Poezi nga Sinan Vaka
Llustraxhiu MYRTO
(MEMORJE)
Memorja gjarpëron nëpër dhomat e kujtimeve
dhe ka kohë që s’ndihen hapat e ngadaltë;
Ecja sakate ka mbetur larg ndër vite,
mbi dy shkopinj duke u hequr zvarrë .
Mbështetur mbi stolat e barakës tënde
kalonim ore dhe orë gëzimi e djalërie,
me këngë serenadash dhe një ritëm furçe,
me zërin tënd dhe ecjen prej fëmije.
Kaq kohë qyteti i shkujdesur
ka humbur mbrëmjeve
ritmikën e shkopinjve dhe të qeshurën e lartë,
kaq kohë …,
sepse kohët rendin me fuqinë e viteve
dhe kujtimet çapiten me hap të ngadaltë.
Lotët e mi
Lotët e mi pas përçmimit,
si pika shiu në mbrëmjen e vonë,
teksa reflektojnë aurorës së dritave
e rikthejnë fare kot mes shkëlqimit,
përpëlitjen e ëndrrave
në prag vetëtimash.
Lotët e mi lojë dëshpërimi,
duke rindezur në hirtësinë e mjegullt,
kandilin e një drite qiri,
pak nga pak
në thellësi të oqeanit shpirt duke gjetur,
luminishencën e të qenurit njeri.