VJESHTA LETRARE E GJILANIT (Mesdita e Poezisë…) – TRE POETË NGA MATANË DRINIT (Fjala prezentuese në MESDITËN E POEZISË, në kuadër të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit” ) / Përgatitur nga Albina IDRIZI

VJESHTA LETRARE E GJILANIT

Mesdita e Poezisë…

TRE POETË NGA MATANË DRINIT

(Fjala prezentuese në MESDITËN E POEZISË, në kuadër të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit” )

VJESHTËN LETRARE EGJILANI, gjegjësisht edicioni i tretë i saj, i cili startoi vetëm një ditë më parë me promovimin e librit poetik të Linditë Ramushit, këtë here përveç se zbukurohet me emblemën e 100 vjetorit të Pavarësisë, sjell në mesin tone edhe tre miq, tre poetë, tre shkrimtarë, tre emra të njohur të letrave shqipe nga matanë Drinit: Izet Durakun, Rexhep Shahun dhe Aqif Hysën.

 

Izet Duraku

U lind ne Morinë te Lumës, buzë kufirit me Kosovën, vitin 1956.
Shkollën e mesme e kreu në Kukës ndërsa u diplomua për letërsi në Universitetin e Tiranës.
Punoi mësues në një fshat të thellë për 5 vite.
Pastaj që nga ajo kohë filloi pune gazetar në gazetën “Bashkimi” organ qendror i kohës.
Izet Duraku ka botuar vellimin e parë poetik “Drini i Bardhë” në vitin 1985, libër i pritur mjaft mirë dhe i evidentuar si sjellës i një fryme të re, nga kritika e kohës. Më vonë ka botuar libra publicistikë si dhe vellimin cilësor me poezi, “Vezullim Heshtash”.
Izeti që nga ajo kohë ka qenë kryetar i degës se Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të rajonit të Kukësit.
Ishte për shumë vite drejtor i Radio Kukësit pas shembjes së dikaturës, duke i dhënë asaj radioje frymë kombëtare dhe duke e vënë ate plotësisht në shërbim të Kosovës dhe lirisë së saj.
Pas viteve 1997 ka punuar gjatë në radio Tirana. Ka qenë drejtor i revistës kulturore “Dy Drina”, drejtor i revistës për fëmijë “Kallz”.
Aktualisht prej 7 vjetësh është drejtor pranë Ministrisë së Kulturës në Tiranë.

 


Rexhep Shahu

U lind më 9 maj 1960, në Bardhec të Lumës, fshat i ngritur mbi rrënojat e Gabulit të lashtë., pranë kufirit me Kosovën,i ndodhur në gjurmën e udhës së vjetër, “Via Publica” që lidhte Dardaninë antike me Adriatikun dhe i njohur me këtë emër që nga shekulli i 13-të.
Shkollën e mesme teknike – mekanike e kreu në Durrës më 1980.
Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër.
Ka provuar gjithëfarlloj punësh e profesionesh në fusha e në male me bujq e blegtorë,kosëtarë e korrës gruri…Ka jetuar e punuar me mineralkërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë sekretarin në prokurori,, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, , Radio Tirana, Top Albania Radio, ee në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, zëdhënës në Qarkun e Kukësit dhe në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë ku edhe ende punon për një detyrë tjetër.
Veten ma së miri e gjeti në profesionin e gazetarit.Ka drejtuar si kryeredaktor revistën “Dy drinat”, revistën për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës Kulturore “Dy Drina”, të përkohshmen “Gazeta e Kukësit”, dhe prej vitit 2005 edhe revistën kombëtare “Bujqësia shqiptare”, organ i Ministrisë.
Veç librit “Apollogji për udhën e kombit”, ky autor ka botuar edhe gjashtë libra të tjerë, tre prej tyre me poezi :
“Mali i hënës”, poezi, Tiranë, 1988, “Bregu i brengës, poezi, Prizren, 2000 si dhe “Lis i vetëm në Fushë”, poezi, Tiranë, 2011
Si dhe librat publicistikë, ” “Misioni për paqen”, kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës, “Bllaca”, moniografi dhe “Marsi i MInave”

