Poezi nga Sahit F. Osmani
Të jesh poet
Nuk është lehtë të jesh poet
Të ndiesh dhimbjen gjer në shpirt
Ta shtrëngosh e ta mbysësh me dhëmbë
Për unin njerëxor e pavdekësinë e tij
Në kufijtë ku bën dritë dashuria
Që shtrihet në gjithë universin
E shkon në përjetësi harruar…
Duke lënë pas shkëlqimin e diellit
Nëpër kohë të përflakë errësirën
Të shndrisë agimeve me shpirtin e njeriut.
Shemb kufijtë e urrejtjeve
Nëse të ka zemra mbulesë
E sytë perde të padukshme
Je person që të magjepsë
Me bukurinë mashtruese
Ti vetveten e përkëdhel
Me mjerimin t’im të largët
Besnikëria s’thotë të dua
Ajo i ndez dritat e mallit
Edhe shpirtin gjallë muron
Që të shemben tradhëtitë
Dridhet ngrehinës shenjtërishtë
Flakë braktisjet pabesitë
E shtegëton nëpër mendime
Mbajtur në krahë legjende
Në shpërthim të stuhive
Shemb kufijtë e urrejtjeve.
Kohët e jetës
Kohët e jetës s’kanë fat të përbashkët
Diku fillojnë e diku mbarojnë
As fjalët s’kanë saktësi
Hidhen e lidhen me njerëzit
Herë hidhrueshëm herë me dashuri
Pa menduar në fytyrën e tyre
Të druajtura shiten me flori
Shkelin në gjakun e betuar
Të thyera nga jeta për liri
Dhe ikin përgjithmonë nga vetja
Me mallkimin e stinëve të largëta
Përkulen sypërlotura rrudhave të shekujve.