Petrit Ruka vajton Dilinë (Përsiatje për poezinë “Nënë ç’ma bëre Dilinë” të Petrit Rukës) / Nga: Timo Mërkuri

Petrit Ruka vajton Dilinë

(Përsiatje për poezinë “Nënë ç’ma bëre Dilinë” të Petrit Rukës)

 

Nga: Timo Mërkuri

1-Gjatë leximit të poezisë “Nënë ç’ma bëre Dilinë” të Petrit Rukës me motive nga vajtim-kënga  popullore me të njëjtën titull, të krijohet një ndjenjë  angështimi shpirtëror, ku ngulçet e dënesave të brendëshme,  shkaktuar nga përjetimi i poezisë, vijnë gjer në grykë dhe shpërthejnë nga buzët në formën e…logatjeve. Kështu kalojnë rreshtat e shkruar, lexo e logat vargjet dhe fshij sytë që të   përloten vetvetiu. Ndoshta për këtë shkak, gjatë leximit, edhe pikat në fund të  vargjeve të duken si pika loti, rrënë në letër, ndërsa presjet të ngjajnë me pika loti me çastin e këputjes nga qepalla. Si për të plotësuar ritualin edhe  zanoret  të duken se po kërkojnë njera-tjetrën për t’u bashkuar në klithmën vajtimtare “oi, oi”.  Vargjet me natyrë vajtimi të krijojnë një ambient mortor në shpirt dhe ti nuk gjen qetësi gjatë leximit. Madje shumë vargje i lexon në këmbë, duke ardhur rrotull nëpër dhomë, pa kuptuar se po bën ritualin pozicional të “Vajtimit të burrave”. Aty nis e i logat përvajshëm, madje duke haruar të kujdesesh që mos  të të shohin pjestarët e tjerë të familjes. Se kjo ndjenjë përvajimi që të pushton shpirtin është  zotëruese dhe  gjithëkomanduese. Është nga ato ndjenja që e mposhtin burrin dhe e përgjunjin trimin. Është ajo ndjenjë që lindi “Gjamën e burrave”  apo “Vajin e burrave”. Madje dhe logatja që të vjen vetvetiu gjatë leximit, nga kjo ndjenjë  buron dhe duke ecur nëpër ‘të, të krijohet bindja se ky krijim i Petrit Rukës nuk është një vepër letrare e shkruar mbi letër, si produkt  frymëzimi i kohëve tona por është një vaj i vajtuar në mort nga një burrë, si shpërthim i dhimbjes së shpirtit për vdekjen e gruas së tij.  Shikojeni poezinë, dhimbja në ‘të të duket e tanishme, e pranishme, jetësore. Gjithçka e prek me dorë e sheh me sy dhe  e lag me lotë.

2-Poezia mbështetet mbi motivin e vajtimit të njohur popullor me emërtimin “Nënë ç’ma bëre Dilinë”, madje vargjet e këtij vaji të hershëm janë pjesë e poezisë së Petrit Rukës, ashtu si vazhdojnë të jenë në vend gurët e themelit  në një shtëpi të porsa riparuar.  Realisht  vajtimi i hershëm ka aritur tek ne me një tekst të shkurtër[1]. Kohërat kanë sjellur  vetëm thelbin, bërthamën e vajtimit, e cila, si çdo bërthamë,  kur bie në tokën dhe klimën e përshtatëshme, shpërthen filiza të rinj që rriten si pemë degëshumë. Dhe kjo poezi e Petrit Rukës është shpërthimi i kësaj bërthame dhe jo një shartim i një poezie të re mbi një trung të vjetër vajtimi. Le ta shohim lidhjen e poezisë së re me vajin e vjetër. Vajtimi nis me vargjet…Dola në port’ të avllisë/N’emër i fola Dilisë/Dili fola, Dili s’ka/Dilia më dekëka …ndërsa poezia e Petrit Rukës qysh në fillim nis më e plotë… Dilí, fola, Dilí s’ka,/tek portë e avllisë,/pashë sytë e qyqes, ngriva,/qe sipër çatisë…duke përdorur si themel të strofës  një varg të vajtimit, por dhe duke   na ngrirë gjakun me ato sytë e qyqes sipër çatisë. Pasi e përmënd  në katër strofa vargun …Dili fola, Dili s’ka … shpërthen në strofën e shtatë  me vargjet….Dil, Dilí se më griu era,/si meit në shkallë,/një në prag e një tek dera,/fati na do gjallë.. duke përdorur  peisazhin e  fundmë të legjendës së Doruntinës …Një në prag e një në derë…por duke  ëndëruar që fati ti donte ndryshe, të gjallë. Por ja që fati qënkish shkruar i zi  për këtë çift aq shumë të dashuruar.