 

Aqif HYSA

Poeti Aqif Hysa , pas gati 13 vitesh, rishfaqet me vëllimin poetik, “Poema e ikjes”, botuar nga “Ombra GVG”. Plot 180 poezi të krijuara ndër vite.
Poeti ka krijuar për njëfarë kohe vetëm në gjuhën e Dantes dhe Bokaçios, për t’u rikthyer te gjuha e origjinës, po aq e fuqishme në përcjelljen e ndjenjave, realitetit poetik të autorit.
Në një prezantim që shoqëron vëllimin poetik shkurtimisht thuhet se ai u lind më 9 maj 1960 në Shetel të Shijakut, nga ku mori dhe lëndën e parë për qytetarinë poetike. Ka studiuar që herët poezinë, të vërtetën dhe vetveten. Më 1996 ai vendos të kapërcejë me një skaf detin, në kërkim të hapësirës, pa e humbur pikën e orientimit. Më 1999-n boton vëllimin e parë poetik “Shihemi diku” në Tiranë, ndërsa në italisht vëllimin “Erranti come gli dei” (“Endacak si zotat”). Hysa vazhdon të shkruajë poezi teksa fatin e tij e ka vendosur në bregun përtej. Natyra dhe figura e femrës në të gjitha dimensionet e saj, zënë vend në poezinë e Hysës.

 

Nexhat Rexha

AROMA E VJESHTËS LETRARE 2012

Në këtë vit të rëndësishëm sa historik, po aq edhe unifikues. Vjeshta letrare e Gjilanit po afron penat andej e këndej tokave tona.
Takimi i sotëm poetik po na jep mundësinë e komunikimit me poetet nga Shqipëria :Izet Duraku, Rexhep Shahu, dhe Aqif Hysa.
Takimi dhe përjetimi me vlerat artistike atëherë kur janë edhe krijuesit ka peshën dhe poezia merr një dimension më të përafërt të përjetimit.
Fundi i fundit shkëmbimi i mendimeve dhe akceptimi në mënyrën ballë për ballë
me njeri tjetrin ka edhe një refleksion më intim, sepse kjo na ka munguar të gjithëve.
Kjo formë e komunikimit shton pozitivitetin njerëzor, vëllazëror dhe artistik. Kështu edhe përshtypjet artistike, e mbresat e takimeve lënë diçka të bukur, që nuk përsëritet, pa e ditur as ne vetë se jemi duke bërë diçka, që po shënon e ruan në identitetin e vlerën kombëtare.
Kështu vepruan edhe para nesh shumë popuj e kultura edhe më te avansuara . E poezia bashkon e rilind edhe pena të reja, kurse vlerat karakterizojnë të arritshmen dhe i hapin rrugë perspektivës, e cila jep e merr nga kohët e nëpër kohë. Pra, në këtë rrjedhshmëri ngjarjesh e takimesh po krijohet hallka e zinxhirit artistik me synimin se poezia takon e kultivon të edhe të nesërmen, ajo gjithsesi është fara më e mirë që hudhet në tokën tonë.
Në këtë Vjeshtën tonë letrare të Gjilani, e në 100 Vjetorin e Pavarësisë në mesin tonë janë të pranishëm, e po flasin për diçka që ka vlerë dhe i jep kuptim të djeshmes ,të sotmes, sikur fjala dhe vepra ndërton e ngritë të ardhmen me praninë e tyre.

