URATA E HALLË FOTINËS / Tregim nga Leonard Bixhili

URATA E HALLË FOTINËS

 

Tregim nga Leonard Bixhili

Kur isha fëmijë i vogël, kisha shumë dëshirë të dëgjoja histori të vjetra nga goja e të moshuarve, prandaj nuk i ndahesha gjyshes, kur me plakat e tjera të mëhallës në buzëmbrëmje dilnin tek dera e avllisë, në një poton* aty tek rruga dhe duke pirë kafenë e duke tjerë a punuar ndonjë triko leshi në dorë, fillonin muhabetet e kujtimet e kohëve të shkuara. Edhe unë isha bërë pjestar i kësaj shoqërie dhe ato më kishin pranuar në heshtje, se e njihnin problemin tim. Për shkak të shëndetit të lig, sëmuresha shpesh nga bajamet, gjyshja më mbante gjithmon nga afër nën kujdesin e saj të rreptë e shpesh herë të tepruar.
Më aktive në këto biseda ishte hallë Sofia, një grua e dobët dhe shumë e munduar, me rrudha të thella në ballë, që shpesh ja mbulonte shamia e zezë, të cilën e ulte vazhdimisht me dorë. Dy të tjerat, hallë Lena dhe hallë Maria, flisnin më të rrallë. Mua më kish bërë përshtypje qëndrimi i hallë Fotinës, një grua e bëshme me trup të gjatë që koha shumë pak kish influencuar në fytyrën e saj, tiparet e së cilës tregonin qartë se në rini kish qënë shumë e pashme. Edhe pse në atë moshë, faqet i kishte të kuqe dhe në duar nuk i dalloheshin damarët, si shoqeve të tjera. Kur merte fjalën ajo të tjerat qëndronin si të ngrira, kudo mbretëronte qetësia. Në mes të fjalës lëshonte një ‘’oh ‘’ që i dilte thellë nga brënda dhe shprehte dhimbje nga një plagë e së kaluarës,..kush e di ? !
Kundrejt saj shoqet e tjera tregonin një kujdes dhe respekt të veçantë. Shpesh, kur vinte me vonesë, i ruanin vëndin, një pllakë gurri në të cilën ajo vendoste një jastëk që e mbante me vete. Edhe kafenë e mbulonin që të mos i ftohej dhe pa ardhur ajo nuk fillonin bisedën.
Një mëngjes e pyeta gjyshen : – ‘’Gjyshe, pse hallë Fotina është vetëm në shtëpi ?…Nuk ka njerëz ?..Pse ju të tjerat kujdeseni aq shumë për të ?….Ajo më do shumë mua. Më rruan fruta nga baçja e saj e bukfiqe në dimër ‘’.
-‘’Dëgjo xhan i gjyshes, hallë Fotina ka një histori të madhe. Do ta tregoj vetëm nëse do hash gjithë pjatën e përsheshit me qumësht ‘’ – më tha ajo, mbasi i kisha plasur buzën çdo mëngjes me pjatën e përsheshit, në të cilën haja 2-3 lugë dhe e lija në mes. Atëhere rrëmbeva menjëherë pjatën dhe e shtyva me zorë derisa lashë vetëm një lugë në fund. E kënaqur gjyshja më afroi pranë vetes dhe duke më përkëdhelur kokën, filloi të më tregojë :
-‘’Hallë Fotina në rininë e saj ka qënë një vajzë shumë e bukur dhe shumë e zgjuar. Atë e kishin zili gjithë djemtë e fshatit. Babai i saj ishte çoban, kishte një tufë të madhe me dhi. Ata e kishin stanin në të dalë të fshatit, aty ku kalon përoi i madh. Ngjitur me ta kishte stanin edhe familja e Begajve. Hallë Fotina ndihmonte të jëmën në punët e shtëpisë dhe pastaj i çonte bukën të jatit dhe e ndihmonte në mjelje. Ishte shumë e zonja, puntore dhe nga këmbët -flutur, nuk kapej. Një ditë, tek po ngjitej brinjës përpjetë e nxituar se kishte vonuar, i preu rrugën djali i Begajve, Minellua, i cili kishte kohë që e përgjonte, se flaka e dashurisë i kish