Le të shohim  lidhjen e poezisë me vajin edhe në një rast tjetër, aty ku burri i drejtohet nënës. Te vaji teksti është…Nënë ç’ma bëre Dilinë/Un’ ta lashë si florinë/Ti ma trete si qirinë… ndërsa Petrit Ruka na jep këtë tekst poetik, i cili i ngjan të tepërmi një vajtimi… Nënë ç’ma bërë Dilin-ë, /Nënëzeza, kuterinë,/unë ta lashë si florin-ë,/të luta si perëndin-ë,/si nëna, që rrit jetim-ë,/si guri në rrokullim-ë,/si një qelqe në çmendin-ë,/ti ma trete si qirin-ë…, madje duke i dhënë një peshë më të rrëndë zanores “ë” në fund të çdo vargu, të ngjashme me rënkimin e vajtores kryesore në grupin e vajtoreve në mort. Theksojmë se pasqyrimi i rolit të kësaj  zanoreje është marë direkt nga vaji origjinal dhe të bën përshtypje natyrshmëria e qëndrimit të saj te poezia e Rukës.

2.1-Sido që ti analizojmë këto dy tekste konkludojmë se: Jo vetëm që poezia e Petrit Rukës nuk është një shartesë mbi vajin e hershëm, por duke analizuar vajin konkludojmë se pikërisht te  ky vaj ka dy “shtresa” vajtimi. Shtresa e parë është vajtimi i burrit për gruan Dili të vdekur dhe shtresa e dytë është  dialogu i të gjallit me të vdekurin te vargjet: Ku ke rënë moj trëndelinë/Pse s’dëgjon mua të zinë/Të dëgjoj e qaj me lot/Por jam thellë e nuk dal dot.

Realisht në asnjë rast  vajtimi në shtëpinë e mortit nuk prodhohet një dialog i tillë. Mund të ketë ndodhur që edhe këtë dialog ta ketë krijuar  burri-vajtues i Dilisë, por kjo llogjikisht ka ndodhur gjatë vajtimit te varri i gruas, atëherë kur mori shatin dhe kazmanë dhe vajti që ti hapte varrë.. pra në një periudhë të mëvonëshme nga vajtimi i pare, pavarësisht se  kjo mëvonshmëri është disa orë apo disa ditë.  Kjo “mëvonshmëri” ka patur një tjetër gjëndje emocionale..Këtë konkluzion e nxjerrim nga fakti se te dialogu i mësipërm shkalla e dhimbjes është pak më e “ftohtë”dhe vargjet janë më të menduara dhe jo instiktive si te pjesa e parë.

Këto dy gjëndje emocionale (vajtimi në shtëpi dhe vajtimi te varri) nuk mund të bashkohen  në një, pikërisht për  ndryshimet kohore, emocionale, zakonore, vendi i vajtimit etj, që ato kanë ndaj njera tjetrës, pavarësisht vlerave artistike të arira në të dy vajet.  Është njësojë si  mbi një unazë floriri të derdhim një shtresë tjetër floriri të shkrirë, me mendimin që ta bëjmë më të trashë apo më të bukur unazën etj. Në dukje floriri i shkrirë, derdhur mbi  floririn e parë (psh unazë) është bërë një, por kjo është vetëm një dukje sipërfaqësore dhe bashkimi është  jo jetë gjatë, pasi në vendbashkimin e  tyre kanë depërtuar elementët atmosferike, (ajër, avull) të cilët veprojnë si agjentë ndarës në një kohë të mëvonëshme. Për këtë arsye mjeshtrat argjendarë, kur duan të bashkojnë dy zbukurime floriri, i shkrijnë  të dy copat  dhe e derdhin floririn e shkrirë, të përfituar, në një formë të re të vetme, psh varëse apo unazë e trashë. Kjo “shkrirje e përbashkët” e vargjeve të florinjta të dy vajtimeve nuk ka ndodhur te varianti që na ka mbritur ne nga vaji dhe këtë e kuptojnë vetëm vajtoret ose njohësit e vajeve.

