HIJET / Tregim nga (Hamdi) Erjon Muça

HIJET

 

Tregim nga (Hamdi) Erjon Muça

Nuk e di përse u gjend në rrugë, në një pasdite të herët Vere, në sheshin ngjyrë bezhë dhe të boshatisur përballë kishës, ku ca stola prej mermeri dukej sikur vuanin mungesën e të ndenjurave të flashkura. Klajdi ktheu kokën dhe pa një kufomë pëllumbi që dergjej e shtrirë në një krah, përballë kambanores së lartë. Një mace laramane po vërdallisej kufomës, si për të studiuar, e kapluar nga një mëdyshje jetësore: të jetë gjallë apo e ngordhur?! Në atë çast pa edhe hijen e vet: falë këndit diellor zgjatej duke përfunduar e majisur edhe pse koka e tij ishte tepër e madhe. Edhe kambanaria shtrinte hijen e saj, shumë më të gjatë se hija majoshe e Klajdit. Notojnë xhamijat dhe kishat nëpër kujtime të fetarëve. Tingujt e kambanares ngatërrohen me zërin e kasnecit, shkëlqen shenjtëria mbi zhguna dhe nëpër mjekra të hoxhallarëve, iu kujtuan vargjet e një poezie. Sa engjëj të bukur përpara derës së ferrit!
U habit me atë që vuri re! Qyteti qe ndërtuar para dhe pas sheshit të kishës, duke i lënë asaj edhe lindje edhe perëndimin të lirë, e ajo çlironte një hije në formë e një flamuri të hapur, të errët: hije në lindje dhe perëndim.
U ul në një nga stolat e mermertë dhe ndjeu habinë e ngurtë: një e ndenjur e re që ulej në vendet e ruajtura nga të ndenjurat e vjetra.
Macja kish marrë ndër dhëmbë kufomën e pëllumbit ndërsa ai udhëtonte ndër mendimet e veta bredharake: qytet i boshatisur nga vapa e muajit gusht, dëshira e detit dhe ora e gjumit të drekës. Atë e kish kapur një mërzitje, nuk donte as të shkonte në plazh, as t’u nënshtrohej ëndrrave të drekës.
Cigaren e kishte sjellë në fund kurse mendimet jo, kur hija lëvizëse e priftit, e lehtë pa zhurmë hapash si të ishte përfytyruese, ju afrua. U ul pranë tij në stol: sikur nuk kishte vend tjetër ky për t’u ulur. E përshëndeti nën zë dhe vijoi të lexonte librin e vet. Në skaj dukej kryqi: udhëkryq jetësor, të besosh, të mos besosh, të besosh në mosbesim ose të mosbesosh në besim. Librit tjetër i kanë vënë vetëm piktura abstrakte. Kuadrilema turbulluese me imazhe marramendëse. Edhe dilemat e atij mikut të vet të ri, Pol Milo-s nuk e “hutonin” më tepër se librat liturgjikë. Megjithëse qe frymëzuar mjaft nga to dhe kish shkruar një të tillë.
Si e kish nisur?
Ah po!
Atë e takoi fare rastësisht. Njiheshin e nuk njiheshin. Përshëndeteshin dhe jo, kurse atë ditë ai e ftoi tek zyra e vet. Nuk ishte i sigurt për profesionin e tij, ndoshta ishte avokat, ose noter ose ishte ekonomist. Ishin tek zyra e tij për të parë një libër ndoshta historik, liturgjik ose letrar, dhe nuk e mbante mend si u hap biseda mbi pijen. Thjeshtë ai e pyeti.
– Je pijetar!
– Pijetar për qejf, por jo pijanec – iu përgjigj Klajdi.
– As unë nuk jam pijanec – tha ai dhe nxori nga çanta (tani janë në modë çantat për burra si ato të korrierëve partizanë vetëm se jo prej lecke të vjetër, por cilësore, edhe çanta me yll pesëcepësh) një faqore përgjysmë me raki.
-Do ta provosh pak se është raki e mirë?!
Klajdi pranoi dhe më vete po mendonte. Ky nuk është pijanec, jo!
