bë bazë e rëndësishme, ku strehohej “Heroi i Popullit”, Bajram Curri.  Nëna  e la jetim, që në moshën 4-vjeçare. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të mesmen në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”-Tiranë. Në shtator të vitit 1958, pasi u lirua nga ushtria për arsye shëndetësore, ai nisi studimet e larta për gjuhë-letërsi shqipe, në Universitetin e Tiranës. Aty kreu, me rezultate të larta vitin e dytë, kur u përzgjodh për t’i vazhduar studimet në Universitetin “Zhdanov” të ish- Leningradit, për t’u specializuar për dialektologji,ku jepte mësim edhe  Akademikja e njohur ruse, Agnia V.Desnickaja. Por, pas ndërprerjes së marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik,Murati u rikthye në Shqipëri,për t’i vazhduar  studimet në  Fakultetin e Histori-Filologjisë ,për gjuhë dhe letërsi, të cilat i përfundoi në vitin 1963.

Pas mbarimit të  Universitetit me rezultate të larta dhe nga që kishte filluar të shkruante që në moshën 14-vjeçare ,ai u emërua redaktor në gazetën javore të fëmijëve, “Pionieri”. Ndërsa në vitet 1966-1973, punoi me rininë e kulturën, në qytetin “B.Curri”, ku  shkoi të punojë vullnetarisht, bashkë me familjen. Në janar 1974, meqenëse ishte tepër aktiv me shkrimet e tij në shtypin qendror, u rikthye  redaktor në gazetën e përditëshme “Bashkimi”. Pasi shërbeu aty më shumë se shtatë vjet, e caktuan redaktor në Gazetën “Mësuesi”, botim i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Aty shërbeu për 22 vjet radhazi, deri sa doli në pension.  Në vitin 1992 mori gradën “Doktor i shkencave pedagogjike”,ndërsa katër vjet më pas,mori titullin  e lartë“Profesor i asociuar”.

Murati,edhe  pse ka vite  që është larguar fizikisht  nga puna  e përditshme e gazetarit, mendjen dhe  shpirtin  nuk e ka ndarë, për asnjë çast, nga shkrimet publicistike dhe studimore,aq sa ne shokët dhe miqtë e tij të hershëm themi ,si me shaka:”Ku është  lajmi e debati,atje është dhe Murati”.Ai, me përkushtimin dhe pasionin e tij të rrallë, “bëhet sy e vesh”  i ngjarjeve  dhe problematikave të shumta të kohës.Vazhdon të shkruajë e të botojë pa ndërprerë: artikuj, studime, libra…, me një problematikë, sa të gjerë aq dhe të shumëllojshme.

Prof. M.Gecaj shquhet edhe  veprimtar shoqëror. Ka mbi 15 vjet, që është zgjedhur e kryen me pasion detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë, me qendër në Tiranë. Po kështu,ai është anëtar dhe “anëtar-nderi” i mjaft shoqatave  të tjera, të cilat veprojnë brenda e jashtë vendit tonë, siç janë: Shoqata e Shrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë (Suedi), Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia(Amerikë) etj.

Murati është dhe një familjar shembullor. Prandaj librin “Gjurmë, nëpër udhë”, ua kushton: bashkëshortes së nderuar, arsimtares veterane, Katerina Gecaj, e cila e frymëzon dhe e ndihmon me korrekturë teknike, në botimet e tij, por dhe nipit të tij Deivis Agolli, i cili  tani punon dhe jeton në Gjermani.

Për punë të shquar në fushën e arsimit dhe të shtypit, Prof.Murat Gecaj është dekoruar, me Udhëra e Medalje “Naim Frashëri”.Ndërsa, për veprimtari të dendur shoqërore, është nderuar me shumë “Mirënjohje”, të dhëna nga shoqata të ndryshme, që funksionojnë në Shqipëri, Kosovë, Shkup, Suedi, Amerikë etj.

2.

Po, cilat janë disa nga“gjurmët”, që Prof. Murat Gecaj  u lë brezave , për të cilat shkruhet dhe në librin e ri të tij? Ato janë, sa reale, aq dhe metaforike, që i gjen të materializuara jo vetëm  në tërë jetën dhe veprimtarinë e tij të përditshme,por edhe në vlerësimet e larta,që i bëjnë figurës së tij miq, shokë dhe njerëz të njohur të arsimit, letërsisë, kulturës, shkencës dhe artit, të cilët jetojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë, si: Prof.A.Kallulli , Prof.E.Hysa, B.Xhama, V.Kona M.Gjoka, P.Hysi , K.Tarelli , I.Hajdarmataj ,  F.Nikolli , Xh.Mjeku (Prishtinë),  E.Jusufi (Vushtrri-Kosovë), L.Gjosha e R.Shuteriqi(Athinë), R.Moisiu,  (Nju Jork), H.Hasa (Filadelfia), F.Terziu (Londër), U.Kvik (Suedi), Prof.K.Tahiri (Brukesel), V.Koni (Austri) e mjaft të tjerë. Për ata, M.Gecaj është shembulli i njeriut të mirë, të dashur e tepër komunikues dhe i respektueshëm.

Në personalitetin e tij, janë harmonizuar mirë  cilësitë njerëzore, me ato të intelektit krijues, të publicistit e studiuesit shumëplanësh dhe veprimtarit të palodhur shoqëror.  Ne, miqtë, shokët dhe kolegët e tij të hershëm,tek ai gjejmë shembullin e publicistit koherent dhe  të studiuesit  mjaft prodhimtar, vazhduesin e mësuesve dhe pedagogëve të tij, me emër si: E.Çabej, Sh.Demiraj, M.Domi, Z.Sako, B.Dedja, M.Xhaxhiu etj. Siç thekson dhe ai vetë ,në këtë libër, ata me shembullin dhe veprën e tyre  i kanë dhënë frymëzimin, metodologjinë dhe pasionin e tyre të rrallë, për diturinë e shkencën.

Shprehjen konkrente të “gjurmëve” të jetës së Prof.M.Gecaj  e gjejmë të materjalizuar në 17 librat e tij  të botuara , me problematikë të larmishme e shumëplanshe: për publicistikën e pedagogjinë, për gjuhësinë e dialektologjinë, për folklorin e letërsinë. Objekt i përmbajtjes së librave të tij  janë bërë jo vetëm  Shqipëria, por edhe Kosova,Shkupi,Ulqini,Presheva dhe  shumë vende të diasporës, ku jetojnë e punojnë bashkëatdhetarët tanë.

Me krijimtarinë e tij të larmishme, M. Gecaj u përçon brezave: pasionin dhe dashurinë për kulturën dhe diturinë;gazetarisë, profesionalizmin dhe përkushtimin; ndërsa shoqërisë, ëndrrën,shpresën, optimizmin dhe gatishmrinë për t’i shërbyer asaj me devotshmëri.

…Në pamundësi  ,që në këto shënime të shkurtëra të  përmendim të gjitha vlerësimet e bëra për Muratin në këtë libër sa autobiografik ,aq dhe monografik, së fundi po e mbyllim me vargjet domethënëse të shkrimtarit, publicistit dhe “Mësuesit të Merituar” Bardhyl Xhama: “Murat Gecaj, nga Tropoja,/ burim fjala e mjaltë goja!”

 

Nga: Sejdo Harka      

Tiranë, korrik 2018

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s