
Poezi nga Fejzi Murati
RREBESH SHPIRTËROR
I shpëtova rrebeshit të këtij shiu te lodhshëm,
po nuk shpëtova dot nga lotët pas ndarjes prej teje,
iu shmanga ngricave të egra të dimrit
po ngricën e mungesës tënde e ndjej thellë ndër deje…
Iu shmanga dhimbjeve që ndesha në jetë,
por pamëshirshëm më vrau plumbi i largimit…
Jam pushtuar nga pesimizmi i hidhur i ndarjes,
si qiell i egërsuar gjatë netëve te dimrit.
GJETHET NË VJESHTË
Bien një nga një
duke u dridhur nga dhimbja
për jetën që lenë!
Të verdha,
të vyshkura,
pa gjak,
pa jetë,
pa shpresë,
nën tingujt e një vaji të rëndë!
Ikin të heshtura,
pa zë
tokës së lodhur
shtrirë,
për t’u nëpërkëmbur nga era,
për t’u pështyrë nga shiu,
për t’u shkelur pa mëshirë!
ENIGMË
Herë më futesh në gji si një ëndërr,
herë më ikën larg gjithë krenari,
herë më tretesh në shpirt si një këngë
her-herë më trajton si fëmi.
Ç’farë do nga unë, nuk e di!
Shpesh më bëhesh valëdeti e kaltër
ku zhytem i hutuar gjithë frikë,
herë notoj mbi gjinjtë e tu të bukur
dhe nga sytë e tu marr jete e dritë .
Veç përherë mes tyre rri me frikë!
Amazonë më bëhesh herë të tjera
shigjetat në zemër m’i drejton,
duke qeshur shpesh më mbyt me puthje
dhe me gjirin tënd më mëkon!
Kurrrë nuk e mësova ç’më kërkon!