Izet Duraku (1956), vjen me veprën poetike. Që unë kam marrë në shqyrtim “Vezullim Heshtash”,2004.
Dhe unë jam ndalur tek poezia e këtij vëllimi: ”Ti hap herë pas here”
Nëpër vargjet e kësaj poezie, komunikimi bëhet e mëtohet me njerëzimin , me jetën dhe me aspiratat tona nëpër shekuj si dhe magjia e shtëpisë që afron njeriun ashtu si është ai ,ashti si di të mbijetojë të kohët e “shitueme”
Të gjitha kujtimet mbështillen në grimcat e jetës, që gjithsesi ato ruajnë në vete ditën tonë.
Autori e përfundon poezinë me këto vargje:

I shituem prej syve në pikë të drekës,
Mesnatës,
Ti je mëngjesi im
Darka ime e varfër!
Fq.22.
Mesazhi arrin në qëllimin e dëshiruar, për një verifikim kohësh.

Rexhep Shahu (1960), vjen me veprën poetike “Lis i vetëm në fushë” 2011.
Titulli i librit dhe poezia nga e cila vjen edhe titulli i librit më ndalën dhe më përcaktuan për sot të komunikoj më vargjet e kësaj poezie.
Komunikimi me lëvizjet e jetës dhe dinamika e ngjarjeve në jetë të japin mundësinë e depërtimit nëpër këto pika të dëshirueshme dhe neveritëse. Autori i poezisë Rexhep Shahu, ka zgjedhur fjalën dhe asaj i ka dhënë atë që dikton dita e ato të japin shpërfaqjen e shpalosjes e të përjetimit nëpër këto ngjarje. Duke lexuar këtë poezi, lexuesi përjeton diçka të bukur, diçka që e ndjen e bashkëjeton me të dhe ajo pastaj merr formën e pamjes dhe të mesazhit për të verifikuar atë duhet përjetuar sot, e nesër.
Vargjet flasin e shpalosin të ëndërruarën, në strofën e fundit të kësaj poezie autori shprehet:
E tjetër çfarë mund të jem
Në këtë ditë pa sy
Në këtë natë të verbër
Kur ti s`je….
Pika pika mbyllet poezia.
Fq. 35.
Aqif Hysa (1960) , kemi në dorë veprën poetike”Poema e ikjes”, vepër që komunikon shqip dhe në gjuhë tjetër.
Vëllimi poetik i Aqif Hysës ka brumosje në sasi edhe në cilësi, vargu poetik reflekton ide dhe ai komunikon me ngjarje nga me të hershmet dhe sikur na rikujton diçka që, kujdes njeri se Troja është Trojë. Pra, poezia që më ndali për komunikim pikërisht është poezia “Troja” e këtij vëllimi.
Homeri e bëri të pavdekshme Trojën dhe poetët në vazhdimësi u morën me këtë ngjarje.Po sikur poetët që i kënduan shëmtimit e bukurisë së këtyre ngjarjeve. Edhe Aqif Hysa, me këtë poezi na ka rikthyer në këto kohë të lashta për të kujtuar Penelopën, Helenën, dhe figura të tjera si Laookontin kafshues. Këto elemente që sa mitike, po aq edhe reale kanë ruajtur në kontinuitet vrazhdësinë e jetës në hapësirën ballkanike.
Dhe poezia “Troja”, komunikon me njerëzit dhe kafshimet e tyre, si dhe me pritjet e dashurisë për të mbijetuar të mundshmen
Vargjet poetike të kësaj poezie japin mesazhin identifikues dhe mesazhin e daljes nga këto ngjarje shkatërruese që më së keqi i ka përjetuar njeriu ynë.

