Dy Peshkatarë / Tregim nga FATMIR MINGULI

Tregim nga FATMIR MINGULI

 

Dy Peshkatarë

Është ora pesë e mëngjesit dhe ndodhem në tavernën “LLaqi” buzë detit, diku në plazhin e Durrësit. Kafen e parë, javë më parë e pija vetëm por në mënyrë si të pakuptueshme sot e pi me dy peshkatarë durrsakë “denbabaden”, në se përdor zhargonin e jo durrsakëve të ardhur mbas viteve të kataraktit 1990. Asgjë interesante nuk ka për të treguar se si e pi kafen çdo ditë me këta dy njerëz të mirë për të cilët pronari i tavernës ka opinionet e veta.”Janë të mirë shejtanët, po ç’e do, pinë shumë. Edhe ato lekë që fitojnë nga peshku, të gjitha këtu i lënë, ja këtu nën hijen e kashtës të tavernës time…”Tek i thotë këto fjalë, i fut një buzëqeshje të lehtë, por që i del nga shpirti, e vazhdon punën me klientët e shumtë.

Xhorxhi dhe Gjergji, dy emra të njëjtë por të shqiptuar ndryshe kanë qenë mjeshtër të mekanikës në Durrës, por këto vitet e tranzicionit e ndanë mendjen të bëhen peshkatarë. Dhe u bënë vërtetë, mjeshtër a në zënien e peshkut, por secili i specializuar në artificial e gjuetisë. Njëri me flokë të gjata e fytyrënxirë e i pa lëvizur si një përmendore e tjetri kokëqethur e lëvizës si një levrek i gjirit të Durrësit. Asnjëherë nuk i kam pyetur se si e kalojnë ditën, asnjëherë nuk i kam pyetur se si i shkon biznesi, por çdo gjë që kam mësuar për ta vjen nga muhabetet gjatë kohës të pirjes së kafesë së mëngjesit.

Pasioni i tyre për peshkimin dhe natyrisht për detin është pothuaj një blasfemi. Nuk mund ti ndërhy në asnjë çast në bisedat për punën e tyre, jo se nuk dua ti bezdis por se nuk ja kuptoj fare muhabetin. Ata flasin me simbole, me shenja që më sjellin ndërmend personazhe të mitologjisë ilire për detin e ku di unë se me kë tjetër ti krahasoj.

Por jo çdo mëngjes është i ngjashëm me një tjetër. Gafa ime e parë ndodhi kur unë po i flisja për tregimin e Heminguejit të madh “Plaku dhe deti”. Krejtësisht i pafajshëm për sa u flisja për këtë tregim që unë e kam shumë për zemër, e duke menduar se ata nuk e kanë lexuar, ose të paktën kanë parë filmin, prisja që ata të ngazëlleheshin e të më shihnin në bebëz të syrit, por ndodhi e kundërta. Ata ulën kokën e më thanë ftohtë se e kanë lexuar tregimin dhe filmin e kishin parë në dy variantet e se ai i fundit me Antonio Kuin i pëlqente më tepër. Kokën e ula dhe unë dhe situata e nderë u prish nga gazetashitësi me të cilin isha i abonuar. Vetëm se unë mbeta i habitur nga heshtja e papritur e tyre, por nuk e zgjata më shumë.

Mëngjesi tjetër pritej të ish i ftohtë për nga atmosfera e bisedave e kafja do më dukej krejt e hidhur por flokëgjati nxori nga çanta ca kokrra fiq të bahçes së tij dhe duke i vënë në mes të tavolinës tha me një zë serioz:

– Na bëfshin mirë! – dhe buzëqeshi duke parë me bisht të syrit herë nga unë dhe herë nga ortaku i tij.

Natyrshëm, unë u ngroha shpirtërisht dhe ai mëngjes shkoi mirë fare, sikur të mos kish ndodhur ajo që ndodhi një ditë më parë. Mbasi fiqtë i hëngrëm, kafja na u duk shumë më e mirë.

Erdhi një ditë që peshkatarët më hapën muhabetin e tregimit të Heminguejt për plakun dhe detin. Herë njëri e herë tjetri tregonin se sa i saktë ka qenë Heminguej, se sa bukur e ka përshkruar stërmundimin e plakut, se sa dhimbje ndjenin ata të dy kur kujtonin skeletin e peshkut stërmadh, sulmet e peshkaqenëve etj, etj. Çuditërisht ishin plot emocion tek tregonin psikikën e plakut në luftë me peshkaqenët. Po kështu me ngazëllim thoshin se edhe atyre kështu u ndodh por jo me peshkaqenë. Tmerri i tyre janë gaforret që u a copëtojnë rrjetat e gjata, se sa mërziteshin kur dilnin pa kapur asnjë peshk jo për faj të tyre por prej atyre këmbëmbrapshtave!

Ngadalë edhe unë hyja në botën e tyre dhe kuptoja çdo mëngjes e më shumë se si ata e kishin zbërthyer çdo sulm peshkaqenësh të Heminguejt me gaforret e sotme.

– Janë si ata fajdexhinjtë, si ata që nuk të lënë të fitosh mundin e djersës tënde, si ata parazitët e shoqërisë që vetë nuk punojnë e kërkojnë pjesë nga njerëzit e punës. – ankohej gjithë tërsëllimë njeri nga Gjergjat.

– Mbase e kanë hak atë verë që pinë pas pune — i thosha pronarit të tavernës, natyrisht kur ata të dy nuk ishin.

Peshkimi i tyre tashmë ishte kthyer proverbial, sepse gjithçka ndodhte para gjirit të vogël ku ishte dhe taverna. Për ta ajo ishte dhe shtëpia e dytë e tyre dhe klientët e përhershëm gëzoheshin kur ata vinin me rrjeta plot e hidhëroheshin kur vinin kokulur me rrjeta të copëtuara.

Dy peshkatarët shpesh më befasojnë me njohuritë e shumta për letërsinë. Kanë lexuar shumë klasikë të mëdhenj e më kërkonin ti tregoja diçka nga jeta e Heminguejt, pavarësisht se ata dinin më shumë se unë për jetën e tij në brigjet e Havanës, për tavernën ku sot ndodhet statuja e tij prej bronzi duke pirë uiski mbi banak e shumë gjëra të tjera.

Përsëri është pesë e mëngjesit. Dy Gjergjat peshkatarë nuk kanë ardhur ende. Pronari i tavernës më thotë se mbrëmë kanë punuar shumë. Duke pirë kafen mendoja përsëri jo vetëm për ata të dy por për shumë e shumë njerëz të tjerë që punojnë, lodhen e jo përditë u ecën mbarë. Sidoqoftë Heminguej që nuk na ndahej nëpër biseda më thoshte nga faqet e një libri të tij:

– Mos u rropat të krijosh personazhe, ata i ke përpara teje.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s