Giovanni Pascoli
Kalendari poetik: Giovanni Pascoli (1855-1912)
Sot më 31 dhjetor fletën e fundit të kalendarit poetik për vitin 2018 e pret poeti dhe akademiku italian Xhovani Pàskoli, një nga poetët më të shquar të fundit të viteve ‘800. Bashkë me D’ Anuncion qe ndër përfaqësuesit kryesorë të rrymës letrare të dekadentizmit në Itali. Mbetet një nga mjeshtrat e gjuhës dhe poezisë italiane. Ja shqipërimi që mbyll këtë vit:
MACJA
Qe një mace pa zot, e dobët, plakë,
me një klysh të vogël, doli njëherë,
qe natë, si tani, dhe frynte erë,
shfrynte stuhia, brenda, mu në vatër.
Mjaulliu te dera, sikur u lut,
pashë dhe të birin që rrinte në bisht,
të voglin shtyu tek unë, ëmbëlsisht,
pastaj nëpër natën e errët u zhduk.
Ç’natë tmerr, oshëtimë bubullimash!
Lot, ulurima si prej të sëmuri
era sillte nga shkretëtir’e humbur.
Shiu rrebesh, flakë shkrepëtimash
shkapetej në dritare dhe tek muri.
Klysh’ i vogël qetë gërrhet, i lumtur.
© shqipëroi Maksim Rakipaj