Epigrame nga Iliaz BOBAJ
PARADA E ASKUSHËVE
Librin e shkroi një ASKUSH.
E ngriti në qiell një ASKUSH.
As librin, as kritikën,
nuk i lexoi ASKUSH.
Librit i dhanë çmim të parë ca ASKUSHË.
E VËRTETA E KOHËS SONË
Të vërtetën e kohës sonë,
e sheh, e kupton gjithkush:
mjerimi bëhet përditë më mjerim,
luksi bëhet përditë më luks.
Dhe turpi bëhet përditë më turp.
NJERIU I MIRË
Thonë se i miri nuk ka të mirë,
e gjen e keqja në mes të ditës.
E si të mos e pësojë i miri njeri,
kur gjithandej e rrethojnë si dhelpra hipokritët ?
REKLAMA E YLBERIT
Po e tund fb- në Ylberi,
gjithë vitin me një fletë nderi…
BURRI DHE GRUAJA
Burri thosh: – Jam burrë !
Dhe krekosej duke dredhur mustaqet përpjetë.
Gruaja thosh: – Mjerë unë për këtë burrë !
Ta vësh para, nuk di ku të shkojë,
ta lësh pas, nuk di të të ndjekë !
RRITËSI I KËLYSHËVE
E pyetën: – Pse i rrit këta këlyshë zagarë,
mendon se do të të shërbejnë ndonjëherë ?
Ai nëpër dhëmbë përshpëriti ca fjalë:
– S’kuptojnë gjë prej gjëje të mjerët.
Unë nuk i dua të më shërbejnë mua,
i dua të bezdisin të tjerët.
ENIGMA
Dhe pse shtrydh mendjen ditë e natë,
s’e kuptoj kurrsesi mendimin e mjeranëve:
sa më tepër bien në batak të varfërisë,
aq më tepër zvarriten pas politikanëve…
DASHURI NË FACEBOOK
U dashuruan në facebook me vështrimin e parë.
I shkroi ai: – Jam djali i vogël i Idrizit.
I shkroi ajo: – Jam vajza e vogël e Shpresës.
(Ai kish vënë fotografinë e nipit,
ajo kish vënë fotografinë e mbesës).