Mark Simoni publikon vëllimin poetik” “Sa shpejt kalojnë 3 minutat” me parathënie të autores Eliverta Kanina

Mark Simoni publikon vëllimin poetik” “Sa shpejt kalojnë 3 minutat” me parathënie të autores Eliverta Kanina

SI NË PËRRALLË

Na ishte një herë një nënë që quhej Davidë. Ajo lindi një djalë të bekuar. Me nishan në ballë, në një qytet pranë detit, në mes të librave të bibliotekës së madhe të të atit. Djali i bekuar dhe fatlum nuk u bë as princ dhe as mbret. Por u bë një poet dhe shkrimtar i vërtetë. Kështu do të niste udhëjetën e tij miku im Mark Simoni.
Me talentin e të shkruarit Marku zotëron më së miri shpirtin e lexuesve, si pushtues i fantazisë së tyre, me veprat e shkruara ndër vite, duke e bërë bekimin e nënës një bekim për të gjithë ata që e njohin, e lexojnë dhe gëzojnë miqësinë e tij.
Si shkrimtar dhe eseist i sprovuar, librat e tij të shumtë janë një argument i fortë që s’kanë nevojë për koment. (Unë kam botuar në shtyp dhe një shkrim rreth romanit të tij fantastik “Qyteti me një sy”).
Kësaj radhe do desha të ndalem tek poezia e mikut tim, mbasi, këtë herë kemi në dorë vëllimin e ri poetik “Sa shpejt kalojnë 3 minutat”, pas kaq shumë vitesh kur Mark Simoni trokiti së pari në portat e letërsisë pikërisht me librin e tij poetik “Bujtinë e çmendur” (i pari dhe i vetmi me poezi deri më sot).
I shkruar në periudhën e gjimnazit dhe të universitetit, autori shpesh në biseda e ka trajtuar atë libër thjeshtë si një çmenduri e moshës, dhe poezinë si një gjini të tejkaluar tashmë prej tij. “Kam kohë që s’shkruaj më poezi, mbase dhe kam harruar dhe s’di më ta shkruaj atë” – më tha një ditë miku im, duke më lënë në dorë një bllok me poezi të atyre viteve, që nuk janë botuar asnjëherë.
Po aq të bukura këto poezi, të shtypura me makinën e vjetër të shkrimit, në ca fletë të zverdhura, (të vjetruara ndoshta dhe nga mos vëmendja dhe harresa e Markut, që u dha tërë këto vite pas tregimesh, esesh, analizash, romanit dhe prozave të tjera). Ato poezi e kanë akoma shpresën të vezullojnë tashmë nga ky libër që po marrim sot.

 

Mark Simoni

Një njeri që ka shije të kultivuar leximi e kupton menjëherë se, miku im e ka lënë në qoshe të vëmendjes së tij artistike poezinë, por ama se ka harruar dhe braktisur për fare. Tharmi i vargut dhe poezisë fle dhe zgjohet jo rrallë brenda tij. Patjetër duke pritur çastin kur fantazia t’i çlirohet nga paragjykimi i tij se, poezia është tashmë një bimë që nuk mbin më në arën letrare të Mark Simonit.
Dhe sot na begaton duke na sjellë këtë libër të ri, si një gjest dhe respekt për artin e vargut, si një akt letrar të bukur.
Mos të harrojmë që Marku vjen nga një prej trevave më letrare të Shqipërisë. Përveç disa prej korifenjëve të atjeshëm që vazhdojnë të shndërrisnin me veprat e tyre (Fishta, Mjeda, Bardhi), miku im pati në dorë, që kur ishte fëmijë dhe gjimnazist, librat e bashkëqytetarëve të tij të talentuar Ndoc Gjetjes, Rudolf Markut, Preç Zogajt etj. Librit “Bujtinë e çmendur” ia bëri parathënien Dritëro Agolli, si një garanci për talentin e tij. I ati i diplomuar për mësuesi, e rriti Markun nën hijen e librave dhe të kulturologjisë. Më vonë puna dhe jeta e tij prej gazetari e takoi me njerëz të rëndësishëm të librit, udhëtimet e shumta jashtë vendit i dhanë shansin të vizitonte shumë nga muzetë dhe shtëpitë e njerëzve më të mëdhenj të letërsisë botërore. Një jetë të bekuar dhe fatlume, për ta ushqyer talentin e tij për letërsinë.
Një energji pozitive, por dhe një shtysë tunduese që e bën mikun tim të dalë me këtë libër, janë patjetër dhe reagimet shumë mirëpritëse të lexuesve të rrjeteve sociale, që janë mrekulluar nga postimet e herpasherëshme të Markut, duke ia sugjeruar daljen me një një vëllim të ri poetik.
Ndaj “Sa shpejt kalojnë 3 minutat” është kaq i dëshiruar, sa edhe një frut i maturuar ndër vite, që e ka të paracaktuar suksesin tek lexuesi. Unë e mirëpres këtë botim të mikut tim të shtrenjtë për shumëçka theksova më lart, por edhe sepse siç thotë Montenji, “librat janë një lumturi e përgjëruar”.
Shpresoj dhe uroj që libri të lexohet prej të gjithë dashamirësve të poezisë, veçanërisht lexuesit e mençur ta kenë këtë libër në bibliotekat e tyre! Sipas një thënie të Shën Anselmit “Të vesh një libër në dorë të një lexuesi injorant, është aq e rrezikshme sa të vesh një shpatë në dorë të një fëmije” ndaj, krahas mjeshtërisë në të shkruar, librit i duhet fati i udhës tek lexuesi i duhur. Sepse mprehtësisë së mesazheve të “Sa shpejt kalojnë 3 minutat” i duhet mençuria e mendjes së lexuesit.
Uroj me gjithë shpirt mikun tim Mark Simoni të ketë fat si poet, shkrimtar, publicist e botues, si një misionar dhe personalitet, që shfaq dhe inkurajon vlera në letërsinë e sotme shqipe!
E mbyll këtë parathënie me një sentencë, që ngjan si përrallë, por s’është përrallë, me një shprehje latine shumë të dashur për mua:
Kush është i mençur e kupton vetë!
“Verbom sapientibus!”

Parathënie nga Eliverta Kanina

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s