Poezi nga Ramë ORACA

Poezi nga Ramë ORACA
 
 
KUMT
(Skënderbeut)
 
Cili kumtarë kumtoi se Gjergji iku nga vdekatarët
dhe u ringjall këtu pesëqind e pesëdhjetë vjet dritë
dritëson në maje të atdheut breznitë e gjakut arbëror
 
ai përjetshëm me dallgë jete jetëson besën e besëlidhjes
se atdheu është dheu i atit e i birit e i shpirtit të shenjtë
edhe në botë të përtejme dhembjemadhe është kumti i tij
 
sa herë kumbonin kambanat e lirisë së pranguar
hapeshin portat e mjegullës që ngrihej në kështjellë
nga shpatë e Gjergjit kthjellohej qielli i pellazgëve
 
me krah shqiponje hyjni e pashmangshme ngadhënjimi
i printe Gjergjit që të thyej grilat e robërisë shekullore
që kishte thurur ëndrrën e shpresës në pëlhurë të huaj
 
me kurorë ullinjsh burrëroheshin burrat e këtij dheu
shkreptinin shpata e shtiza në faqe historie i hazëronin
që të ngritët sa më lartë flamuri i shqiponjës dykrenore
 
me një zë epirotasi e shpërtheu gurrën e vrullit dardanë
pash më pash tokës i ra hija e Gjergjit, Gjergjin gjallëron
kalëruar peizazheve të legjendave që frymojnë ilirishtë
 
sa herë frynë erë arbëreshe na i shpërlan kujtimet e etnisë
përkrah Gjergjit një kumt kthehet nga baladat e djeshme
thërret kryetrimin e shqipes që të ngre shpatën e lavdisë
 
sot e përjetë pasardhësve ua mëson mjeshtërinë e trimërisë
etshëm ngjallet nga legjenda që të zgjidh enigmën e zisë
tash pesëqind e pesëdhjetë vjet Gjergji mbetet i vetmi prijës.
 
 
 
URA PA UDHË
 
ditë e natë erdhën e shkuan pa ia thënë të vërtetën
kushedi sa breznitë ia arnuan lëkurën e përgjakur
me gjuhën e tyre ia mbyllnin gojën plagës së re
 
tërë jetën e ngarkonin veten mbi kurriz të drunjtë
mes brigjeve e ndanin peshën e mallit me tjetrin
me flakë dashurie i bënin dritë udhëtarit të vonë
 
udha udhën s`e përcillte pa u kthyer me sy kah brigjet
gur më gur kërkonin unazën e të bukurës së dheut
që erërat e kishin marrë me vete pa dije të saj
 
thonë që një tonit i kishte mbetur puthja peng matanë
mes urës ish përgjakur kënga e krushqve me bajrak
që u shndërruan në zogj uji ku vala valën e kuqëloi
 
asnjë fjalë nuk kapërceu më përtej zërit të humbur
asnjë zog nuk fluturoi më nga ëndrrat e vashave
asnjë valë nuk solli më gurë për këmbët e shembura
 
sa afër i patëm pritjet e largësive që na treten
e na u thye udha mes meje e teje pret ura pa udhë
që me një këmbë kacavirret mbi lumin e kujtimeve
 
ditë e natë ajo rri zgjuar që të na i kujtojë emrat e fisit
e të kthehemi në vete të ndezim nga një pikë drite
ta ndriçojmë në maje të atdheut statujën e dashurisë.
 
 
 
ORËT E DËSHMISË SË HUMBUR
 
s`di cilat fjalë t`i përzë nga e përditshmja
e atyre që turbullojnë lumin e kujtimeve tona
e askush s`tregon për shpikësin e ditës së madhe
 
s`di kush ma shkurtoi hijen që s`po më flet as vetja
sot edhe i pavdekshëm të jesh s`është kurrgjë e re
të shpallin të humbur sa për emër të një rruge qorre
 
nga maja e shpirtit mezi e tremb qyqen tej kodrës sonë
thuhet që atje ka dritë për të gjithë largpamësit
që kanë arritur para nesh t`i bien kambanës së heshtur
 
as vetë nuk e di sa herë ia kam mbyllur sytë frikës
para fjalëve që përmalleshin për një të nesërme
të jetës zigzage që shpejt më doli jashtë përdorimi
 
si me çengel diçka përditë më tërheq teposhtë
më afron sa të flas me katragjyshin e mollës së kuqe
ndoshta me frymën e tij gjallëroj diqysh deri nesër
 
jam lodhur duke tërhequr barrën e jetës zvarrë
a ka ndokush pak kohë lirie që të ma huazojë
sa të shpërngulem nga ky ajër i sëmurë
 
s`kanë çka kërkojnë më sytë e miopëve në syrin tim
s`ka më shenja të padukshme në kthesën e fatit jetim
valon flamur i leckosur që askush s`u betua mbi të
 
le të më gjykojnë sipas zakonit të memecëve
le të turpërohen dhe engjëjt kush e mashtroi djallin
e u përvodh me emrin e plagës së tjetrit kryevendi
 
gjuha m`u bëftë copë-copë në i dhënça lak kësaj jete
nuk jam nga të vdekurit që kthehen në bronz
ndodh që zoti ma bëri me gisht të dashuroj fjalën
 
le të më vrasin e të më qajnë në emër të humanizmit
le të heshtin dhe profetët ditëvdekjen time pa dëshmi
veç le të shpërthejë drita jonë majë atdheut.
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s