Poezi nga Bilall Maliqi
BORXHLIUT
Po se lave borxhin
Ia hapë korsinë nëmëve
Ato do të zënë kahdo
E kudo…
Po se lave borxhin
Lapsi i mëkateve do të shkruaj
Temporeve të mallkimit
Po se lave borxhin
Ëndrra do të shëtisë
Skenave të errëta të trishtimit..;
COPË(ZA) MALLI
Ku e la atë copë mall
Që ta kthente kokën kah unë
Apo të mërgoi larg
Pas shtatë kodrave të harrimit
Kush ta vodhi buzëqeshjen
Tek derdhej në sytë e mi
E mua më verboi
Në cilën palë të kujtesës
E fshehe zërin e ëmbël
Që (dikur) shkrihej në thirrje
Vallë ku u tretën
Ato ofshama të shpeshtuara
Dalur nga e shpirtit thellësi
Si të vrapuesit shtigjeve të hapura
Si e shndërrove portretin në hije
Para piktorit plak
Majen e brushës ia ngjyrose me habinë
Ku e fshehe shikimin
Që s’të pa as hëna n’lartësi
E u fute brenda krihëve të ëndrrës
Deri në lindjen e agimit të kuqërremtë.
NJË GLLËNJKË VERË
Një gllënjkë verë rrjedh
Udhëve të trupit (tim) të etur
Kohën e idhtësisë
Lava me derdhje pikash
Në gropëzën e fytit të tharë
Sytë kudo shkrepën gjethe
Me kalaveshë rrushi si rruzare
Në pasqyrë të kodrinës
Krihen shpresat
Për cakërrime gotash…
PËRBALLË TË ZIUT
Po ia lëshove udhën të ziut
T’i mbyllë të gjitha korsitë
Çelësin po ia dha
Të burgos në qeli të harrimit
Po ia dorëzove garën
Emrat e hijeve tërbohen
Flamuri e humb valvitjen
Sorrëshkina merr krahë
Po i dole përballë
Do të ulet në bisht të humbjes.