Jetësimi i një poezie / Nga: Zhuljeta Grabocka Çina

Natasha Lako

Jetëgrabitësit”
Shkruar 1989-1990
SHKËPUTUR nga vëllimi “Natyrë e qetë” maj 1990

Jetësimi i një poezie

Në kuptimin universal fjala “jetë” përfshin të gjitha ngjyrat e spektrit, ku njeriu realizohet si qenie biologjike dhe sociale. Historikisht në gjuhën shqipe, fjalët e përbëra me dy ose më shumë tema rrënjore janë krijuar përmes pranëvënies. Kompozita “jetëgrabitësit” semantikisht përjetohet si një proçes i shtrirë në kohë dhe i pavarur nga individi. Ky proces është i ndikuar nga rrethanat dhe është “asgjësues” e i papranuar si “një gjest” në të drejtën hyjnore të ripërtëritjes së gjeneratave në rrjedhën e epokave historike. I përdorur si titull poezie, nënteksti e fuqia përgjithësuese tejkalojnë përmasat e një gjetje poetike rastësore. Ai përgjithëson një dukuri, një realitet historik, atë të filozofisë deheroizuese.

Kanë kaluar tri dekada nga krijimi/botimi i kësaj poezie, e megjithatë e lexuar rishtazi, më shumë se një bashkëbisedim epik midis “atyre dhe nesh”, më shumë se një tablo konstatuese mbi statuskuonë e fundviteve ’80, kjo poezi shpreh nevojën e çlirimit shpirtëror të poetes Natasha Lako. Përpos shenjës që la në kohën kur u shkrua, idetë e saj edhe sot janë aktuale për të ndarë me lexuesin mesazhe intelektuale e konceptuale të kësaj natyre. Vargu i parë i poezisë strukturohet me një theks logjik që bie mbi përemrin vetor ata në kuptimin më përgjithësues të veçimit konkretizues. Gjuha e shprehjes poetike i nënshtrohet intuitës proverbiale të narrativitet të fatit njerëzor:

/ Në fillim ata thanë thjesht, / Të kemi bërë nder,…

Si fillimi i fillimeve kjo i shkon përshtat kontekstit historik të çdo kohe, pa u ndalur në thelbin e antagonizmit të të vërtetave historike, pa kërkuar rrënjët shkak – pasojë. Uni lirik zotëron dinamikën e brendshme të ligjërimit. Ai nuk dialogon, por portretizon njeriun dhe sendërsimin ndërgjegjësor të tij përpara ikjejeve dhe ndjesisë së mallit pakthim që do të shoqërojnë shoqërinë shqiptare, pas viteve ’90 të shekullit të kaluar:

/ nga ana jote është hedhur zemra që ke….

…dhe kulmon duke na troditur me atë që jo çdokush, aq më tepër po të kemi parasysh letërsinë e angazhuar të realizmit socialist, do të mund ta shprehte kaq hapur në atë kohë këtë:

/ Të gjitha të tjerat, të gjithë të tjerat, sa shihen, sa s’shihen,/ Janë për ne.

Në spektrin tematik të krijimtarisë së Natasha Lakos, njeriu i kohës përfaqësohet i çertifikuar, i ndërkallur e i përthyer në problemet sociale të ditës. Kjo ndodh edhe në skenarët e filmave të realizuara prej saj. Te poezia “Jetëgrabitësit” tabloja historike mishërohet duke përvijuar tiparet e një poezie postmoderniste me objekt njeriun universial e natyrën universiale. Poezia e saj pas kësaj kohe do të përfitojë një forcë më të madhe abstraguese që do të jetë risi e botimeve të mëvonshme.
Në këtë poezi nuk ka protestë të hapur, por të nënkuptuar. Nuk ka as gjuhë urrejtjeje midis palëve. Natasha tejkalon peshën emocianale të lexuesit bashkëkohor dhe historik. Ajo jep dramën e heshtur të individit postmodernist dhe pamundësitë e tij për të reaguar ndaj një realiteti ku njeriu ndihet i paaftë të veprojë, dhe i diktuar.

/Mund të flasim edhe më për fatin e kokës,/ Si dikur përsëriste çdo qiell dhe çdo dhe,/ Të duhet për vete ajo pare e vogël ,/ Se të gjithë të tjerat, të gjithë të tjerat, janë për ne.

Veçoria e Natashës në këtë prurje poetike është dhimbja për humbjen e vlerave. Vlimi i nënkuptuar i protestës së brendshme nëpërmjet tonalitetit të poezisë jep imazhin e kontureve të supeve të zhveshura të Atdheut, në shkallën më sipërore. Vargu i Natashës nuk ka tonalitetin marcial e entuziast të poezive për Atdheun, që u shkruan në atë kohë, as tonet elegjiake që u ndjenë pas viteve “90, si tek poezia, “Atdheu është dhimbje, kryqi, loti” e Fatos Arapit. Zonjës Lako i mjaftojnë epitet: tokë të zezë, qiell monoton, për të fotografuar kohën gri të fund viteve ’80. Fjala, imazhi e ritmi i poezisë shumëfishon përjetimin. Përsëritja e togfjalshave e antonimia lejtmotivbërëse në vargun e fundit të çdo strofe, jehon si kërkëllitja e hallkave e zinxhirëve në këmbët e duart e të burgosurit nëpërmjet aliteracionit të bashkëtingëlloreve gj / sh . Kjo është e mjaftueshme për të të kujtuar se i gjithë Atdheu është një burg me mure të ajërt! Por Natasha shikon përtej kuptimit nacional të këtij nocioni. Neve të lodhur nga thirrjet e globalistëve, leximi në ditët e sotme i kësaj poezie na e aktualizon fenomenin. Pushteti absolut tiranik i jetëgrabitsëve i ushqyer për ditë me demagogji end rrjetën e merimagës për të rënë edhe vet në të, në një fund të pashmangshëm. Sëmundja e shpëlarjes së trurit, glorifikimi i arritjeve imagjinare, duartrokitjet unison dhe heshtja janë vastare, as më pak dhe sot, në botën e shituar nga reklamat e ofertat mikluese.

/Ke për të gëzuar sytë e e tu, lëkurën,/
/Gjithçka të është dhënë, ashtu si e sheh,/
Është nder që njeri të quhesh!

Hedhja këto ditë e kësaj poezie në statusin e Facebookut prej autores më përforcoi ndjesinë e pavdeksisë së një krijimi të mirëfilltë artistik dhe pse kalon kohë jetësohet për të na thënë e kujtuar:

Fjala vjen drejtësi, a një fjalë të re,
Të drejtë ne kemi të shënojmë mbi lëkurën tuaj dhe zemrën,
Pastaj për të këmbyer ndërgjegjen tonë të vrarë,
Do të mbajmë një himn jete fjalim,
Pa lindje dhe pa vdekje do të themi si të marrë,
Të gjithë të tjerat, sa shihen, sa nuk shihen, janë për ne.

 

Zhuljeta Grabocka
20 Janar 2019

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s