KOMPOZICIONE LIRIKE / Poezi nga Durim Çaça

Poezi nga Durim Çaça

 

KOMPOZICIONE LIRIKE

kompozicion, Kazie

jehona e holl’ si një lot që bëhet tingull
dhe një drit’ e freskët e përlotëse vjeshte

aroma e detit, e rrushit dhe shpirti lindës i muzgut
përndritja e çarçafëve, e kakaos, e rërës

posi hëna që bie mbi një botë
paj,të bërë shkrumb nga malli
për të vdekur më bukur
si këmisha e natës e vajzës së dashur
që shkund mornica vezulluese
gjat’ zhveshjes në terrin e afshtë

si pjesa me diell e tokës së vendlindjes së shenjtë
që del nga një emigrant në trajt’ lotësh tharë
qysh në zemër

ajri i pastër e i shkrifët si një shpirt fëmije
jetëzgjatës me erëmim të kamelieve

e shija e shtrenjt’ joshëse e mbrëmjes në tetor
si pjesëmarrja jote në vet’ tretjen tënde

si jehona e hollë, si një tingull që bëhet lot
në një dritë të freskët e përmallëse vjeshte…

kompozicion, Bardhor

n’orët e para të ditës vetëdija mund të kapë botën
si dora që shtrëngon një gur të ngrohur nga dielli

zgjohem prej fanitjes n’ëndërr të shputkave të Lejlës sime të vogël
në diellin e agimit që ka ndalur mbi kaskadat e errëta të detit

duke menduar se në këtë çast gjendet një njeri i mirë
që po sheh gjithçka ngado pa urrejtje

pemët e mollës e të qershisë buzëqeshin me qetësi
kam nevoj’ për to jo që të harroj por që të sjell ndërmend

ja, drita e agut po rritet ngadalë si flokët tanë
si bluja e errët e Kepit të Lagjit që i shtriq putrat në det
dhe bari e livadhet shtrihen me krah’ përpëlitës bletësh e bulkthesh të heshtur

n’orët e para të ditës vetëdija mund të kapë botën
si dora që shtrëngon një gur të ngrohur nga dielli

duke prerë me diamantin e çastit
qelqe pamjesh ah, të çdo vendi…

kompozicion, Hemenraj

më e magjishmja nat’ e gjashtëqindedytë të një mij’ e një netëve
e lumi farfuritës i oqeanit lar’ me ngashërimet e tij
si gjinjt’ e epshëm të gruas së re në pranverë

si ngritja e këngës mes rrënimit
duke e mbajtur paepshmërisht midis dhembjes
dhe bukurisë

si aroma e vlagët e manushaqes së errët të mëndafshtë
mes ashpërsisë së gurit me kristale ametisi
e rokokosë detare të guackave

si burrat që dashurojn’ në heshtje, pa poezi
edhe prej mijëra kilometrash, prapa fjalëve
të pathëna, prapa gjesteve, prapa muajve e viteve

dua t’fshihem brenda buzëve të saj prej jete
siç fshihen rrezet e diellit brenda luleve të blirit
e të lahem me flakë rrufeje

më e magjishmja nat’ e gjashtëqindedytë të një mij’ e një netëve
e lumi farfuritës i oqeanit lar’ me ngashërimet e tij
si gjinjt’ e epshm të gruas së re në pranverë

si ngritja e këngës mes rrënimit
duke e mbajtur paepshmërisht midis dhembjes
dhe bukurisë…

kompozicion, Spanesh

petale mangoje të përkulura nga bletët
vrulle nostalgjish prej arome jonxhe t’porsakositur
e buke të sapopjekur
si vendi ku njerëzit duan t’shkojn’ her’ pas here
për t’u ndier të gjallë
në të tashmen e vetes

seç pasuri ajo që cicërin n’përfytyrim
për një nat’ të kaluar me të dashurën
me aromën e saj në frymë

n’ashkun shpirtëror të dëshirës e kujtesës
në korijen me pemë molle e kuaj
që përtypin lulnajën e egër

si vendi ku njerëzit duan t’shkojn’ her’ pas here
që të ndihen të gjallë
nëpër çastin e jetës

ç’shend udhëtimi me një trumb’ fluturuese tingujsh
që më përplas te këmbët
tallaze të përndritur

e soditja nga dritarja e trenit orient-ekspres
të majave të barit anës shinave
tek fërgëllojnë prej erës

si vendi ku njerëzit duan t’shkojn’ her’ pas here
për t’u ndier të gjallë
në të tashmen e vetes

një postaf në fshat ermuar prej mëllage të bardhë
sa e çuditshme qenka jeta
ësht’ njeri e mbetet një fjalë

rrug’ e përmallme për Spille nëpër rendje
që përshkon stuhin’ e saj të palëvizshme
e shija e petullave pjekur në zjarr gjineshtre

si vendi ku njerëzit duan t’shkojn’ her’pas here
që të ndihen të gjallë
nëpër çastin e jetës…

Shënim: Toponimet Kazie, Bardhor, Hemenraj, Spanesh, janë fshatra kodrinorë dhe bregdetarë të trevës së Kavajës

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s