Akoma nuk i kish gjetur një përgjigje kësaj dileme, por po mundohej t’i gjente.
– Nuk ju kam parë këtej këtu pari – i foli prifti pasi mbylli librin e tij me shenjën e kuadrilemës dhe ju afrua më pranë. – Jeni i ri këtu?
– Jam i huaj, por kam mbi dymbëdhjetë vjet që jetoj këtu- iu përgjigj Klajdi pa i dhënë rëndësi fjalëve. Mendja e tij rrotullohej herë rreth titullit të dilemës që kryqëzohej me meditimet mbi hijen e kambanares dhe të dyja bashkë mbi imazhin e maces që shqyente kufomën e pëllumbit me dhëmbë të mprehtë, duke shfryrë jashtë gojës puplat e holla të shpendit.
– Nga je?
– Jam shqiptar. Kësaj here Klajdi i tha gati i irrituar nga biseda gati e bezdisshme.
– Duhet të jesh mysliman?!
– Jo nuk jam as mysliman, as katolik, as ortodoks. Jam ateist.
– Më vjen keq për ty!- Si ka mundësi që të gjithë besimtarëve u vjen keq për jobesimtarët dhe mundohen me çdo kusht t’i kthejnë në besimtarë? Mos kanë frikë nga vetmia ose nuk janë të bindur në çka besojnë dhe duan mbështetjen edhe të tjerëve si për ti dhënë zemër vetes, me mendimin e turmës nga pas.
I credenti scambiano con la ragione ogni cosa inculcatagli, e da ciò consegue la loro superbia e intolleranza nei confronti dei non credenti. Këtë frazë ia kish shkruar Eloizës në ndonjë letër apo e kanë zbuluar në dorëshkrimet e tij! Kështu po e mendonte, ndërsa priftit i ktheu tjetër përgjigje.
– Jemi të dy të mbushur me keqardhje të ndërsjellë – i tha Priftit dhe e vështroi heshtazi, si me keqardhje, si me inat, ndoshta me mëdyshje ngaqë mund të mos e kish kuptuar kuptimin e përgjigjes. Mace, hije, pupla në ajër, njeri me kuadrilemë ndër duar! Dy dilema nga Pol Milo bëjnë një kuadrilemë. A nuk është njëlloj si dy plus dy bëjnë katër? Mos është e ngjashme me ato ekuacionet e shkollës që dy x plus dy y baras me dy xy. A nuk është dy xy ishte katër xy. Nejse…
– Pse nuk beson?
– Pse beson?
– Nuk mund të më përgjigjesh me pyetje!
– Nuk ke përse më pyet!
– Të pyesësh është legjitime të përgjigjesh është mirësjellje.
– Të mos pyesësh është fisnikërimi! Të pranosh të drejtën e tjetrit është e detyrueshme.
– Nuk do të më përgjigjesh se ke frikë nga paqëndrueshmëria e argumenteve që mbron!
– Pyet ngaqë kërkon siguri për atë që beson se beson! Unë nuk përgjigjem dhe nuk pyes ngaqë respektoj të drejtën tuaj për të besuar dhe predikuar, por pa predikuar aspak mosbesimin tim. Nuk më intereson të mbroj të drejtën time për të mosbesuar ngaqë nuk e ndjej të rrezikuar nga asgjë. Në të kundërt me ju që ndjeni rrezik nga mosbesimi, pasi jetoni me një kuadrilemë ndër duar.
– Unë besoj me bindje të verbër tek Jezu Krishti pasi për të flet edhe historia.
– Flet për vdekjen e tij, por askund për ngjalljen e tij. – Hijet zgjaten majucat hollohen aq sa duken sikur përfundojnë në hapësirë: të holla si gjilpëra të paprekshme. Prifti se ç’donte të thoshte diçka, po Klajdi u ngrit duke e përshëndetur veç me kokë. E dinte që hija e tij qe zgjatur, por u habit mjaft nga përzgjatja e saj.
Ju duk sikur në ajrin e lëvizur pakëz nga era e pasdites i pa pupla që valëviteshin sa andej këndej.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s