NJË “VIOLINË” POETIKE (Shënime për librin poetik, “NJË HARK YLBERI”, të Nikoll Lokës) / Nga: Dedë Shkurti

NJË “VIOLINË” POETIKE (Shënime për librin poetik, “NJË HARK YLBERI”, të Nikoll Lokës)

 

Nga: Dedë Shkurti

Të dashur bashkëlegjionarë të Penës dhe miq të Nikoll Lokës,
Në këtë muaj Nëntor njohja ime me Nikoll Lokën është bërë 25 vjeçe.
Në fillim e kam njohur si mësues.
Sot, pas 25 vitesh, më kujtohet shpjegimi matematik i profesorit tim të ndritur e legjendar, Qazim Turdiu, për të njohurën dhe të panjohurën:
“ Brenda një rrethi keni Njohjen, jashtë tij Të Panjohurën. Sa më shumë rritet perimetri i këtij rrethi, pra sipërfaqja e tij, aq më shumë dini dhe, anasjelltas, aq sa rritet perimetri, rritet edhe kontakti me të panjohurën e prej këndej, të lind logjikisht pyetja: kaq injorant jam, kaq pak ditkam?!”
Mua kështu më ka ngjarë më mikun tim, me bashkëkohësin dhe bashkëtrevasin tim.
Poezitë e këtij libri që keni në dorë kam patur fatin t’i lexoj në dorëshkrim.

E rilexova dhe mbeta në rrethin mitik të Profesorit Legjendar. Dhe tani po citoj:
…”Ndalem
Ta prek ëndrrën,
Dhe pi etje me ëndjë.” ( TEK ËNDRRA JOTE)
… “Dhe vendosëm të arratisemi/ mërisë së njerëzve të lagur,/ dhe zilisë së njerëzve të plakur.”
(NËN NJË ÇADËR)
… “ Unë po digjem në pritjen pa moshë.” (S’DO TË MË NJOHËSH)
…”Në peisazhe ringjalljesh dorëzoj vdekjen time” , (MOS IK!…)
… “ Prej dashurisë që lind pas një vegimi të gjithë vriten/ Disa ngrihen, të tjerët përjetësisht zvarritën.” (PREJ DASHURISË )
… “ Ta lexosh të ardhmen brenda vetes, e ta dëgjosh zërin tënd me durim!/Pastaj të shihesh më pasqyrën e së nesërmes,/ me veten të përballesh plot guxim!”
( TA LEXOSH TË ARDHMEN )
… “ Më mirë një natë në paqe me veten/ Se në një ditë të pafytyrë.”/ …” nëse agimi më bën të ndihem plak/ E shkëmbej me një muzg që më përtërin.” ( AGU DHE MUZGU )
…” NË HIJEN E KODRËS SË SHEJTËRUEME, NË FUSHËN ME BAR,/Në Shën Kodrën e lindur nga flijimi, u krijua Shkodra/ Nga djali i Rozafës së vrarë,/në gjoksin e liqenit e në shpinën e Drinit.” (MEDITIM MBI ROZAFËN )
…” E UNË SI MURG, LUTEM NËN DY MALE,/Europës i kthehem sërish,/te varri i Kadmit me Ilirin përdore, / Atje ku Zoti foli së pari ilirisht.” (MITI I EUROPËS)
… “ Ndër malë kësulëbardha/lotin kurrë s’e pamë./Dhimbja kalonte/ si një flakë vetëtime./Ndër vatra vdesin fatzinjtë,/ fatbardhët/ndër shkrepa i linin shpirtrat.” (VDEKJA E HIJSHME)
…” Kreshnik i zemëruar/ me shekullin tënd.” (TE VARRI I BIB DODËS )
…” Tri herë në ditë/ dielli lind mbi Has./Dielli që s’perëndon/shpirti i Bogdanit,/diell që pranveron/shpirti i Gjeçovit,/diell që nxeh,/shpirti i Anton Pashkut.” (NË ZYM TË HASIT)
…”Kush jam unë e pyeta Atdheun/ ai m’u përgjigj: kush je ti!/A thua vallë/s’e njihnim njëri-tjetrin,/pas pesëqind vjetësh/keqkuptim!” (KUSH JAM UNË )
..”Të jesh vetja/do të thotë:/ të ecësh pa frikë,/midis një turme/që vetëm leh,/ …” të jesh vetja/nuk do të thotë/ të jesh njeri i mirë/por të jesh ti/ njeriu i lirë.”
(TË JESH VETJA)

Gjithçka citova janë vArgje të librit që keni ose do ta merrni nëpër duar, “Një Hark Ylberi”.
Po vazhdoj përsiatjen për Rrethin tim:
Përfytyrojeni këtë libër në këtë firmë përfundimtare me të vetmen mungesë, emrin e autorit, mbi të. Përfyryrojeni në atë mjedis të rëndomtë trotuari, ku trashëgimtarët nevojtarë ose dhe matrapazët e vlerave kanë nxjerrë thesaret e bibliotekave personale për t’i këmbyer me një koromane ose një shishe kos. Aty shkojmë ne, të etur për ta pasur në raftin tonë një libër të dëshiruar e të munguar.
Vazhdojeni përfytyrimin, duke parë pranë këtij libri një lexues poezie që nuk është lëvrues i saj dhe kam sigurinë se këtij libri nuk do t’ia përdorte fletët në vend të ndonjë qesjeje plasmasi, por do ta fuste në xhep që të shkruante në kopertinën e tij autorin e supozuar nga lista e emrave të nderuar të poezisë.

Nikollë Loka

Janë 155 poezi të shkruara në kohët e hapsirë të ndryshmë të cilat për fatin e mirë të tyre janë si Oksigjeni , të mbështjella në lëvozhgën e trashë të gjuhës si në masën 71 % të Azotit, ku ne e thithim të pavëmendshëm fare se çfarë shërbimi po na bën mëma natyrë.
Nikolli operon poetikisht me mikrothërmijën e jetës, më qelizën e gjallë dhe me nënpjesët e saj, protoplazmën, kromozonet, bërthamën, ku më pak se çdo gjë i ka hyrë në punë ajo, që unë e quaj,”mekanika e të shkruarit”…. sikur e ka mbajtur penën dhe shtypur tastierën me një mikrodorë ose me frymë.
Poezia e Nikoll Lokës vetëtin por nuk bubullin. Shtrati i saj është midis qiellit e tokës, është nga Miti, tek Realiteti Virtual.
Lexojeni librin dhe do të vëreni se një një arsenal të zilishëm flalësh, shprehjesh, e figurash poetike do të gjeni gjithçka nga yjet e lartë, nga shtresa e ozonit, me bollëk ylberësh, ujëvarash, gjelbërimi, klorofili, por do ta ndeshni vetën një ose dy herë fjalën, tokë dhe fjalën baltë.
Poezia e Lokës është poezi eterne, diskrete, është poezi simboli dhe imazhi.
Vëllimi poetik “Një Hark Ylberi” ta ndryshon gjendjen emocionale, të nxit ndjenjën e arsyetimit dhe të krijimit, njerëzon, fisnikëron dhe të bën të dashurosh në të gjithë kuptimin universal, me violinë dhe jo me tupan apo daulle.

17 Nëntor 2013

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s