Poezi nga Vaso Papaj

Poezi nga Vaso Papaj

 

Një tjetër diell

Mëngjeseve e shoh, sa meken dritat e neonit,
Kur asnjë bar i vetëm qepenët s’i ka ngritur.
Makina e plehrave zhurmon me zërin e demonit,
Spërkat asfaltin boti, me copa jete ngjitur.

Ndërkohë pasqyra e detit thith agun gjithandej
E kris i vetmi jaht, përtej nga Kallmi shkon.
Po hënën, poçe qumështi, endè në qiell e gjej,
Qyteti të fundit orë të gjumit po provon.

Dhe ja, aty tek plehrat, i njejti burrë me zhele
Ca pantallona zhubra të lidhur me ushkur,
Kokës një varkë prej letre të ngjeshur si kapele,
Sajuar me gazetë, si ne fëmijë dikur.

Një bluzë e Juves djersur, në trup i kishte ngjitur,
Ish bluza e zakonshme: me vija bardhë e zi.
Në shpinë Del Piero, dhjeta, shikova i habitur,
Veçse tani e bardha ish kthyer krejt në gri.

Afrohem trotuarit, kërkoj ta përshëndes,
Përkulet në kazan dhe plehrat nis trazon.
E njoh atë shumë mirë, dikur flisnim sërbes,
Po sot nuk di nga vjen, nuk di as ku po shkon.

Nuk do t’i flas njeriu, as mua që më njeh,
As llambave neon, maçokëve që rrëmojnë.
Po vjen agimi befas, fantazmat, fap, i fsheh,
Kanaçet brenda thasëve, më therin e më shpojnë.

Po zgjohet pak nga pak qyteti im i vjetër,
Mënjanë ka mbetur hëna, surpriza ime e zbehtë.
Do të doja këtë mëngjes të lindte një diell tjetër,
Se hëna po çgjyroset, pas pak do të zhduket krejt.

E hapet një dritare, e dy, e pesë, e gjashtë.
Nga drita e bardhë zbuloj, mbi det diçka rrëshket.
Një varkë prej letre është, kapelja e kthyer mbrapsht,
Më kot kërkon të zotin, i zoti më s’do të jetë.

Largohet bregut varka, po vallë kush do t’ia dijë,
Nëse një burrë me zhele mëngjesi kish rrëmbyer?!
Ëndrrës se vagëlluar i tha një lamtumirë,
Ashtu dhe dashurisë, që shpinën ia kish kthyer.

 

Rrofsh, Durrës!*

I pashë turistët.
Zbritën tek porta e kalasë,
mes vapës në shkallinat e amfiteatrit antik,
atje ku luftohej dikur.
Në vëndin nga vinin ata,
atëherë nuk kish asnjë burrë.
S’ e di nëse duhet të kem turp apo të krenohem,
por gjithsesi,
me korin e durresakëve të mi do të bashkohem
dhe do të thërras: Rrofsh Durrës!

Do të vazhdoj të shijoj peshkun tek Liali në Currila,
Të pi raki me qofte, ndanë Portit, te klubi i Kabilit,
Kafenë me shokët e fëmijërisë tek Kajzeri nga Vila,
Tek Dyqani i Luleve të dëgjojë barcoletat e Fadilit
E të jetojë akoma kohën mes urrejtjes dhe idilit,
Duke thirrur: Rrofsh, Durrës!

Torra veneciane
sonte tregon histori me të njejtën hënë.
Histori e largët me polake…
Këtu e takova atë turisten flokëverdhë lozonjare,
pikërisht,
dhe këtu këmbyem atë, puthjen e gjatë shqiptare.
E ndërsa më thoshte me zë të ulët:
“Pushimet mbaruan, po kthehem”,
Shallin e najlonit më la në dorë…
Sa trishtim të mbetesh me një shall në vetmi!
Një shall,
përkthyer në njëzet vjet qeli.
E prapë të vazhdosh të thërrasësh: Rrofsh, Durrës!

Dua të kthehem përsëri tek Sefer Efendiu,
Të shoh shtëpitë si kuti shkrepsesh,
Që humbin nën hijen e shumëkatsheve.
Të kujtoj oborret, portat e hapura,
muret me gastare
Dacët pehlivan mbi ta.
që jepnin shfaqje pa pare
Lulet e shegës, jaseminët, karafilat ngjyrë gjaku
“Mirëmëngjeset” dhe “Si u gdhitë” të lira fare
Në fund nënën me fshesë tek pragu…
Dhe prapë të thërras si durrësaku: Rrofsh, Durrës!

Dhe do të shkojë, do Zoti, një ditë atje,
Të shpie në Poloni perëndimet e tua tërë zjarr.
Aromën e molusqeve të Kallmit
Edhe atë do ta shpie në Varshavë.
Me vete tërë betimet e rinisë do të marr.
Dhe lakuriqësinë e saj,
që akoma më rrëshket nëpër damarë.
Bashkë me shallin, natyrisht,
Bashkë me njëzet vjet qeli.
Dhe do të uroj nga larg përsëri: Rrofsh, Durrës!

E ndërsa grupi i turistëve largohet,
Dy gjimnazistë në galeri, te kisha e Shën Stefanit,
Këmbejnë ndoshta puthjen e parë…
Ç’ puthje e gjatë!?…
Janë shqiptarë…
Sa shpresoj që historia të mos përsëritet!
Por as mos u harroft,
Tragjedi apo komedi qoft
Dhe vazhdoj të përsëris me zemër: Rrofsh, Durrës!

*Ia kushtoj maturanteve të shkollës Gjergj Kastrioti
në zemër të qytetit. Kanë nevojë të njohin histori
të tilla e prapë ta duan qytetin e tyre.

 

Një sms Zotit

Një Sms po të dërgoj,
S’e di, o Zot, në të arrin?!…
Në do t’më bëje me pushtet,
Ta hidhja tej këtë varfërinë.
Besoj, ta meritoj vërtetë,
Lodhur jam të pres një jetë.

Të shkrova e sa pa vënë një pikë,
Ky celular i shkretë m’u fik,
(Ndoshta s’e kanë mbajur bateritë…)

Ta nisa nga e para prapë
Dhe shkrova vetëm dy tri fjalë:
Ndihmomë, o Zot, tek ty besoj
E në kërkova shumë, më fal.
Më jep atë që meritoj,
Se si poet kurrë s’lajkatoj.

Provova prapë, më dha OK,
Mesazhi do të kish shkuar tej.
Me shpresë që shpirtin tënd të gjejë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s