Juljana Mehmeti: Botimi i librit të parë në italisht “Soft Poesie“ më ka dhënë emocione të papërsëritshme – Intervista/ Flet poetja shqiptare e disa çmimeve në Itali Juljana Mehmeti / Intervistoi:  Albert Z. ZHOLI

Juljana Mehmeti: Botimi i librit të parë në italisht “Soft Poesie“ më ka dhënë emocione të papërsëritshme

Gazeta Bulevard

Intervista/ Flet poetja shqiptare e disa çmimeve në Itali Juljana Mehmeti:

Juljana dhe në krijimtari dhe në jetë është një femër e vrullshme që kërkon abstrakten, kërkon të veçantën ekstreme madje dijet dhe kërkesat e saj janë  të zhbirojë universin pasi të qënit tokësorë për të është një normalitet. Pra ajo kërkon diçka që i mungon tokës në kërkim të planetit të 9. Poezia e saj abstragon jo vetëm me veten por edhe me shoqërinë dhe kohën. Një poezi ku modernia dhe filozofikja përqafojnë por edhe përjashtojnë njëra-tjetrën. Në jetë dhe në krijimtari ajo të befason me shpërthimet e saj, me kërkesat ndaj vetes, me ëndrrat e së nesërmes duke kërkuar irealen në një botë që e sfumon këtë abstraktim jetësor. Haijku është një tjetër gjini poezie që ajo i e lëvron në momente të veçanta por që e përcjell me mjeshtëri sa që në Itali ajo komentohet si një ndër mjeshtret e kësaj gjinie. Në krijimtari dhe në jetë përkufizimi i karakterit ët saj është një enigmë pasi dhe vetë jeta e saj është një udhëtim peripecish dhe shpërthimesh që në një moment të qetë dhe as vetë ajo se beson se çfarë nismash kryeneçe merr përsipër. Ajo tenton të dallojë të dukshmen nga e padukshmja, që e ka intriguar gjithmonë. Sipas saj ajo që shohim është një pjesë shumë e vogël e asaj që ekziston në të vërtetë në Univers…

Rreth dy dekada larg Shqipërisë, si i kujton vitet e fëmijërisë në qytetin e bukur të Durrësit.  Ishit fëmijë mistrec apo i shtuara, çfarë çapkënllëqesh kujton apo të ofron sot ky qytet me flladin e tij plot aromë?

Jam rritur në Fermën e Sukthit, Durrës.  Kujtimet e fëmijërisë dhe pse  përkojnë me vitet e regjimit komunist,  në mendjen time mbeten të pashlyera.  Brezi ynë vërtet kishte gungësen e lirisë që karakterizonte sistemi,  por sërish përcillte një botë dhe imagjinatë tjetër rreth asaj që na rrethonte. Që fëmijë kisha ditarin tim ku shprehja mendimet e shkruajtura, ndonjë varg të frymëzuar nga ato pak libra që lexoja, ose fragmentizime të hartimeve që na jepnin në letërsi. Çapkënllëqet e moshës dhe ndjesia e rebelimit që kam pasur fillonin që në modifikimin e veshjes, ku preferoja të isha ndryshe, më pas thyerja e rregullave klasike, bojkotimi i mësimit  në jetën studentore për më shumë kushte dhe të drejta, të cilat më pas mbrujtën tek mua një karakter të fortë dhe këndvështrim më të detajuar rreth asaj që përjetoja. Kam ëndërruar që e vogël të studioja për gjuhë të huaja. Ndoshta kjo shërbeu si hap i parë për të dalë jashtë kornizave të kohës dhe komunikuar  përmes tjetër gjuhe dhe kulture me botën e madhe.

-Ikët nga Shqipëria në moshën më të bukur, kur kishit shumë ëndrra dhe u përfshitë në  lëvizjet rinore  studentore. Kush ishte shkaku kryesor? Si u larguat dhe kush ishin vështirësitë e largimit?

Pas viteve -90 largimi për një jetë më të mirë ka qenë lajmotiv për gjithë shqiptarët. Gjithsesi për mua nuk ka qenë ky shkaku kryesor. Unë  urreja rutinën dhe të ardhmen e përgatitur .. Dihej që pas shkollës do gjeja një vend pune, një martese , familje sì të gjithë dhe kjo realisht më trembte . Unë dëshiroja që pas universitetit të vazhdoja më tej sfidat  .Jeta në Tiranë ishte frenetike dhe gjithçka bazohej në aparenca e kompromise të cilat nuk i duroja.  Liria e veprimit u dha mundësinë shumë njerëzve të tregonin karakterin e vërtetë. E shpesh u neverita nga një transformim i të njëjtëve njerëz që unë i  mendoja ndryshe. Kuptova që nuk ndjehesha më pjesë e këtij realiteti .