Është Petrit Ruka ai që e ka  shkrirë vajin e hershëm dhe  frymëzimin e tij në një, duke e derdhur “floririn’ e ri poetik të shkrirë,  në një formë të re, që është poezia e tij. Prandaj ajo duket më e plotë si flori, por edhe si strukturë poetike dhe si traditë zakonore. Një flori poetik që mund të mbulojë defiçitin poetik të letërsisë sonë këto vite, ashtu siç mund të mbulojë defiçitin buxhetor të shtetit gjetja e një thesari të mjaftueshëm në gërmimet arkeologjike.

2.2-  Pyetja që do ngrejë ndonjë lexues është se a vajtojnë burrat shqiptarë dhe sidomos a vajtojnë për gratë e tyre? Unë do ti përgjigjesha me një “Po” të  fortë. Letërsia dhe folkloristika shqiptare është mbushur me  shëmbuj të tillë, por unë do tu sjell vetëm dy. I pari Çajupi, me “Vaje” të tij të famëshme që nis me vargjet…Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë/ Lotët që kam derdhur ende s’më janë tharë..për të aritur te klithma… Doje drit o qiell, more dritën time/Dhe ma mbushe jetën plot me hidhërime…duke e mbyllur me revoltën njerëzore…Tani rroj pa shpresë ndaj s’dua të rroj/Se dhe perëndinë tani s’e besoj

Por unë po ju sjell edhe një këngë-vaj popullore…Dëgjojeni ju lutem…Vito m’u bëre në gjumë/Aman moj Vito/ Sikur m’u mbyte në lumë/Pas teje rrashë dhe unë/Se të kam dashurë shumë….Pamja është sa fantazmogorike aq dhe reale. Nuk e kuptojmë në se është ëndër apo realitet mbytja e Vitos dhe më pas vetëmbytja e burrit.   Në fakt, mbytja mund të jetë metaforike, pasi çdo mënyrë vdekjeje e gruas është një mbytje për burrin, në mos në lumin ujëshumë, ai do mbytet në lumin e halleve të jetës. Dhe sa shumë të dhëmb ai pohim i sinqertë i këtij burri të ashpër ku bëlbëzon…Se të kam dashurë shumë…   Unë ju siguroj se kjo frazë , ndoshta e

pëshpëritur lehtazi, ka ushtuar si gjëmim rrufeje  në atë heshtje morti.

Le të mos e kërkojmë çdo gjë në letërsi. Edhe sot  pilurjotët dhe banorët e fshatrave të thella

të Bregdetit Himariot, pavarësisht se ku banojnë, e ruajnë  zakonin e “Vajtimit të burrave” madje edhe vajtimin me ligje për gravtë e vdekura, qofshin ato nëna, vajza apo gruaja. Këtë e kemi jetuar dhe e jetojmë në familjet tona dhe nuk kemi nevojë për dëshmi dokumentare nga të tjerët. Te libri im “Ku hardhia pikon vesë” kam publikuar disa nga vajtimet e tim eti për nënën time vdekur në 1968. Kur e dëgjova atëherë, fëmijë 13 vjeçar, më ngjau im atë si një mal i gremisur. Por më von kuptova se ky mal ishte plot thesare, lisa e lule.

