Poezi nga Petraq Risto

Poezi nga Petraq Risto

 

Kujdes kur mbyll sytë…

Kujdes kur mbyll sytë në çastin e puthjes
Lëre të zbresë zogu i dashurisë
Të cicërijë mes buzëve.

Kujdes kur mbyll sytë në çastin e puthjes
Na trulloset qielli në retinë
Dhe Erosi me shigjeta harrohet udhëve
E gabimisht shigjeta godet qershinë.

E pastaj, pastaj na dashurohet Qershia
Çel lulet rozë e thotë: jam nuse
Kujdes kur të mbyllësh sytë në çastin e puthjes…

Kujdes kur të mbyllësh sytë në çastin e puthjes
Mbylli lehtë, shumë lehtë
Sepse zemra ime është ngjitur drejt tyre
Në shtratin e syve të dremisë pak e qetë.

 

Avioni – klub

Kam parë një avion të kthyer në klub: nga malli qiellor elikat oksidoheshin
zhurma e ekspresit të kafesë: psherëtimë brenge e pafund,
një qeshje ironike në qoshe të aeroportit.
Deheshin pilotët veteranë me këmbë e duar ortopedikë,
mburreshin pilotët e rinj të avionëve spiunë
Avioni – klub si një eunuk në oborret e kalifëve
të dashurojë qiellin më nuk mund.
Kam parë një avion të kthyer në klub
shkëlqente si barku i një peshku të vrarë nga dinamiti.
Qielli mbi të hidhte shi me turp
elikat nga një mall i verbër – ndryshkeshin.

 

Varrmihësi veçmas Shekspirit:

Kafka e Jorikut: tragjedi me shtatë orë (Kurdiset në fillim të çdo skene).
I lodhur jam dhe unë: paqe e sapofirmosur nga dora e armikut
Paqe me furtunë. (Të gjitha paqet kthehen në skelete).

Kjo varrezë: dorashkë duelesh e harruar nën qiell
Veç krimbat më japin të njohur, s’më quajnë personazh.
Varros kufoma, zhvarros skelete: ushtarë e mbretër – të njëjtin imazh.

Mbretërit peshojnë pak ngaqë varrosen pa kurorën…
Si shenjë u mbetet gjak në skeletin e dorës.

Varrosa Pollonin, rëndonte shumë (mbase nga dhembja e Ofelisë)
Varrosa Mbretin Lir me zemërimin – shkrumb të pasurisë…
(në varr gabimisht kisha mbyllur dhe një qiell stuhish)

Mbulova Zhuljetën pas një loje me helmin
Dhe Romeon e lidhur me dashurinë si syri me lotin
Me dhé të ftohtë mbulova bijtë dhe etërit
(Vdekjet kanë forma të ndryshme, të njëjtën formë ka arkivoli)

Skeletet e të vdekurve me fill marionetash cinizmi i lëviz…
Eshtra personazhesh që mishin e mposhtin…

Mbretërit peshojnë pak: pa kurorë e pa skeptër… i varrosim.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s