Poezi nga Dije Lohaj
VOGËLUSHJA DHE VIOLINA
Nuk i kishte harruar të gjitha,
Paçka dhe lufta,
Çdo skutë kishte përpirë,
Në partiturat e violinës,
Një melodi e saj,
Si një shkëndijê më shumë,
I ngjante lirisë.
Harruam plumbat,
Tek vogëlushja,
Melodinë e lirisë krijoi,
Ishte një vijim shprese,
Një rrezeartë mbi re,
E sot, flutura shpirti,
Fluturojnë mbi atdhe.
Shpresonim lirinë,
Edhe pse kohë lufte
E vdekja trokiste orë e çast,
Përtej frikes flakëronin
Tingujt partiturave
Si një grishje,
Si grishje shprese,
Lirie,
Ardhmërie,
Grishje e një bote të re,
Që lindi mbi këtë dhe…
Tashmë,
Sigurisht na duket
Tepër e thjeshtë,
Që ata tinguj violine
Aq shumë na fisnikëruan.
Por, atëbotë
Eh, atëbotë ishte luftē!…
KALËRIMI I KALIT TË TROJËS
(Variant)
Kush e di?
Djall a Zot?
Nga Olimpi i lashtë e tëhu,
M’i prenë kryq e tërthor udhët…
Kishin humbur nëpër mjegull,
Oborret e mia!
Papritur në kullën time
Hyri Kali i Trojës.
Nëpër udhëtimin e tij,
Shkel lulëkuqet,
M’i ha ëndrrat…
Pastaj, pa mëshirë,
Zuri të shtinte mbi dashurinë time,
Me të gjitha armët.
O Zot!
A e di ku i ka marrë?
Që të mbajë mbretërinë e tij,
Zhveshur nga miti i lashtë i tradhtisë,
E të kalërojë plagëve të këtij planeti.
KËSHILLË PAS DARKËS SË DREQIT
(Variant)
Nëse flas, djajtë nuk kanë lavdi.
E di se po të kthehen rrugës së vet,
(Nëse nuk e kanë humbur), Kthehen gjurmëve të gjakut.
Le ta thërrasin edhe në zhgjëndërr
Diogjenin me fener në dorë,
Nëse nuk ua ka verbuar sytë
Hidhërimi i njerëzimit!
Të verbrit lexojnë Homerin,
Ia groposin bebëzat e syrit,
Dhe mësojnë fshehtësinë e mallit,
Në nëntë palë nën shekuj.
Bota jep e merr, ndërron udhë.
Parajsë e ferr në kor mjelin muzat…
Dhe shpirtra të syrgjynosur
I lënë pa i mbuluar me dhe.
Kthehuni e shikoni nga dielli,
Që t’ia gjeni fillin lindjes!
RRETH KULLËS
Qesha nëpër errësirë, o motër, o vëlla!
Rreth kullës kanë çelur trëndafila me gjemba…
A t’i mbledhim dhe t’i bëjmë kurorë,
T’ia çojmë armikut që për shekuj,
Zemrës së tokës sonë hodhi valle?
Apo të presim zjarrin e vatrës arbërore,
Ku dhe hiri bën dritë në çdo pore.
Qesha nëpër errësirë, o motër, o vëlla!
Rreth kullës kanë çelur trëndafila me gjemba…