Fadil Kërtusha, figurë e ndritur e plejadës së inxhinerëve në Durrës. ( Diskutim në promovimin e librit “Ing. Fadil Kërtusha- kujtime”, botim i Jozef, Durrës, 2018) / Nga: Fatmir Minguli

Fadil Kërtusha, figurë e ndritur e plejadës së inxhinerëve në Durrës.
( Diskutim në promovimin e librit “Ing. Fadil Kërtusha- kujtime”, botim i Jozef, Durrës, 2018) 

 

Nga: Fatmir Minguli

Eshtë një obligim jo vetëm qytetar por dhe si inxhiner të diskutosh për librin mbi jetën dhe krijimtarinë e inxhiner Fadil Kërtushës përpara një eventi të tillë, që në një farë mënyre është edhe tubim inxhinerësh.
Pikërisht për këtë tubim të veçantë do propozoja të mbanim një minutë heshtje për dy inxhinerët durrsakë që u larguan nga jeta kohët e fundit, për Bujar Hasnedarin, i cili ka shkruar në këtë libër për Fadil Kërtushën me përkushtim të veçantë dhe për Mehdi Shehun, i cili e priti me entuziasëm të madhe këtë libër.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!
Për të folur për librin “Ing. Fadil Kërtusha- kujtime” patjetër që duhet paraprakisht të përshëndeten të gjithë ata specialistë mekanikë, elektrikë, kimistë apo të ndërtimit si dhe qytetarë të shumtë të cilët kanë kontribuar për paraqitjen sa më të plotë të kujtimeve për jetën dhe veprimtarinë shumëplanëshe të inxhiner Fadil Kërtushës.
Por patjetër duhen përshëndetur pjestarët e familjes që bënë të mundur realizimin e librit. Dikush ka thënë se një libër monografik për një person të caktuar është si një përmendore. Po. Ashtu është, një përmendore ku çdo faqe libri shpalos vetitë e një njeriu të veçantë, një intelektuali të palodhur, një njeriu që punonte me një përkushtim të pazakontë, një babai që edukoi fëmijtë e tij me qytetarinë durrsake.
Janë me dhjetra personalitetet e ndryshme që kanë shkruar në këtë libër për krijimtarinë e inxhiner Fadilit. Dhe kudo, në çdo kujtim që ata kanë dhënë kanë skalitur karakterin e veçantë të këtij inxhineri. Mund të them se me këtë strukturë që është përpunuar ky libër është shumë më tepër se një monografi klasike, me të cilat zakonisht jemi mësuar të shohim e të lexojmë. Por natyrisht që ka akoma për të thënë e për të shkruar për novacionet shkencore të këtij inxhineri durrsak.
Fadil Kërtusha vjen i gjallë, e padashje në çdo përcaktim që gjen në libër nga shumë inxhinerë të të gjithë degëve, të duket sikur edhe ti ke qenë në ato momente kur ai diskutonte, projektonte, drejtonte, eksperimentonte dhe kur të jepte kurajo.
Prandaj fragmentin e marrë nga prologu i librit, kisha dëshirë ta lexoja këtu para këtij tubimi:
” Pas shfletimit të kujdesshëm vura re një fletore të tij të axhendave të punës, emra të panumurt njerëzish. Në jetën e tij të përditshme nuk mbante ditar, por në axhendën e tij gjen copëza momentesh, ku shkruante konsiderata dhe vlerësime për to. Shumë nga shokët e tij, të cilët unë i takoj përditë, më flasin me respekt të jashtëzakonshëm për të, dhe më sugjerojnë të gdhend portretin e tij, por gjithmonë mendoj se këto vlerësime dhe konsidertata të panumurta për të do të qëndronin si një vlerë e madhe, që na ka trashëguar ne të katërve, është portreti më i mirë që mund t’i kushtohet inxhiner Kërtushës. ”
Prandaj e përmenda që në fillim se libri që ne po promovojmë sot është një monument lëvizës, ashtu si ka qenë vetë inxhineri në punët e shumta të tij.