– Ku u vendosët për herë të parë si emigrante, a gjetët strehëzën e ngrohtë të menduar apo racizëm që se suportonit dot. Kush ka qenë dita më e vështirë në emigracion? Po më e bukura?

U largova ne 1992 drejt Gjermanisë e më pas në Itali. Në fillim më mungonte familja dhe miqtë. Vështirësitë ishin shumë të mëdha.  Kur kaloja rrugës i jepja përherë vetes kuraje. Unë do t’ ia dal dhe do krijoj të ardhmen time këtu.  Mësova të vëzhgoj më me imtësi. Në çdo vend që kam shkuar jam munduar të respektoj rregullat civile e të përshtatem shpejt. Racizmin e kam ndjerë relativisht, por e përgatitur për sfidat që më prisnin kam arritur t’ ia dal mbanë. Dita ime më e vështire ka qenë pas një operacionit të apendicitit që ndodhi pas dy muajsh në gjermani. Isha vetëm e nuk flisja mirë gjuhën. Qaja gjithë kohës në spital tek shihja të tjerët që kishin vizitat e familjarëve të tyre. Flisja  mirë italisht e frëngjisht dhe një infermiere më dhuroi një libër në italisht. Titullohej :  Vlera e një buzëqeshje. Dita më e bukur ka qenë kur më dërguan kontratën për publikimin e librit tim të parë. Në vitin- 2015 mora pjesë në një konkurs që zhvillohej pa pagesë nga Shtëpia Botuese “Leonida Edizioni”. Unë krijoja më shumë në gjuhën italiane .

-Keni vite e vendosur në Itali aktualisht çfarë është për ju Italia? A është një atdhe i dytë që ka  strehëz të sigurt për ëndrrat tuaja?

Sigurisht që Italia është vendi që më dha shumë më tepër mundësi për një jetë tjetër, por dhe për njohjen më mirë me kulturën evropiane. Kontakti   me poezinë elitare, pjesëmarrja në shumë evente letrare aty, si dhe mundësia e dhënë  për botimin e librit të parë në italisht “Soft Poesie“ më ka dhënë emocione të papërsëritshme.

– Qysh në fëmijër dallohej talenti juaj letrar, kur përkon poezia e parë, kujt i dedikohet dhe kush ta dha vlerësimin më të bukur?

Poezinë time të parë ja dedikoj atdheut,  një impresionim i imi qysh fëmijë; si e shikoja atdheun, njerëzit e thjeshtë, vetë prindërit tanë. Pra në fund të fundit atdheu është natyra dhe vetë njerëzit që punojnë për ta ndryshuar atë. Vlerësimi më i bukur;  leximi i poezive të mia përpara studentëve të tjerë, të ftuarve në aktivitete të ndryshme .

-Keni një poezi moderne – filozofike, pse këmbëngulni tek kjo poezi? Kush është e veçanta e saj? Pse kërkon të padukshmen në to?

Nuk është këmbëngulje ose përpjekje e sforcuar për të qenë pjesë e poezisë. Nëpërmjet poezisë unë arrij të komunikoj sensacionet dhe mendimet e mia. Është lirshmëri për të përcjellur ato ndjesi të pazakonta, deshifrim ngjyrash, që më rrëmbejnë dhe më bëjnë pjesë të pandashme. E veçanta ? Unë nuk ulem kurrë të krijoj një poezi. Vargjet mbërrijnë tek unë papritur dhe më imponojnë që ti konkretizoj në letër. E padukshmja më ka tërhequr gjithmonë.  Nuk jam ndalur kurrë në aparencë, tek sipërfaqësorja, por kam kërkuar gjithmonë për të ndjesinë dhe deshifrimin e pamundësisë për të kapërcyer kufijtë kohë.

-Si u prit vëllimi juaj i parë poetik në Itali dhe cila shtëpi botuese u bë mbështetësja juaj?

Vëllimi i parë poetik poetik  “Soft Poesie“ sigurisht që më krijoi sadifaksion të veçantë dhe ngelet për mua hapi i parë drejt rendjes në rrugën e vërtetë të artit të shkruar. Është për mua një motiv krenarie. Në fund të fundit jam një e huaj që krijon në gjuhën italiane, në atë kulturë që ka hedhë rrënjët e gjithë Rilindjes Evropiane.  Më pëlqeu reagimi i lexuesit, vlerësimi i kritikës atje, komentet në gazetat e ndryshme në Itali  dhe sidomos shënimi i një artikulli “Poetja  shqiptare është një sensacion i papërshkrueshëm”.

-Keni  marrë pjesë në një konkurs me poezi Haijku, si erdhi tek ju kjo poezi dhe si u fute në konkurs. Cili ishte vlerësimi?