Petrit Ruka

2,.3-Kemi treguar dhe vërtetuar se kënga iso-polifonike e ka burimin te vaji me ligjërime i grave, por sot shtojmë,…  pa përjashtuar nga ky proces edhe kontributin e burrave me “Vajtimin e burrave” apo me “Gjamën e burrave”.  Por jo vetëm kënga iso-polifonike. Eposi i kreshnikëve ka një perlë me vlerë të madhe dëshmuese, veç vlerave artistike. Kënga “Ajkuna kjan Omerin” është një vajtim real i ngritur në piedestalin e këngës sonë popullorë. Duhet të themi se  ky proces nuk i përket vetëm periudhave të herëshme të jetës së kombit tonë. R. Sadiku ka publikuar një këngë[2] me origjinë vajtimi për vuajtjet e shqiptarëve të vrarë e masakruar, të gjymtuar e përzënë nga tokat e tyre në Sanxhakun e Nishit (Nish, Leskovc,Vranjë, Kushumli, Prokuple) prej ushtrisë serbe në dimër të vitit 1877-1878, duke dëshmuar funksionimin e laboratorit krijues të shndrimit të vajit në këngë në kohën tonë.

Por mbi truallin e vajit nuk ka mbirë vetëm kënga. Aty gjejme edhe pikturën e skulpturën, dramën, e tyragjedinë, letërsinë në përgjithësi dhe poezinë në veçanti. Faktin e lindjes së poezisë në truallin e vajtimit e shohim më së miri edhe në poezinë “Nënë ç’ma bëre

Dilinë” të Petrit Rukës.

3- Por, para se të vazhdojmë, le të sqarojmë se çfarë është “Gjama e burrave” në trevat veriore ose “Vajtimi i burrave” në zonat jugore dhe jugperëndimore të vendit tone që i përmë-ndëm më sipër.

“Gjama e burrave” në zonat veriore dhe “ “Vajtimi i burrave” në zonat jugorë e jugperëndimore  është një rrit mortor kolektiv i hershëm i kombit tone, pjesë e  atij riti që quhet      “ Të qarrët me bot”. “Të qarrët me bot” është vajtim me klithma e ulërima, që shoqërohet me

gjestilacione vetëgjymtuese si çjerrja e faqes, shkulja e flokëve, goditja e kokës në mur, rrahja e

gjoksit me grushte, hedhja e dheut apo hirit mbi flokë  etj. Është ceremonial  mortor  që

praktikohej nga populli ynë në kohë të herëshme prej nga e ka burimin edhe“Vajtimit me ligje” i

grave,  i sotëm .

“Gjama e burrave” mbahet vetëm nga burrat dhe vetëm për burrat. Në këtë rrit gjamatarët (që zakonisht janë dhjetë e më shumë) e vajtojnë publikisht të afërmin  e tyre të vdekur duke gërvishur fytyrën e duke goditur gjoksin me grushta ndërsa vajtojnë me fjalët: O i mjeri unë për ty oi…

Në  një sërë shkrimesh të publikuara thuhet se “Gjama e burrave” e ka fillesën me vajtimin e Lekë Dukagjinit në Lezhë më 17 Janar 1468,   ditën e vdekjes së Skënderbeut. Kjo datëlindje e ritualit nuk është e saktë. Lekë Dukagjini dhe ushtria shqiptare në Lezhë shprehen  dhimbjen e tyre për vdekjen e Gjergj Kastriotit sipas një rituali tradicional të popullit shqiptar, ritual i cili ishte pjesë e jetës arbërore me origjinë ilire..

“Gjama e burrave” dhe “Vajtimi i burrave” është ritual  kolektiv, karakteristikë e riteve mortore  shqiptare dhe parashqiptare.. Plutarku te legjenda e Panit të Madh në Butrint na tregon për vajtimin kolektiv të nimfave të Butrintit kur u dha lajmi i vdekjes së Panit të Madh.          Demont shkruante se :-Kjo mënyrë vajtimi e malësorëve shqiptarë ka lidhje me antikitetin, si dëshmohet në shkrimet e Herodotit, i cili fliste për vajtimet kolektive të ilireve”.

Historiani bizantin Mihail Apostoli[3] në vitin 1437, shkruan se “ilirët taulantë vajtonin njëlloj si kretasit” ,duke e patur fjalën për rite të lashta helene të përshkruara nga  historianët e antikitetit.

