Poezi nga Adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

ZËRI I NGJIRUR I KËNDESIT

Njerëzit thonë se ëndrrat
Janë pjesët më delikate të jetës
Ngjajnë me shiritat e uzinave
Transportojnë të gjitha llojet e maktheve

Netëve të vona kur na lodh gjumi
Vijnë ngadalë si frika
Ose kthehen të ngarkuara me dëshpërime
Herë na paraqitet e kaluara

E herë në disa raste na zgërdheshet
E ardhmja
Prej një ëndrre të çastit
I ngrehim ose i shembim kullat e hekurta

Përherë në kokat e njerëzve
Si në një shirit celuloidi
Regjistrohen tërmetet shpirtërore
Të ëndrrave të veshura dhe të zhveshura

Në mëngjes herët kur na zgjon
Zëri i ngjirur i këndesit
Mes çarçafëve dhe jastëkëve të palara
Me xhelozi i fshehim të brendshmet e natës.

 

ECTE KRENAR SI MALET

Kur vdiq im at
Më duket se 
Atë ditë varrosëm një lis

Më kujtohen hapat e tij
Ecte si mali
Me shikim prej shqiponje
Ja shtinte dridhmat bashkëbiseduesit

I tillë ishte plaku im
Edhe njëherë kam shkruar
Se më shumë se fëmijët
E donte kondakun e dyfekut

Sa herë që përmallohej
Për fshatin e lindjes
Si foshnjën e ledhatonte
Pushkën e babagjyshit

Edhe në kohërat më të liga
Ai burrë shtathedhur
Asnjëherë nuk u përkul
As mikut e jo më armikut

I ngjante rrapeve të atdheut
Ecte krenar si malet
Kur kollitej
Binin në tokë e shkriftë
Gjethet e verdha të bjeshkës.

 

QË TË NGJIZËM ME JARGAVANIN

Asnjëherë në jetë nuk kuptova
Se sa kohë prita
Që të mbërri në pranverë
Kaluan vite e vite derisa erdha këtu
Ndoshta edhe njëmijë vjet
Mu deshën
Që të ngjizëm me jargavanin

Ishte krejt rastësisht kur u pamë
Dita atë çast
Pjalmonte behar
Unë me një grusht letrash
Në dorë kaloja
Nëpër shpirtin e korridorit
Kur papritmas si peri më dole parasysh

Më humbi mendja
Më humbën edhe letrat
Humba çdo gjë
Që pata deri atë ditë
Vetëm ti kaq madhërishëm
Munde të ankorohesh në qenien time
Dhe sot jam duke llamburitur
Nëpër dallgët e kristalta të jetës.

 

SOT KALON RRUGËVE TË DHEMBJES

Mbrëmë e kishin zënë ngushtë
Deshën të ja vjelin mendimet
Asnjë dritare në dhomë s’kishte mbetur
Si mund të arratisej
Nga ky shkretim i tmerrit

E mësuan ujqërit
E çfarë nuk i thanë cerberët
Derisa shtrydhën nga ashti njerëzor
Pikën e fundit të palcës
Që sot mos të ngjajë më njeriut

Nuk po i kujtohet më
Athua vallë ishte mes njerëzve
Ose i dukej se e luante
Një lojë të vjetër të ujqërve
Por gjithsesi ishte një pjesë e trishtuar

Sot kalon rrugëve të dhembjes
Si një rreth gjysmë i lakuar
Ndoshta nesër ah nesër
Pret diku në ndonjë qoshe të vdektë
Mbase do përfundoj pa nam e nishan.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s