NDREKË LUCA DHE DRAMA PAQE E PËRGJAKUR / Nga: Prof. Sadik Bejko

NDREKË LUCA DHE DRAMA PAQE E PËRGJAKUR

Për aktorin Ndrekë Luca, (1927-1995) “Artist i Popullit”, kam shumë për të thënë. Me atë jam njohur drejtpërsëdrejti në Gjirokastër, më 1987. Ndreka hyri me shumë nxitim në jetën time, hyri ballaz dhe fare papritmas. Mendoj se kjo ishte natyra e tij. Kur diçka i duhej, ai pa shumë prita apo lakadredhje, i sulej asaj gjëje fluturimthi dhe nuk ndalej sa ta merrte.
Ishite viti 1987, 75 vjetori i Pavarësisë. Punoja si libretist i teatrit në Gjirokastër. Gjatë verës së atij viti shkrova një dramë dhe e futa në teatër për sezonin e vjeshtës. Drama u bënte jehonë viteve në prag të Pavarësisë. Ngjarjet vendoseshin në Veriun e Shqipërisë. Nga drejtuesit e teatrit u mendua që Ndrekë Luca mund të ishte aktori i rolit kryesor të kësaj drame. U bënë bisedat për ta sjellë Ndrekën me shërbim në Gjirokastër. Iu dërgua teksti i dramës. Ai pranoi. Ngjarja shkoi, për të thënë “po-në’ përfundimtare, deri te drejtuesit kryesorë të partisë dhe të pushtetit në rreth. U pranua. Ndreka ishte njeri i futur dhe, sapo erdhi, i takoi ata dhe që të gjitha figurat kryesore të jetës së qytetit.
Teatri filloi nga puna dhe mua m’u hoq një barrë nga supet. Libretitsti është si furnitori: unë e kisha furnizuar ‘ndërmarrjen’ me ushqim. Mulliri po bluante. Tani mund t’i jepja vetes pak pushim.
Por nuk qe e thënë.
Një mbasdite vonë Ndreka më troket te dera e shtëpisë. Nuk njiheshim fare. Dhe që kish ardhur në teatër, i kisha qendruar disi larg. Habia ishte se ai po kërkonte mbështetjen time si libretist dhe si autor i dramës. Donte që t’i dilja krah në atë që kish ndër mend të bënte. Dramën e kishte lexuar, kish vërejtje të ndreqshme, por nuk kishte ardhur te unë për të më dhënë vërejtjet për tekstin a rolin e tij, si roli kryesor i pjesës. Kishte biseduar veçan me disa nga aktorët dhe kish marrë miratimin e tyre. Halli ishte se nuk ia mbushte syrin regjisori i teatrit. Dhe donte që regjisori i shfaqjes të ishte ai, Ndrek Luca. Po përmbyste platformën e shfaqjes, punën e bërë, ndarjen e roleve…të gjitha.
E mbështeta, për sa më takonte mua: si autor më pëlqente që regjisor dhe aktor kryesor të ishte Ndrekë Luca. Ishte fat për çdo autor. Për të tjerat, kishte punë me teatrin, me shefat deri me të mëdhenjtë e rrethit që e kishin miratuar ardhjen e tij në teatrin e Gjirokastrës.
Për çudi – unë nuk e besova – Ndreka ia arriti që të jetë regjisori dhe aktori kryesor i dramës.
Për disa muaj mori në duart e tij teatrin, Mua më donte pranë se u pëlqyem në muhabet dhe se në ecje e sipër gjatë punës që bëjnë aktorët në tavolinë, delnin vërejtje për dialogun a për skena që mund të detajoheshin më mirë apo të shkurtoheshin.
Vënia në skenë e dramës u shty deri në muajt e parë të vitit 1988. Ndreka ishte një karakter shpërthyes dhe të merrte para si një lumë me dallgë. Aktorët i kishte bërë me krahë. Teatri, vënia në skenë e një drame, do dashuri, përkushtim, është një makineri e rëndë në veprim. Mjedisi, klima në teatër ishte e përçarë. Me Ndrekën, kundra Ndrekës… Nga të pakënaqurit shkruheshin letra fshehtas. Letra në Komitet, në Ministri, në….. Personaliteti i fortë prej dukagjinsi i Ndrekës i theu të gjitha pengesat dhe shfaqja u realizua.
Dhe ajo po ndiqej për natë nga publiku.
Ndrekë Luca i dha sukses teatrit të Gjirokastrës me vënien në skenë të dramës “Paqe e përgjakur”. Në shtypin e kohës, në gazetat ‘Zëri i Populit’, në ‘Zërin e rinisë’ kjo ngjarje u paqyrua…. nga vlera e shfaqjes, dhe sigurisht nga emri i Ndrekës, Artist i Popullit.