Etnologu Bledar Kondi, shkruan se “të dhënat më të hershme mbi gjamën e burrave dëshmohen nga Herodoti, i cili flet për ekzistencën e vajtimeve kolektive të fiseve dardane”…

Duhet të theksojmë se qysh në gjallje të Skënderbeut, në Kanunin e Lekë Dukagjinit[4] u përcaktuan edhe rregullat e gjamës së burrave dhe konkretisht te Libri XII, Nyja 24, në dhjetë paragrafe (§1235 – 1245), janë përcaktuar rregullat për burrat gjamtare dhe për gratë vajtuese, ku përcaktohet se gratë vajtojnë duke shkulur flokët, ndërsa burrat vendosen në formë gjysëm rrethi

përballë të vdekurit dhe vajtojnë tuj çjerrë fytyrën e gjoksin e duke rrahur ritmikisht gjoksin.

  1. Tu bâ gjâmë burrnimi, grrishten edhè tundin krahnorin[5].
  2. Grate vajtojn, por nuk grrishten.
  3. Porsa të vêjn kamben në katund të të dekunit miqt, do të vêjn në krye jakzat e gjurdijavet.
  4. Kanû âsht me bâ gjâmë mbë të dekunin tri herësh dhe tuj persritun fjalen “I mjeri unë!”

dhe tuj hudhë kambën kah i dekmi nandë herësh”.

  1. Gjâmtarët rreshtohen, tuj ba gjymës rrethit me ftyrë kah i dekuni.

Madje  përcaktohen edhe radhët e gjamës që janë a-“Gjama e gjakut” e cila bëhet nga fisi i babait të të ndjerit, b-“Gjama e qumështit” që bëhet nga njerëzit e fisit të nënës të të ndjerit dhe  c- “Gjama e gjaksit” që bëhet nga gjaksi, personi që vrau të ndjerin. Po kështu në Kanun specifikohet edhe fakti se nusja dhe i vdekuri përcillen në mbrëmje.

Kjo traditë vazhdoi edhe pas kohës së Skënderbeut dhe për këtë na sjellin dëshmi e fakte rilindasit tanë Pjetër Budi (1612), Pjetër Bogdani (1672), Frang Bardhi (në relacionet e vitit 1641), Vinçens Dorsa (1847), Dora D’Istria, Zef Jubani, Jeronim De Rada, At Shtjefen Gjeçovi, At Nikoll Ashta, Vinçens Prenushi, si dhe shumë studiues te huaj ndër të cilët rendis J. Georg von Hahn (1853-1854), Maksimilian Lambertz, A. Dumont etj[6].  .

Në vitin 1670, kronisti turk E. Çelebia, gjatë vizitës në Gjirokastër ka asistuar në ceremonialin

e një varrimi dhe  shkruan se :” … vajtonin të gjithë të afërmit e të vdekurit dhe disa gra…, të cilat qanin me ulërima … Ky është qyteti ku “qahet me ligje”.

Në vitin 1637 misionari Rodini, në kujtimet e tij dëshmon se “burrat shqiptarë qajnë e bërtasin

me të madhe më shumë se një gjysmë ore, bërtasin bashkarisht më fort nga ç’kanë bërtitur izraelitët në vendin e Hananit ku kanë varrosur Patriakun Jakov”.

Ky ceremonial mortor i përcjelljes së të ndjerit me gjamë, vaje e ligje dëshmohet i pranishëm edhe te arbëreshët tanë në Itali, arvanitasit në Greqi dhe përgjithësisht praktikohet kudo ku ka shqiptarë të emigruar apo pasardhës të tyre, që i kanë ruajtur doket dhe zakonet amtare.

Theksojmë  se gjama si dhe vaji i burrave bëhet kryesisht me vargje, ndonëse te “Gjama e

Burrave” në Malësi përgjithësisht nuk kemi një formësim të vargut tradicional, por i ngjan më shumë një naracioni të lire, me vargje  të improvizuara, ku vlerat ja jep më tepër  fonetika e frazeologjisë  dhe emocioni që shkakton.

Te “Vajtimi i burrave”  rrallë ndodh që  vargjet e vajit të mos jenë në formësim tradicional

pasi zakonisht janë vargje të regullta, të zgjedhura e me shije artistike, që u përafrohen vargjeve të vajeve të grave, të cilat janë perla poetike.