djegur zëmrën. Ai ishte një djalë trim, me trup të bëshëm, lis më këmbë, me sy të bukur dhe me cullufet që i binin mbi ballë. Minellua qëndronte gjithë ditën me të jatin me kopenë dhe vonë në mbrëmje varej në fshat. Ata kishin më shumë bagëti dhe në shtëpi nuk u mungonte gjë. Ishte shtëpi me vulë mbasi dhe e jëma ishte nikoqire e madhe. Hallë Fotina kur e pa në mes të rrugës iu rrënqeth mishi, dridhej e tëra dhe fytyra i kishte marrë flakë. Minellua i vendosur, me fjalë të prera, i shprehu dashurinë dhe u zotua se një ditë do ta bënte gruan e tij. Që nga ajo ditë i rrëmbeu zëmrën dhe iu ngulit në mëndje, të varfrës vajzë. Në krye të vitit, me dëshirën e prindërve, ata u fejuan. Erdhi dimri dhe bora zbriti poshtë, deri tek shtëpitë e para të fshatit. Një natë në tufën e Begajve rra bisha dhe u bëri dëm të madh. Të nesërmen në mëngjes u ngjit gjithë fshati lart. Po ç’të shikoje ?… Ishte bërë hataja. Minellua kish qëndruar majë një gurri dhe shfrynte nga inati. I jati vetëm thithte duhan nga një çibuk që e mbushte vazhdimisht. Fshatarët mundoheshin ti qetësonin e tu jipnin kurajo. Atëhere u dëgjua zëri i Minellos,që briti me ton të lartë :
-‘’Betohem se do ti shqyej nofullat ukjut ‘’. . . . Nga ajo ditë nuk u mblodh më në shtëpi. Pregatiti ca thile*dhe i vuri nëpër shtegjet nga kish gjetur gjurmë ujku. Hapi ca gropa dhe i mbuloi me dega e gjethe. Vetë e shkonte natën në një majë lisi dhe përgjonte. Natën e tretë, tek kishte filluar të dremisë nga lodhja, ndjeu zhurmë dhe dalloi mbrapa shkureve dy drita si dy llambushka që shkëlqenin. Kish dëgjuar se ujkut i llamburisin sytë natën por ish hera e parë që e shikonte. Iu ndez gjaku por nuk lëvizi, vetëm filloi me hamëndje të bëjë llogaritë se sa metra larg ishte vendosur thileja e parë dhe sa e dyta në shtegun tjetër. Nuk vonoi dhe dëgjoi ca ulërima. Ujku kish rënë në grackë. Kur zbardhi dita zbriti nga lisi dhe iu afrua shkureve. Ukju përpëlitej se këmbët ja kish zënë thileja. Hapte gojën dhe lëshonte ca ulërima që të rrënqethnin mishin. Minellua mori sopatën dhe preu një furkë të madhe. Pastaj gjeti një dru të trashë si kopaçe, i zhveshi lëkurën dhe iu afrua ujkut. Kur ai zgjati trupin, në përpjekje për të shpëtuar nga thileja, Minellua i futi furkën tek pjesa e qafës dhe e mbështeti tek një degë lisi, për ta mbajtur të gozhduar. Ujku kish gjith natën që përpëlitej të çlirohej nga thileja dhe këmbët i ishin gjakosur. E kuptoi se çdo përpjekje ishte e kotë dhe nuk u mundua më pasi edhe plagët i dhimbnin. Tani vetëm hapte gojën dhe ulërinte. Atëhere Minellua i afroi kopaçen dhe ai hapi gojën, e kafshoi dhe filloi ta brejë me dhëmbë nga inati. Minellua e vazhdoi këtë lojë me ujkun derisa e lodhi, por kopaçen nuk ja hoqi nga goja. Më së fundi ujku u dorëzua. Minellua iu afrua dhe pa se kopaçja ishte me gjak që kish rrjedhur nga goja e ujkut. Atëhere kontrolloi dhe njëherë furkën nga të dya anët që të ishte i sigurtë dhe kopaçes, që ujku e kishte akoma në gojë, i vuri një gurrë të madh që të mos e lëzte dot. Me urrejtjen që i ish ndezur gjithë ato ditë, iu vërsul dhe me të dya duart i mbèrtheu dy nofullat. Me forcën e krahëve, filloi tu japë në drejtim të kundërt. Gishtat i ishin gjakosur por nuk i lëshonte nofullat e ujkut, të cilat tanimë ishin hapur mjaft. Mblodhi dhe njëherë forcat dhe lëshoi një britmë të fortë, që thonë se u dëgjua deri në fshat :
