Poezi nga Rovena Shuteriqi
Përqafuar!
S’mërzitem, jo, kur më “bezdis” me fjalë!
“S’bezdisem” kur ti, fjalë mjaltë më drejton!
Ëmbëlsohem më shumë, thurr ëndërra përnatë.
Ëndërrave më vjen e më përqafon, pamatë.
Përqafuar më mbaj, ngrohtë, në krahët e tu!
Shpirti, të tëndin shpirt kërkon, si vatra, zjarrin shpuzë.
Dhe unë poezive, do të mbaj në fjalë vargjesh.
Për ty drithërohet trup, këndon zemra e një vajze!
***
Gjumi, s’më merr!
Mendimet më turbullojnë.
Dua t’i vë në rresht si ushtarë,
ato për dreq, s’më dëgjojnë!
Fluturojnë ngado e gjithkund.
Shtyhen, preken,pleksen, koklaviten.
Qeshin si të çmendura, pa shkak.
Qajnë, kur përgjigje,
s’marrin askund!
Dhe ashtu e lodhur, dremis.
Sytë përpëliten, gjumin kërkojnë.
Braktis mendimet, kokën lehtësoj,
ngadalë zaptohem,
nga ëndërrat xixëllonjë.