Në “Gjamën e burrave”  burrat nuk bëjnë gjamë për gratë (femrat) e vdekura, qofshin ato të afërme  apo bashkëshortet e tyre. Kjo konsiderohet “marre”, turp, ç’burrërim.

Në “Vajtimet e burrave” burrat vajtojnë me ligje (ligjërime) jo vetëm  për burra (meshkuj) por edhe për grate(femrat) e rrethit të ngushtë familjar siç janë nëna, motra, vajza, gruaja etj.

Karakteristikë  e “Vajtimit të burrave” është edhe fakti se ky vajtim mbahet kryesisht në këmbë, disa dhjetra metra para   hyrjes  në shtëpinë e mortit, në dhomën ku mbahet i ndjeri dhe në ceremoninë e varrimit . Gjithashtu mbahet shtëpinë e mortit në ditët e mëpasme. Sipas afërisë mund të mbahet vaji edhe disa vite pas vdekjes kur është shumë i afërt (vëlla, motër,djalë,vajzë, grua, nënë)..

Ndodh që  “Vajtimi i burrave” të shoqërohet edhe nga vaji i grave ashtu si edhe “Gjama e burrave”.

4- U çmënda po lidhmëni…  Lexon këtë varg dhe të tjera që vijojnë dhe të vjen të t’i thuash poetit: -Po shyqyr që e more vesh që je bërë për t’u lidhur more Petrit Ruka, se ne s’dinim si të ta thoshnim.  Po pse more Petrit, a shkruhen në kartë vargje si këto që shkruan zotrote… Do iki, malet do marr, /do marr kazmën t’i hap varr’/të shoh se ç’nur i ka rarë[7]/nur i kuq a nur i bardhë…ë, a shkruhen? Nuk e di ti që ka dhe njerëz të sëmurë nga zemra  dhe po i dëgjuan këto vargje, nuk dëgjojnë më gjë tjetër në këtë botë? Nuk e di ti  që edhe djalë i ri të jeshë, këto vargje të thinjin brënda një çasti? Provoje t’i thuash në  mes të maleve të Tepelenës dhe ke për të parë zotrote si do gremisen malet me lemeri, si nga një tërmet nëntë ballë. Këto vargje more Petrit Ruka sokëlliten vetëm në breg të detit. Se deti  është i madh e i gjërë,  i mer me vete këto va(j)(rgj)e, i fut në gjirin e tij, diku aty nga mesi i detit dhe pastaj, me një bubullimë si nga fundi i dheut, ngre male dallgësh e qëllon bregun me ‘to, ashtu si gjamatarët qëllojnë gjoksin me grushte gjatë ceremonialit të “Gjamës së Burrave”.  Pastaj, dale pak, ku do vesh zotrote me kazëm në dorë? Do vesh të hapësh varrin? Po nuk e di ti që varrezat janë  të zotit dhe jo të njeriut? Apo do zësh gjyqin me zotin zotrote, se vete e the që… do të hap me zotin gjyqe…  Ku do i gjesh ata gjyqtarë të ndershëm e të drejtë sot?  Apo mos do e bësh siç tha Noli që… Shqiptarët kur zemërohen me zotin i ndezin qiri shejtanit.

Është elegante mënyra me të cilën poeti duke future në poezinë e tij disa vargje gjasme me fryme fetare… fryma nga brinjët e mia,/ bekimi nga Shën Mëria… na kujton që vaji është i periudhës para myslimane, duke na afruar si datëlindje të vajit original periudhën para viteve 1650 kur filloi myslimanizimi i Labërisë. (Deri në vitet 1750  myslimanizimi i Labërisë mori përmasa të gjëra për tu ndërprerë në vitin 1821, me vdekjen e Ali Pashë Tepelenës).

Le të shohim elegancën e futjes së elementëve zakonorë te fjalët drejtuar nënës[8]  …Nënë ç’ma bëre Dilinë/Un’ ta lashë si florinë…Krahasimi …si florinë…  mbart dëshminë e traditës sipas së cilës vetëm nuset mbanin varëse, unaza e gjerdanë floriri, që përfaqsonin rininë dhe bukurinë ndërsa gratë e moshuara mbanin gjerdanë dhe unaza argjëndi, si dëshmi e një moshe të shkuar.