Drama u shfaq mbi 20 herë në Gjirokastër, pastaj dhe në Tiranë, në skenën e Teatrit Popullor. Në shfaqjen e parë në Teatrin Popullor erdhi Foto Çami, sekretar i Komitetit Qendror të Partisë. Ministria e Kulturës na pa me sy pak shtrëmbër. Nuk i vumë rëndësi.
Ndreka si cdo artist i shquar kishte adhuruesit, të dashurit, por edhe të padashurit, deri kundërshtarët e tij.
Ne ishim lart në qiell se na u dha leja të jepnim shfaqje në teatrin ‘Migjeni’ Shkodër. Ndreka fliste dhe për një turne në shumë rrethe të Veriut. Ai gëzohej që po na ecte. Na pritën personalitetet politike të rrethit Shkodër. Dukagjinsi Ndreka aty ishte si në shtëpinë e vet.
Por…. papritur “me urdhër nga lart” u ndërpre dhënia e shfaqjeve. Pak si me erë e me thëllim po mbaronte dhe ‘mblesëria’ e teatrit të Gjirokastrës me Ndrekë Lucën. Atij iu tha prerë se shfaqja do të pezullohej deri në një urdhër të dytë. Nuk kishte më punë në Gjirokastër.
Regjisori Ndrek Luca e kish dubluar rolin e tij qe shfaqja te jepej edhe pa.ate.
Por drama kaq e pat, u ndalua, nuk u shfaq më. Kurrë.
U kthyem në Gjirokastër. Atje, në vend që të na lavdëronin, na prisnin mbledhje, linçime, ndëshkime. Ne ’ndrekistët’ u shpallëm të padëshiruar. Kishim shkelur etikën. Kishim mbështetur Ndrekën, duke iu kundërvënë regjisorit të teatrit, të emëruarit zyrtarisht. Mbledhjet ishin pak të gjata, të egra në fjalë dhe vazhduan disa dite. Kishte hidhtësi, tundje këmbësh e kërcëllimë dhëmbësh, që të trëmbnin. Flitej për heqje nga puna, për dërgime në prodhim…Mbledhje dhe në sallën e Komitetit të Partisë së rrethit në prani të Sekretarit të Parë. Aty m’u drodhën gjunjët. Një aktor i ri, I. Lluri, më dha mësime se si ta kontrolloj (si aktorët në rol) frymëmarrjen e ankthët.
Çfarë po ndodhte? Çfarë kishim bërë? Ndrekën, siç e sollën, po me një urdhër e larguan. Pse duhet të ishim përgjegjës ne që ndenjëm afër të tij, kur po punonim për dramën? Shefat mund ta ndërprisnin bashkëpunimin me Ndrekën në se nuk do t’i pranonin kushtet e tij. Pse nuk e ndërprenë? Pra, etikën e kishim thyer bashkë me shefat.
Arsyet ishin të tjera dhe kurrë nuk u thanë hapur. Një aktor pas një mbledhjeje dërrmuese tha: ” Ore, kjo drama kot e kishte me Pavarësinë. Ajo flitka për kohën e sotme. “Po…kjo ishte looooja”, do të ishte përgjigjur Ndrekë Luca.
Drama ‘lart’ nuk ishte pëlqyer për mesazhet që përcillte: një ’paqe e përgjakur’ me vrasje dhe me njerëz të uritur, asaj kohe nuk i përshtateshin (siç!) .
.
Mua më zbuan nga teatri. Por monizmit atëherë, më 1988, po i binin dhembët. Me ndërhyjen e miqve të mi, pas një muaji më rikthyen në arsim. Shumë aktorë të teatrit, të rinjtë në moshë e profesion, morën vërejtje, heqje nga pozicioni i mëparshëm. Nuk dua të përmend emra, as të të ndëshkuarve, as të atyre që na hidheshin në fyt ne fajtorëve.
Flamur Çani, kryetari i atëhershëm i rrethit Gjjiokastër. në kujtimet e tij (vëllimi i tretë) ka shkruar emrin e një regjisori gjirokastrit, i cili me lot sy i kishte kërkuar që mua, libretistin e teatrit, të më burgosnin.
Veç shtetit, dhe ne artisët ia kemi nxjerrë sytë njëri-tjetrit.
Pas rreth një viti e gjysmë ngjarjet në botë po rrokulliseshin me shpejtësi… Më pas edhe tek ne në Shqipëri…. erdhi demokracia
Mbeta me një respekt të pafund për Ndrekën… Në ato pak muaj u bëmë miq….U njohëm dhe familjarisht. Ai ishte një njeri i veçantë, një antikomunist i bindur. Që atëherë fliste “kundra”, por fliste për njerëz që të dridhej buza po t’i përflisje, apo t’i mallkoje ashtu si shkumëzonte e gjëmonte Ndreka kundër tyre….

 

Nga: Prof. Sadik Bejko

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s