Troja s`duket ende…kaq pranë i paskemi kaluar sa herë
Në njërin sy me lyp Helenën, të bukurën( vetëm të bukurën)
Penelopën besëpakëputurën(vetëm besëpakëputurën)
me lyp me syrin
tjetër,bukuria ime e re. Bukuria ime e njomë, Antirojë
që zjarre ke
në sy,
zjarre të pashfaqur …një epokë zjarresh përfytyroja……

mos u bejë shkaktare e zjarreve të tilla
si Troja…
fq.84.
Mbresat flasin dhe ruajnë kujtime

Gjilan, 6 tetor 2012

 

Arsim HALILI
SYRI POETIK NË ORBITËN E KOHEZIONIT ARTISTIK

Të shkruash për indivdualitetin krijues të mësuesit, poetit dhe gazetarit të njohur Izet Duraku, natyrisht është kënaqësi. Ai hyn në botën artistike, për t’i dhënë ata që duhet dhënë dhe për të marrë formimin e tij koheziv në artin e të shkruarit. Poeti Izet Duraku, i cili hapat e parë të jetës së tij i trason në ambientet e asaj qyteze të vogël, por që bujaria e saj e bënë aq të madhe në Kukësin e labirinteve e që në binarët e saj, kaluan shumica e asaj fatmorgane të pashpresë të fundshekullit XX.
Mbrehëtsia e tij krijuese, përballë të kaluarës tonë kombëtare, ka treguar, se sensi i tij hollë artistik në margjinat e asaj çfarë shkruan, po këtë rast do të ndalem nga ajo se çfarë kam lexuar nga biografia e tij, duket se poeti, nuk është një pretendent titujsh, por synimi i tij është evolumi i artit me plotë kuptimin e fjalës. E që diskursi i tij poetik të mos mbetet në simetrinë e ekspresionit simbolik, por shihet qartë se ngjyrimet dhe vibracionet krijues nga vargu në varg janë tërheqëse, emotive,e që thurr kurorë të pjekur, jo sa për të thënë kam krijuar art. Duke shikuar propocionin kohor mes dy librave poetik të autorit Duraku “Drini i Bardhe” botuar1985 dhe “Vezullim Heshtash” 2004. Shihet se komunikim poetik brenda kësaj hapësire kohore tregon se kemi të bëjmë me një kërkimtar, atë që e sheh në botën e realitetit jetësor, gjë që interferon kujdesin dhe me vrullin e tij emocional dhe këtë mision fisnik të tij edhe sot e mban gravitetin e tij si një pend krijuese siç do të shprehej Mani:” Arti ka për detyrë ta njoh e ta shpjegoj jetën”

TROKITJET POETIKE TEK LEXUESI PRITEN ME ADMIRIM

Kohë më parë në dritaren informative sociale të zotit Duraku,kam pas lexuar një cikël poetik e që më vonë e kam kuptuar se janë pjesë e librit të tij “ Vezullim heshtash”2004
Poezitë e prezantuar në atë faqe ishin si vijon: “YJE “,”NJË QERRE”, “VJESHTË A FILLIM DIMRI”, “PRAJSHËM E PJERRËT”, “MË DUHET”, “ TI HAPË HERË PAS HERE” ,“SHORT’ I DRIDHJES”, “MOTRA IME”,” LANA”
Dhe kur lexohet ky cikël i cili edhe mund të përjetohet dhe të interpretohet nga kënde të ndryshme. Shihet se brenda poezisë së tij, ka univers vlerash të cilat komunikojnë me një diskurs të thellë medidativ. Në universin e retinës së njeriut, ndonjherë është e kapëshme e ndonjëherë është vetëm një transponim ëndrrimtar, mes dëshirash , fatesh dhe mes detajizmeve gjë që poeti me fiksionin e tij edhe elementet e shtruara, herë-herë të pakapëshme, kur gjërat ecin në divergjenca me ose pa dëshirën tonë. Poeti më së miri i ofron tek lexuesi përmes poezisë “ Yje”Kjo lirikë e bukur nuncaohet me gjuhë të bukur poetike.
Se poezia Izet Durakut i riciklon kohët nga mjegullnajt e stinorëve të cilat naviogojnë në rebelimin poetik, qoftë me pigmente diametralisht të kundërta në peizazhet që poeti i ndërton në pikëpyetjen e tij të madhe. Ai magjithëatë jeton në kohë reale dhe në disprobilitetit i këtij intezitet, sikur e bartë shpresen dhe dhembjen. Poeti kërkon shtegëdaljet, më së miri kjo gjë shihet tek sa lexohet me ëndje poezia “ Vjeshtë apo fillim dimri”.
Tek sa i lexon këto poezi të poetit Izet Duraku, konsideroj, ndoshta me të drejtë ,se duke ju qasur poeti me shumë seriozitet dhe mjeshtri, natyrisht enigmatikës së fjalës së bukur artistike, duke e shetitur lexuesin sa në lartësin qiellore me lirikat e tij, e herë me baldat që na sjell që prekin në thellësi të shpirtit. Megjithatë do të theksoja një gjë:
-Çfarë shikon në orbitën vezulluse?
Kur të bukurën , të magjishmën e gjen në tokë, e gjen në thellësi të shpirtit.
Mënyra se si e artikulon vargun poeti Duraku, se si e shfaq ndjenjën dhe perceptimin e tij ideo-estetik, mbase do te thoja se megjithatë poeti është një përjetues i thellë i ngjarjeve që vargëzohen në jetën e tij krijuese. Andaj duke pas parsysh gjinën artistike të cilën e trajton në mardhëniet mes realitetit dhe botës së tij ekspresive, mbase mund të lindin të tilla pyetje:
– Cilat karekteristika problemore e funksionalizojnë poezinë e Durakut.
– Sa troket magjia e fjalës poetike e poetit tek lexuesi?

