Poezi nga Xheni Tanini Hali
Ju përvodha ditës
Netëve, iu dhashë
të fshihem
sysh të përdhunuar.
Ditës,
si syve, të etur për vështrime,
iu përvodha
si shtrëngatës së duarve prej burri,
paçka se dielli zhuriste edhe gurin.
Zotit
do t’i zhdukem
prej mashtrimit femër
për t’provuar
në provën e parajsës
shijen e ferrit
Frikës së mbetjes kujtim sklerotik
s’munda t’i përvidhem
Diku midis tokës dhe qiellit
ku sytë e pakrehur të flokëve,
ku çdo hap zbathur nëpër tym kërthize varet në kocka kohe,
drita zbraz boshllëkun e ngarkesës
në dashuri të harruar, ndoshta të mallkuar,
ku erërat fryjnë rrudha lotësh të ngrirë,
ku sytë flenë gjarpërinjve të ngurtë
në ëndrra lyrekësh,
në pranga gurmazesh drite.
ku fryma hesht në rënie hëne
dhe diejsh të ngrënë kujtese
kovaçët supremë rrahën me kudhër balte
damarë të shkuar pa të ardhme kohe që s’peshojnë.
Midis tokës dhe qiellit, diku mes asgjësë dhe hiçit
ku as pluhur s’ka, veç gjëmë tingujsh në shpuzore shkronjash
mbarsur në njolla bekimesh
horizontit të dashurisë së pamarrë,
në thëllime netësh që lypin dritë
mitra e parafatit më pështyn të tërën
duar, veç duar
për qafimin e copave të pasqyrës nën imazhin tim
ku dimrat ngrijnë.
Mes syve të zjarrit dhe gojëve të gjakut,
diku mes qiellit dhe tokës
ku thuhet se lemza lulesh kanë buluar
klithma e hiçit më derdhi duar për të qenë
dhembja në gjethen e lotit të munguar.