Dhë shih se sa i florinjtë është portreti i nuses së vdekur, gdhëndur në shpirtin e poetit:- Nënë ku është Dilija,/fryma nga brinjët e mia,/vesa që me buzë e pija,/réja me të cilën flija,/prilli që del nga korija,/vera që del nga hardhia,/buka ku shuhej uria,/bekimi nga Shën Mëria!/…. Një portret të tillë do e ëndëronte çdo vajzë apo nuse e re të gdhëndej apo pikturohej  nga i dashuri apo bashkëshorti i saj i ri.

Sa bukur që e përshkruan poeti luftën për egzistencë të nizamit të ri, vetëm e vetëm që të kthehej gjallë, jo për vete por për ta bërë të lumtur nusen e tij (sa të ketë Dilí, nuk

vdes,”) … Dilí, fola, s’ka Dilí,  /dil, se unë, Arabisë,/për ty mbeta gjallë!/Dil se urën e Qabesë,/ vetëm unë e hodha,/“sa të ketë Dilí, nuk vdes,”/vdekjes sytë ia vodha…/Për ty munda shkretëti-rën ,/etjen gjer në eshtra?/pija sytë e tu me gllënjka,/si krojet në vjeshtra./Munda vapën e pabesë ,/si një gozhdë mes ballit,/se përplasje ti qerpikët,/frynte erë e malit. E cila vajzë nuk do ta dashuronte gjer në marrëzi një djalë të tillë? Unë dëshiroja tju kujtoja se këto nuk janë thjeshtë vargje poeti të frymëzuar. Këto vargje poeti përshkruajnë një histori të vërtetë, pavarësisht se në kohë të tjera. Po a nuk kemi ëndëruar dhe ne në adoloshëncën tonë heroizma e trimëri për vajzat e bukura të klasës apo lagjes. Është bukur të mbajmë gjallë këtë frymë romantizmi sepse jeta ka nevojë për ‘të ashtu si mali ka nevojë për lule, jo vetëm për lisa.

Dhe  pasi e përfundojmë poemën na vjen të rinisim logatjen, e pse jo edhe vajin te vargjet … … ku ka jetë pa Dilinë,/as lisat në këmbë rrin-ë, /as zogjtë krojet s’i pi’në, /as ndrit hëna, as ngroh dielli, /shi i kuq do bjerë nga qielli,/jetës i ka sosur mielli… ku u tret e ku ka rënë,/tërfili që mbin në hënë,/molla në degën e lënë,/hënë e pjekur, e pangrënë…oi….oiiii…..

Sarandë, më Nëntor – 15 Janar 2019

[1] Realisht vaji i hershëm me siguri ka qënë më i plotë, më i strukturuar në hershmërinë e tij, por koha ka sjellur vetëm një pjesë të tij  tek ne, atë që njohim si vaji “Nënë ç’ma bëre Dilinë”.

[2] Shyptarzitë sa shumë vajtojnë,/T’gjallë e t’dekun po i trishtojnë!/Kajnë të dashnit qi u kanë dekë,/Mallkojnë veten qi gjallë kanë met!/S’kanë mjaft lot o me vajtue,/S’kanë forcë o n’kam  mu que,/S’kanë lopata vorret  mi marue!/ Nga tre veta n’ni vorr  pi  lshojnë,/Veç me borë o shumë  pi  mlojnë…”

[3] Lutfi Alia  “Riti i vajtimit në Kanunin e Lekë Dukagjinit – Apologjia e jetës

[4] Po aty

[5] Paragrafët citohen në dialektin original të Kanunit.

[6] Po aty

[7] I ka rënë

[8] Edhe te kjo baladë e herëshme, personazhi i nënës është primar, por ndryshe nga personazhi komandues i “Zonjës mëmë” te Doruntina, ky personazh është nën goditje, gjë që përjashton cilësimin e periudhës matriarkale si datlindje të vajit.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s