Mënyra si u afrova me krijimet Hajku ende më bën të buzëqesh. Para disa vitesh, publikoja krijimet e mia në një faqe letrare drejtuar nga redaktori i një shtëpie botuese italiane. Një ditë publikova aty një trivargsh të sapo shkruar (5 x 7x  5)  dhe redaktori i cili më mbante në vëzhgim (isha e vetmja e huaj aty që prezantohesha me poezi të shkruara në italisht) i befasuar më tha se duhej të vazhdoja në këtë stil poetik, pasi forma e sjellur dhe thellësia e mendimit grishnin dhe  krijonin tjetër urë komunikimi me lexuesin e poezisë.

Në fakt nuk e kujtoja këtë formë letrare nga koha e shkollës dhe për të mos shfaqur këtë mungesë nisa të studioj më pas më shumë për Hajkun. Krijova disa Hajk, të cilat u preferuan nga lexuesit dhe kolegët . Më  ftuan të merrja pjesë në një konkurs internacional të krijuesve të Hajkut me tre krijime të mia. Surpriza më e bukur mbërriti pas një muaji, pasi kisha arritur në finale dhe tre poezi të mia u publikuan në një antologji interesante me titulli “Hajku mes meridianësh dhe paralelesh” . Kjo më dha më tepër siguri  dhe përbënte një tjetër arritje  për mua.

– Edhe në fëmini edhe në rini por edhe sot bën veprime kundra rrymës, që dallojnë nga e zakonshmja, mos vallë keni një shqisë tjetër, apo është thirrja brenda vetes për të thyer disa rregulla strikte?

Më ka pëlqyer gjithmonë ti shoh gjërat nga këndvështrimi im pa u influencuar nga mendimi kolektiv. Në fëmijëri, ky rrebelimi im ndaj disa rregullave (nuk them të gjitha pasi mendoj që janë rregullat ato që mbajnë një shoqëri civile), dëshiroja që çdo gjë që më përkiste të kishte gjurmën time personale. Analizoja çdo informacion të gatshëm në mendjen time para se ta pranoja. Më vinte instiktive të mos merrja gjërat ashtu siç më ofroheshin, por të shkelja në vetvete shumë rregulla shabllone dhe të indetifikohesha si pjesë përbërëse e një qenie njerëzore që kërkon dhe humbet mes absurdit të vet. Nuk di a kam një tjetër shqisë. Mendoj se çdo krijues është perceptiv dhe  i ndjeshëm.

– Sa herë keni ardhur në Shqipëri pas largimit dhe si ju është dukur,? Keni menduar të ktheheni?

Në Shqipëri vij rrallë, pasi familjarët e mi jetojnë këtu. Mendoj se Shqipëria ka bërë shumë hapa përpara, por ka dhe shumë sfida të tjera për tu integruar në Komunitetin Evropian. Duhet punuar akoma në ndërgjegjësimin kolektiv, duhet investuar më shumë në arsim dhe stimuluar më shumë brezi i ri. Duhet ti lemë rinisë përgjegjësinë e të ardhmes.

-Keni ndonjë peng në atdhe ?

Dua që Shqipëria dhe shqiptarët të zënë në Europë vendin që meritojnë e të mos harrojnë prejardhjen dhe vlerat  që  kemi si komb.

-Në krijimet tuaja vihet re një lidhje enigmatike që keni me Universin, çfarë tregon kjo, mos vallë jetoni mes dy botësh, kësaj tokësore dhe Ufo-ve si jashtëtokësor?

Është pikërisht hapësira që ndan të dukshmen nga e padukshmja, që më ka intriguar gjithmonë. Aty kërkoj… Ajo që shohim është një pjesë shumë e vogël e asaj që ekzisto .

-Ku e ndjen veten më mirë Julja në poezi apo prozë? Jeni para një romani mendoni se po thyeni disa tabu në të ashtu si në përditshmërinë tuaj?

Më lart fola për poezinë. Ajo vjen tek unë  krejt natyrshëm, shpesh prepotente, me efekt adrenaline që me fut në një gjendje ekstaze e dhimbjeje. Poezia ndryshe nga proza është kapriçioze, nuk arrij ta komandoj, duhet ta pranoj ashtu sikurse vjen . Ndryshe ndodh me prozën. Aty mendimet kanë një rregull e zhvillohet në tjetër formë. Proza kërkon më shumë kohë, ndjek hallkat e saj, ruan formën dhe idenë, ndjek zanafillën e mendimit dhe përherë në unison me gjithë përmbajtjen.

-Ç’është dashuria për ju dhe a ka dashuri të përjetshme?

Dashuria e vërtetë  është një ndjenjë hyjnore. Jemi gjithmonë në kërkim të saj, derisa në këtë endje universale  kryqëzohet trupi me shpirtin .

 

Intervistoi:  Albert Z. ZHOLI

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s