DJEMTË BINJAKË TË DRUVARIT TË VARFËR / Përrallë nga Kujtim Agalliu

DJEMTË BINJAKË TË DRUVARIT TË VARFËR

Thonë, se diku, në një fshat midis maleve të larta, jetonte një druvar i varfër. Ai kishte dy djem të pashëm si dy pëllumba. Ata ishin binjakë dhe ngjanin si dy pika uji. Njëri kishte një nishan në krahun e majtë. Tjetri kishte një nishan në krahun e djathtë.
Tregojnë se në fshatin e druvarit na ishte edhe një bej ziliqar sa më s’bëhet. Edhe ai na paskësh dy djem binjakë! Edhe ata na qenkëshin të pashëm që s’ke ç’thua! Ndaj beu kudo që shkonte mburrej për djemtë e tij. Njëherë pa u thoshte fshatarëve:
– Unë kam çunat më të bukur në botë.
Por një plak i doli përpara dhe ia ktheu:
– Dale, dale, mos u ngut, se janë me të bukur binjakët e druvarit!
Beut i lëshoi goja shkumë!
– Jo, more! — iu hakërrye plakut. Pastaj u egërsua, thirri druvarin dhe i tha:
– Qysh sot thyej qafën që këtej me gjithë ç’ke! Mos të të shoh më asnjë minutë këtu!
Dhe kësisoj e përzuri. Ç’të bënte i gjori druvar! U strehua te një shpellë tutje në pyll. Hë – hë, iu rritën djemtë atje, të fortë si lisa.
Befas, një ditë, teksa po gjuanin kafshë të egra me heshta e shpata, ata panë një njeri të shtrirë përtokë. Kur u afruan që ta ndihmonin ai hapi sytë dhe u tha ngadalë:
– Mos humbni kohën me mua, por kaloni shpejt tre male, tri fusha, tre lumenj dhe arrini te Shkëmbi i Arinjve! Atje po bëhet luftë. Armiqtë janë të panumërt. Vihuni përkrah luftëtarëve tanë, që të mos na e rrëmbejnë lirinë!
Dhe binjakët ashtu bënë. Ua hi¬pën kuajve dhe u nisën si veriu. Tri ditë fluturuan me kuaj. Tri net hëna përshkënditi mbi shpatat e tyre, gjersa u gjendën midis zjarrit të luftës. U bashkuan me luftëtarët dhe shpejt u vunë në ballë të tyre. U duk sikur betejën tashmë e ndiznin flakët e rrufeve. Gjithë trimat morën hov, kurse armiqtë ua mbathën me katra.
Më në fund, njëri prej luftëtarëve, duke treguar dy binjakët, tha:
– I shihni këta? Nuk janë djem, por zogj shqiponjash! Neve na dhanë zemër e armiqve u kallën tmerrin!
Luftëtarët nuk pritën, po i ngritën në krahë duke brohoritur. Ca të tjerë po shihnin me kureshtje, se nuk i njihnin.
– Nga ju kemi, or bij? — pyeti një luftëtar i moshuar. Djemtë nuk iu përgjigjën, por përveshën mëngoret. Atëherë të gjithë panë nishanet e tyre, lëshuan një britmë habie dhe thanë:
– O po, këta qenkan djemtë tanë, djemtë e druvarit!
Dhe me t’iu kthyen beut ziliqar:
– Ja ç’na bëre, o faqezi! Që kur ishin të vegjël, na i përzure nga fshati këta sokola! Shikoji tani se ç’janë! Dhe mos guxo t’i krahasosh me ata lepujt e tu të butë, që sapo filloi lufta, u fshehën vrimave!
Pastaj të gjithë bashkë, për druvarin dhe djemtë e tij trima, ndërtuan në mes të fshatit, te një çair i bukur, një shtëpi të re, që s’ishte parë kurë në ato anë.

 

Kujtim Agalliu

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s