Poezi nga Erjon Muça

Poezi nga Erjon Muça

 

PRANVERË

Është e çuditshme pranvera,
cinike, diktatore.
Përballë me pamëshirshmëri
të gjelbrën noprane të bredhave,
me brishtaken e blirtë…

Vë në provë jeshilen e akceve,
e fsheh për pak mes bardhësisë,
virgjërore derdhet deri në tokë.
Me flladin që akoma s’ka marrë ngrohtësi,
plepit plak i lëkund thinjat mbi kokë…

 

SHENJAT

Kërkojmë një, ose më shumë sinjale,
i gjejmë me çdo kusht ato,
nga era e re, përvijueshëm tek
era e vjetër; sinjale gdhendur në gur
në kocka, në pergamenë a papirus,
deri tek më e rëndomta, letër…

Sinjale me valë radio marrë dhe lëshuar,
në materien e zezë, nga dhe
në më të errëtat skuta të universit;
sinjale plot domethënie nga thellësia e tokës,
drejtimi i erës, nga kënga e parë e gjelit
të natës, tek kuisja e qenve,
mjaullima e maces, çelja e parakohshme,
e lules së parë të pranverës…

Sinjale hyjnore, lëshuar kuturu
nga Shënmëritë e mbjella nëpër botë;
fretër që luten me lot gjaku.
Sinjalet e Allahut mbi lëkura qengjash;
çjerrjet e imamëve.
Mbeturina kozmike përplasur me atmosferë,
sinjale të djegura dëshirash…

Sinjale yjesh me fatin kyçur,
kiromantë të njerëzishëm me veshë
vështrojnë në hapësirën e vdekur!
Sinjale fatesh të çrobëruar
nga llumi i një filxhani kafeje…

Ne kërkojmë sinjale, pa to
as nuk flasim, e me t’i përthithur,
në histeri çirremi, shahemi,
kafshohemi, vritemi dhe vrasim…

I kërkojmë sinjalet me kandil
mes territ se në dritë ato s’kanë vlerë
e kuptim, jemi raca supreme,
e evoluara, e zgjedhura, e krijuara
sipas shëmbëlltyrës së Hyjit;
sinjale trombësh engjëllore,
çlirim dhe ndëshkim…

Nuk i lexojmë agimet dhe perëndimet
e pa prajshme, minutat që fluturojnë
në krahët e orëve të shënuara në meridianë.
Thinjat e para që njollosin kokën,
të parën rrudhë mbi ballë…

E pas tyre vjen vdekja!

Sa çudi! Si nuk dha as edhe një shenjë…?!

 

NË SHTJELLË TË ËNDRRAVE

Tashmë ka ca kohë
që frikësohem kur mbrëmja
mbi gjithçka na rrethon,
tiranike si prej plumbi
bie.
Më tmerron kujtimi i ëndrrave
të netëve të shkuara,
që më rrethojnë gjatë ditës
si të ishin hije të dehura.

Janë ëndrra të frikshme,
jo makthe mbytëse
që nga gjumi
djersë të zgjojnë.
Këto të mbajnë lidhur dhe më pas,
pamëshirshmërisht
gjatë të gjithë natës të torturojnë.

S’ka më ëndrra naive
përgjatë netëve që më përkasin,
ëndrra që i ngjasojnë një zhveshje
më tepër anuese nga sensualiteti,
se sa nga erosi.
Tashmë ato janë kthyer në krijesa,
të dhunshme
kapërthen pa ndalesë gjatë natës,
në më të përgjakshmet
sfilitëse orgji…

Kanë marrë shëmbëlltyrën reale,
ëndrrat që më vizitojnë
netëve të plakjes sime mjerane.
Njëlloj si përbindëshi që rritet
nën rrudhat e brazëta, larg çdo shëmbëlltyre
shenjtorësh me plakje prej perëndie,
shtazore…

Vdesin njerëzit dhe ne i varrosim
në dhé, ose në zjarr i djegim,
ndërsa ëndrrat i lëshojmë,
mes stuhisë së fatit të tyre.
Nuk mund të llogaritet koha
që a kaluar, nga ëndrra e
humanit të parë, e tashmë
kushedi se sa janë shtuar?
Ndoshta çiftuar…!

Ndoshta gaboj, por jam i bindur!
Vizionet që netëve më tmerrojnë,
nuk janë vetëm ëndrrat e mia.
Kushedi se çfarë bastardësh krijesa
lozin valle të çmendur, kur shqisat
m’i kaplon qetësia.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s