Kalendari poetik: Lermontov (1814-1841)
Mihail Jurjeviç Lermontov, u lind më 15 tetor 1814; poet, dramaturg dhe piktor, figurë e shquar e romantizmit rus. Kryeveprat e tij “Një Hero i Kohës Sonë” dhe “Demoni” mbeten edhe sot e kësaj dite mjaft të dashura për dashamirësit e letërsisë. Figurë me rëndësi e romantizmit rus, një prej poetëve më të shquar të shek. XIX. Qe ushtarak i karierës; në prill të vitit 1841, në Pjatigorsk (Kaukaz), ritakoi një mik të vjetër dhe të dashur ushtrie, Nikollaj Martinov. Qe ky i cili e qëlloi për vdekje duke i marrë jetën në duel, më 27 korrik 1841. Ja një poezi nga shqipërimet që kam prej tij:
LYPËSI
(Нищий)
Një i varfër, fytyrë rreshkur
Lypte pranë një manastiri,
I dobët, thuajse i vdekur,
Nga etja, uria, mundimi.
Lypte vetëm një copë bukë
Dhe me vështrim lypte mëshirë,
Por ja, që dikush vuri një gur
Mbi pëllëmbën e tij të shtrirë.
Kështu ta lypja dashurinë,
Me lot të hidhur, mallëngjyer,
Por ndjenja ime më e mirë
Prej teje mbeti e zhgënjyer!
© shqipëroi nga rusishtja Maksim Rakipaj