Poeti Duraku e vë në lëvizje mendjen,pasionin dhe imagjinatën dhe duke qenë të relativizuara mes njëra- tjetrës, ecin kah një relacion, i cili ka arritur të mëshiroj edhe artistikisht përmes funksionalizmit të veçorive figurative stilistike, qoftë në të vërejturit viziv dhe intreprtativ të secilës poezi veç e veç.
Ndërsa çështja e dytë qëndron se poezia e Izet Durakut troket në zemrën e lexuesit edhe atë thellë e më thellë, por ama lexuesit i duhet një kujdes gjatë leximit, ajo nuk është inferiore, ajo vje si poezi shpërthyese në enigmat e saj, ku natyrshëm imponohet muzikalitetit, ritmi , inversioni, intonacioni në brendësi të gjithë këtyre poezive që mund të lexohen në këtë cikël apo edhe në tërsin e librit “ Vezullim heshtash”
Është kjo arsye per të cilën poeti para se gjithash është përcaktuar në qartësinë poetike, pa e ngarkuar pa nevojë atë. Gjithënjë sjell në arealin e tij krijues atë që mund të jetë në kondita të normales, qoftë edhe duke e hermetizuar ndonjherë atë.
Por jo me sjllje të tepërimeve hiporbolike të panevojshme.

NË VEND TË PËRMBYLLJES

Praktikisht poeti Izet Duraku në rrugëtimin e artikulimit të fjalës poetike, gjithënjë është në kërkim të pagjeturës e cila është fshhur thellë, por mbi të gjitha, ai brenda vargjeve të tij, sikur porosit të harrojmë të keqen e pamerituar, të sjellim të mirën që e meritojmë si shoqëri. Përkushimi i tij poetik, duhet të jetë i pandalshëm evolutiv, mbresëlënës. Natyrshëm se Lasgushi ynë porosiste që: “Krijimtaria duhet t’i shpëtoj dhëmbit të kohës”
Por konsideroj se poezia e poetit Izet Duraku është e akceptuar në kordinim me atë që është sfiduese, e jo formale, të intrigon t’i mbetesh besnik leximit të poezisë tij, pa u bezdisur asnjherë. Duke përmbyllur këtë referencë time më lejoni për fund të citoj:
“ Poezia është gjuha amnore e racës njerezore”Helderi


P.s

Presim dhe fjalët ( e shkruara) nga Izeti, Rexha dhe Aqifi…

 

Përgatitur nga Albina IDRIZI

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s