-‘’O…o…opa..a…a…Kjo për bejkën që ma bëre haram ‘’ – dhe shtrëngoi dhëmbët derisa i kërcitën. Nga goja e ujkut u dëgjua një ‘’krak’’ dhe nofullat i mbetën Minellos në dorë. Ujku ishte mundur. Mori një copë tel, i lidhi dhe dy këmbët e tjera dhe në qafë i shkoi një litar. E la një copë here ashtu. Ndënji në një majë gurri dhe ndezi një cigare. Por nuk i rihej, u ngrit dhe filloi ta tërheq zvarrë në drejtim të fshatit. Kur u afrua shtëpive të para dalloi njerëz që ishin mbledhur tek sheshi mbasi kishte mbritur haberi. Drejt sheshit vrapoi edhe hallë Fotina. Motra e madhe e Minellos, me opingat që i kish zhveshur e i mbante në dorë, ja morri këngës:
‘’O Nello Bega o jetë,
djal azgan e trim me fletë,
me forcë sa shtat’ a tetë,
çe morre hakënë vetë,
për tre dit’ e për tre netë.
Aty posht’ në lug të dushkut,
Çi çepe nofullat ujkut ‘’……
Mbas kësaj fama e Minellos u hap në gjithë krahinën. Shtëpia e tyre mbushej çdo ditë me njerëz. Hallë Fotina fluturonte nga gëzimi e krenaria. Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Një ditë djali u gdhi i sëmurë. Nuk i binte temperatura megjithëse i hodhën dhe kupa e i bënë njëmij e një ilaçe praktike. I jati pruri dhe një doktor nga qyteti, por edhe ai nuk i bëri derman. E hëngri ‘’syri i keq’’ e erdhi e u tret gjithë ai kollos djalë. Babai, xha Milua, shiti kopenë dhe e çoi në Korfuz ku e shtruan në spital. Në fshat u hap haberi se kishte sëmundje të keqe. Mbasi nuk kishte shërim, e prunë të mbyllë sytë në shtëpi. Dimri kishte dalë dhe po trokiste pranvera. Një mëngjes fshati u zgjua nga ulërimat që shpërndanë kujen. Zia kish pllakosur derën e Begajve por dhe zëmrën e hallë Fotinës. Që atë ditë ajo preu flokët dhe u vesh në të zeza. Më vonë u përpoqën njerëzit e saj ti mbushnin mëndjen të martohej, por ajo…jo dhe jo…
Ja, kjo është historia e hallë Fotinës, që mbeti e ve e pa njerëz ‘’ – e mbylli tregimin gjyshja. Mua më ishte mbledhur një lëmsh në stomak.
-‘’Hajde tani të bëj një kafe e t’ja shpiesh’’ – më tha dhe nxori kutitë ku mbante sheqerin dhe kafen. Menjëherë u vesha, mora filxhanin me kafe dhe dola nga shtëpia. Kur iu afrova derës së jashtme të shtëpisë së saj, trokita me forcë. Hallë Fotina e hapi dhe kur më pa i qeshi nuri. Mori kafenë, më puthi në dy faqet duke thënë :
-‘’Të më kesh uratën more bir ! . Të rritesh e të bëhesh trim, i fortë e i zgjuar si Minellua im – të keqen Fotina. Vetëm mos i paç fatin, të tjerat po….dhe lëshoi prapë atë ‘’oh’’-un e saj të brëndshëm. (Këtë e bënte sa herë zinte në gojë emrin e Minellos)
Nga ajo ditë, më vazhdimisht kafenë ja çoja unë dhe mirrja uratën e saj, e cila ishte po ajo :
-‘’Të rritesh e të bëhesh trim, i fortë e i zgjuar si Minellua im … ‘’ ! .

Poton *- vënd i vogël i sheshtë dhe pak i ngritur..
Thile *- lak (krahinizëm me prejardhje nga greqishtja).

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s