ROBINSON NË “ISHULLIN” E FUNDOSUR / Poemë nga Vullnet Mato

Poemë nga Vullnet Mato

ROBINSON NË “ISHULLIN” E FUNDOSUR

Kam lindur dhe jam rritur në një ishull,
rrethuar përqark me tela me gjëmba,
kur me krejt kontinentin, ishte prishur
dhe asnjë të huaji nuk i shkelte këmba.

Më mësuan që në vegjëli të jem Robinson,
të ushqehem fshehtas, me dy duart e mia,
të nxjerr vezën dhe qumështin në ballkon,
se ndalohej prona private, pula e dhia.

Të bëj kafe, duke pjekur elbin distik,
të ziej supën me bretkosa kënete,
të bëj divanin me disa rripa llastik,
të thur qilim e rrugica, me copa lecke.

Të ziej raki në tenxhere me presion,
të lahem në dushin me saldime fuçie,
të bëj kanaçe, për të marrë televizion,
të bëj me rrathë inoksi, skelet për syze.

Të ruaj “ishullin” edhe nga hijet e reve,
t’i shoh vendet e tjera me fantazi të frikur,
të mendoj se aty njerëzit, s’janë si neve,
por majmunë të vuajtur e ujqër të uritur.

Të shpoj në çdo shkëmb, tunele të thellë,
të hap transhe luftimi brigjeve, si urithi,
ta mbuloj çdo pëllëmbë ishulli, me bunkerë,
të bëj gjumë lepuri, ndjekur nga përbindëshi.


2
Më mësuan të quhem ateist i vetëshpallur,
t’u falem dogmave të “mbinjeriut” të paditur,
të shoh në mes të ditës, ëndrra me sy hapur
dhe të veproj pas çdo urdhri, me sy mbyllur.

Të kem frikë nga ekrani e nga librat e huaj,
të kem frikë nga flokët e gjatë e nga veshja,
të mos u besoj miqve, që i dua e më duan,
të ruhem në shtrat, nga gruaja dhe vetvetja.

Të mos flas në ëndrrat e gjumit përçartur,
t’u tregoj uniformave blu të fshehtat që di,
të nxjerr gjithë ç’kam përbrenda barkut,
të demaskoj nëpër mbledhje, trutë e mi.

Të përcjell kudo, rrufetë e luftës së klasave,
të urrej çdo kundërshtar të ideve komuniste,
të jem pëllumb, duke u grindur si laraska,
me cilindo, që dyshoj se mendon ndryshe.

Të punoj i detyruar dhe ta quaj nder e lavdi,
të shkëmbej djersën me disa fletëlavdërime,
të sfilitem nëpër aksione edhe ditën e diel,
të shpall krenar se ia fal “ishullit” jetën time.


3
Më mësuan të jem i nënshtruar gjer në vdekje,
para zyrtarëve, skllav i përulur, pohues i bindur,
të kem më të madhe se gojën, buzëqeshjen,
dhe ta mbaj si të pikturuar në fytyrën e hidhur.

Ta quaj mendimtar dhe ta nderoj si absolut,
atë që e njoh mirë, për budalla me tre yje,
vetëm sepse era e ka hedhur mbi kolltuk,
dhe për pesë dekada, ma ka lënë mbi krye.

Të jetoj si proletar, në një dhomë të ngushtë,
teksa zgjerohen me farefis zyrtarët e shefat,
të mos lëshoj asgjë lloj pakënaqësi, askund,
ndryshe neni 55 më damkos gjer në tre breza.

Të di të mbyll mirë gojën e të ngre dorën ,
Të hedh votën, pa parë kutinë e zezë anash,
t’i mbaj sytë nga Lindja e kuqe, gjithë kohën,
ndryshe Perëndimi më perëndon jetën befas.

Ashtu si të shumtët, të besoj te gënjeshtra,
për të vërtetën, mos ngul këmbë si mushka,
synimi im të jetë vetëm puna dhe heshtja,
ideali im i përjetshëm: kazma dhe pushka.


4
Më mësuan thjeshtësinë e jetës shabllon,
me një shije estetike, me një stil shtëpiak,
një sjellje fikse, si çdo servil e kameleon,
këmbësor i përjetshëm i rrugëve me baltë.

Të qëndroj i lidhur me vargonj pasaportizimi,
të mos lëviz me banim, në asnjë tjetër qytet.
Të më duken plot, vitrinat boshe të socializmit,
ndonëse s’gjej mish, tek asnjë dyqan në shtet.

Të mbaj si hajmali tallonin tim të racionit,
dhe ta kalojë gjysmën e jetës, nëpër radhë,
t’i shty orët me akthin ditor të robinsonit,
pa hequr nga mendja, se jam zezak i bardhë.

Të zë radhë me bidon, para diellit, te vajguri,
ku na digjen shpirtrat dhe gjumi qysh në rini,
të bëhet gjella, të lahet gruaja, fëmijët e burri,
për lëngun aq të nevojshëm, me blozë e tym të zi,

Nga moskamja, të arrij derisa nënën ta ndaj,
që nënë Partia, të më shkruaj dosje të mirë,
në sy të mikut të ngre të parën dollinë e saj,
me raki frutash, me speca të regjura në gjizë.

Me rrogën simbolike, sa mbaj shpirtin gjallë,
të mbuloj hallet, që të mos mbytem në lumë.
Të rri në errësirë e dritat t’i çel sa më rrallë,
duke ndezur qirinj, për të kursyer më shumë.

Të më pikojë në zemër, për mallra të jashtme,
të punoj tre vjet, për të blerë tri metra terital
dhe të them se jetoj mirëqenien, pa telashe,
kur kostumin e dasmës e ruaj dhe për në varr.


5
Më mësuan të shikoj lule edhe në batak,
t’i them të zezës, se është bardhë, patjetër,
në pellgje e moçalishte, të shoh bulevard,
dhe hapin e breshkës, ta quaj kilometër.

Të qaj për çdo diktator të botës, kur vdes,
nga malet Karpate, deri në majat Himalajë.
Të bëhem vëlla me jugosllavë, rusë, kinez,
të pres me lule, delegacionet nga Çu En Laj.

Por askush s’ma sulmoi ishullin nga përjashta,
grykat e zjarrit i ndryshkën dekadat e mërisë,
bunkerët e shumtë, i mbuloi përroi dhe balta,
më shkoi lumi djersës, në detin e kotësisë.

U mburrën me mua, se krijuan “njeriun e ri”,
kur më injektuan ideologji në hemisferat e trurit,
por mbeta ai që isha, i urituri për bukë e liri,
dhe u egërsova nga shpirti si në epokën u gurit.

U thinja brenda shpellës me citate ideore,
duke mallkuar pareshtur imperio-revizionizmin
dhe jetëmbyllur, në pak kilometra katrore,
vuajta tmerrësisht nga sidromi i robinson- izmit.

Besova tek e ardhmja, si i verbri te bastuni i tij,
derisa u bë një Korab i lartë me premtime.
Por ishulli u shemb papritur, si mal me hi,
dhe mbeti një shkumëzim i zi, me zhgënjime.


6
Tani trurin me byk, s’dua ta mbush përsëri,
as t’i flas botës me kallashin mbushur plot,
me gjithë tokësorët, të jemi vëllezër në liri,
dhe të aspirojmë përparimin, si miq e shokë.

Por dhe kur Evropa të bëhet trëndafil i bardhë,
me petla të bashkuara, në paqen e njerëzimit,
mua edhe në gjumë, ka për të më dalë,
ishulli i kuq i robinsonit të pseudosocializmit.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s