Poezi nga Sokrat Habilaj

Poezi nga Sokrat Habilaj

 

NJË GRUA

Mund ta duash një grua veç një çast,
E të ikësh prej saj, pa u shuar malli.
Po vite më vonë të bësh me të pakt,
Të të shfaqet përball, si e pe së pari.

Në fund të jetës të të vij dhe njëherë,
Me po atë kurm dhe me po ato linja.
E t’i flasësh kot, si ca burrat të tjerë,
Të braktisa, që të të kujtoja pa thinja.

Të braktisa se doja të të ruaja si ishe,
Ndërsa atë që ke pranë shikon në sy.
Një grua mund ta duash dhe ndryshe,
Tani më thuaj:- Po ty, si të desha ty!?

 

SHKRUAR NË KOHË TË NDRYSHME

Paska qenë burrë i trishtë im atë,
Shtatë herë, shtëpinë e ka ngritur.
Shtatë herë, ka shtuar nga një kat,
Shtatë herë, prapë e ka prishur!

Shtatë herë iu gremisën tërë vitet,
Shtatë herë e ka gjakosur buzën.
Shtatë herë, gulç iu kthyen ikjet,
Shtatë herë s’deshi ta shoh udhën.

Shtatë herë u deh veç me një teke,
Shtatë herë ka thënë-Në djall truri!
Shtatë herë, u ngashërye për vete,
Shtatë herë i është turpëruar burri.

Shtatë herë si gur, ngriu në portë,
Shtatë herë lutje:-Do ju pres gjatë?!
Shtatë herë nuk foli, si flas unë sot,
Biri im,paska qenë i trishtë im atë!

 

DJE

Ca gjera mund t’i lija edhe për nesër,
Po ku i dihet, nesër nuk jam ndoshta.
Duhet të flas sonte për mallin e vjetër,
Se ty të desha, ndryshe nga tërë bota.

S’prita të më bëje ndonjë ledh, a ojnë
Ashtu si bëjnë në mallin e parë, gratë.
As prita të gjeja një grua si xixëllonjë,
Që jepet sikur vdesë, e ikën nëpër natë.

Nëse do të doja njëzetë, a njëqind vite,
Si ata që firmat e tyre i hedhin përbri.
Ndoshta do ta dridhja , kur të mos ishe,
Po njëqind vite më pas, çdo të bëje ti?

Dhe nëse do të doja, thjesht si një rit,
Ja ashtu, “…derisa vdekja të na ndajë”.
Bashkë me mua do vdisnin dashuritë,
Kur të shtrihesha i vetëm në një pllajë.

Si të rri deri nesër sa të bëhet mëngjes,
Të them se të zgjodha dhe për nën dhè?
Nata është kurth, e mund të iki si vesë,
Mos u trishto! Këto i kam shkruar dje.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s