Ftesë në lexim: Poeti i ndjesive të larta (Parathënie e vëllimit poetik “El’da” të autorit Pjerin Ndreka) / Nga: Zija Vukaj

Ftesë në lexim
Poeti i ndjesive të larta
 
( Parathënie e vëllimit poetik “El’da” të autorit Pjerin Ndreka)
 
Duke udhëtuar nëpërfaqet e këtij vëllimi poetik, duke përshkuar trajektoren e ndërlikuar të etydeve, poezive, idileve, eklogave, ditirambeve dhe variacioneve nga më befasueset, lexuesi është i detyruar të alternojë gjendjet e ndryshme emocionale që të përcjell ky mozaik i këndshëm me spektër të gjerë emocionesh, imazhesh, ndjenjash, përsiatjesh e adhurimesh, që dalin nga shpirti i ndjeshëm i njeriut- poet, përtë komunikuar me të gjithë tipat e lexuesve. Për të hyrë në universin e poetit Pjerin Ndreka, për të shijuar alkiminë e fjalës së tij poetike, ka shumë mënyra, ka shumë piketa dhe çelësa leximi, që gjenden të derdhura apo të skalitura nëpër vargje poezish të ndryshme. Një prej tyre është edhe poezia “Jeta asht e jemja”: “E çoj qerren ku du vetë e diellit ia baj mesy/ Fatin eshtrëngoj n’duert’mia; ju thoni:- S’ka mend në kry/ detin e kaloj në kambë e me gjoks unë ia pres val’t/ n’u mbytsha, letë mbytem vetëm e nuk du mejua ndi fjal’t.” Janë pikërisht këto vargje dhe gjithë pjesa tjetër e poezisë një manifestifilozofisë së jetës dhe kredoja estetike e autorit, i cili spikat që këtu si një romantik në kohët e moderniteteve poetike, si një pasagjer i mesjetës në trenin modern të artit poetik.Dhe manifesti artistik i këtij autori na shfaq përballë një shpirt rebel, një dashurues të zjarrtë dhe ëndërrimtar të papërsëritshëm, një adhurues të përjetshëm të bukurive të natyrës e të njeriut. Por, siç ndodh me poetë të tillë, poetët e zjarrit të pasionit, me konturet e hijshme të trilleve thuajse kalorësiake, nëpër undergraundin e lirizmit të tij nëpërduket dhe qarkullon imazhi frymëzues i një femre, më shumë se sa Beatriçe, një tip Laure si e Petrarkës, një E… enigmatike, mbase një fiksion artistik, i përftuar nga pasionet me të cilat ky lloj poeti e jeton jetën. Sepse jemi në tipin e poetit që jetën e jeton si një poemë. Në kompleksin e gjërave origjinale të poetit Ndreka dhe të krejt poezive të këtij vëllimi bëjnë pjesë metodat tradicionale të vargëzimit dhe rishfaqen si tipar i romantizmit lirikat e natyrës. Por perceptimet estetike natyrisht janë moderne. Ato janë procedime artistike që mbështeten në abstraksione të rafinuara poetike. Në poezinë: “Nji gjethe që sa ka çilë” kemi: “Nji gjethe që sa ka çilë/ nji degë e porsashkyeme/ ferishte e porsalindun/ nji nanë me koca tëthyeme.” Gjithashtu duhet parapëlqyer e vlerësuar aftësia që poeti ka për të vargëzuar me rimë.
 
 
Pjerin Ndreka
 
Duke lexuar e shijuar mjaft poezi të poetit Ndreka kuptojmë arsenalin e gjerë e të thellë metrik dhe prozodinë e pasur të një artisti të fjalës me pasion të madh dhe eksperienca të gjata leximesh e krijimtarie vetjake. Pa diskutuar vlerën e vargjeve të lira apo të parimuara, duhet çmuarrima si një nga elementët më të spikatur të muzikalitetit, të harmonisë e të kumbimit të këndshëm; si një ngjyrim i skicimeve poetike që memorizohen në kujtesën e lexuesit falë këtij elementi magjik,
që vjen qysh nga lashtësia dhe mbetet bashkudhëtare e denjë e artistëve të vërtetë të fjalës. Madje nganjëherë bëhet edhe një nga dëshmitë më konkrete të ekzistencës së talentit poetik tek njeriu. Dhe rimat në vargjet e këtij poeti vijnë vetvetiu, nuk kërkohen, por i bashkëngjiten strukturës tjetër metrike si jonet e një muzike të harmonizuar nga një dorë hyjnore dhe e padukshme. Një aspekt tjetër i përveçën i këtij vëllimi, që është tipar që i bën nder autorit, është edhe ndikimi i thellë nga intonacionet popullore: “Me ty kin’ flas e s’praj tue fol në jerm;/ marre me i kallzue kuj./ Zemra po m’plas si plas kështeja n’zjerm,/si gjama e detit n’ujë”. Megjithëse kryefjala e krejt
vëllimit është dashuria, bipolariteti i saj, aspekti panteist dhe rravgimet ëndërruese në labirintet e unit poetik të udhëhequra fund e krye nga El’da, që është e pranishme edhe kur nuk shfaqet, në fondin e këtij vëllimi shfaqen edhe motive filozofike, meditative, plazmuar në mendime e vargëzime elegante, si tek “Distike”, ndërtuar në paradokse dhe kundërvënie fine: “Kur nuk e don jetën me mue/ pse e kërkon dekën te unë?!” Ndërsa forca e madhe përjetuese, magjia e palimpsestit në trurin e poetit
shfaqet në formën e bukolikes, që epifanizohet në një gjurmë të shkëlqyer lirike tek “Pult”: “Mbi dy arrat në ograjë/ kam ruejtë Zejukën përditë/ për herë t’parë sytë e saj/ m’kanë flakrue tue m’gjuejtë me dritë”.
Format e strofave dhe njësive poetike të këtij vëllimi janë të larmishme, spontane, të rastësishme dhe të lindura nga çaste të vërteta frymëzimi. Nganjëherë një njësi poetike ka vetëm pak vargje dhe këputet. Por kur lexohet mirë e kupton se aty është thënë gjithçka. Pra jemi tek poeti që nuk ka inflacion fjalësh, sepse marrëdhënia e gjuhës poetike me mendimin e formësuar në varg është e përkryer. Përfundimisht, mendoj që ky vëllim poetik është një event i rëndësishëm jo vetëm i autorit Pjerin Ndreka, por sidomos i poezisë sonë, pasi jemi përballë artit të njëmendët të fjalës.
 
Nga: Zija Vukaj
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s