Ai punonte dhe edukonte, jo vetëm fëmijtë e tij.
Kam kujtime të pashlyeshme kur takohesha me të mbasdite në pragun e shtëpisë së vjetër të Kërtushëve në kënd të rrugës, e ku nuk ndalonim së foluri për mekanikën bujqësore në veçanti dhe për gjithëçka tjetër për mekanikën, ndërtimin, elektronikën e shumë e shumë të tjera. Nuk pushonte së foluri për zhvillimin maksimal të Filialit të Inxhinerisë në Durrës, përpjekjet e tij të pandërprera me organet përkatëse që çdo uzinë mekanike e Durrësit të kthehej në laborator praktike për studentët. Ai donte një Universitet tërësisht durrsak, donte që edhe përgjegjsat e reparteve mekanikë e elektrikë të vazhdonin filialin e të diplomoheshin, kur ai ndërkohë ishte udhëheqës apo konsulent për diplomantët e inxhinerisë mekanike në Univeristetin e Tiranës.
Ai ishte një vullkan që ishte gjithmonë shpërthente dhe nuk kishte ndalim. Në pozicionin e kryetarit të seksionit shkencor në Komitetin Ekzekutiv të rrethit të Durrësit, ai ishte krejt novator në drejtimin e problemeve shkencore të Durrësit, novator në ide dhe novator këmbëngulës në zbatim të këtyre ideve. Ai kërkonte me këmbëngulje zbatimin e kartave teknologjike në prodhim në sektorët e industrisë mekanike, kërkonte zbatimin e standarteve të projekteve, faktor ky që mungonte në vitet ’70.
Në librin “Inxh. Fadil Kërtusha- kujtime” kalojnë emrat e shquar të plejadës së inxhinerave mekanikë. elektrikë, elektronikë, të ndërtimit, kimistë, etj duke na shpalosur jetën e atyre viteve dhe punën e ndershme të këtyre specialistëve që i jepnin shpirtin punës dhe krijimtarisë politeknike dhe shkencore.
Personalisht e përgëzoj familjen e inxhiner Fadil Kërtushës, për kujdesin jo vetëm për njeriunb e tyre, por kujdesin për të vënë në dukje punën e aq shumë inxhinerëve të Durrësit që së bashku me teknikët e mesëm krijonin plejadën e atyre njerëzve që atëhere shkruhej më pak se sa për sportistët dhe artistët. Plejada e inxhinerëve të Durrësit kishte në brendësi të punës së tyre artin e krijimit, sinfoninë e gëzimit për realizimin e ideve të tyre.
Durrësi, ky metropol ku kryqëzoheshin rrugët detare, hekurudhore, automblistike, ku prodhoheshin makinat bujqësore në rrang kombëtar, ku riparoheshin dhe prodhoheshin anije, automobila e lokomotiva, ku riparoheshin makinat e rënda të ndërtimit dhe të bonifikimit, ku prodhoheshin televizorët dhe elektropompat, serat, kaldajat e elektrodat, ku fabrikat e gomës dhe plastikës, cigareve, ushqimeve, verërave, përfshirë dhe fermat e S.M.T -të rreth e qark këtij metropoli, ishte krenaria e durrsakëve dhe për më tepër e inxhinerave të shumtë e të talentuar.
Libri i ri “Inxh.Fadil Kërtusha- kujtime” mendoj se është hapi i parë në krijimin e një kollane të plotë për shumë inxhinera të Durrësit, të çdo lljo specialiteti qofshin, pavarësisht në se janë larguar nga jeta apo jetojnë akoma. Është detyrë jo vetëm i familjarëve të inxhinerave siç është rasti i librit që po promovojmë sot, por një problem i shoqërisë dhe vetë organeve përkatëse.
Mjafton të sjell këtu ngazëllimin tim kur pashë në faqet e këtij libri skica dhe formula llogaritëse të bëra nga dora e inxhiner Kërtushës, një ngazëllim që të fton për të dhënë kontributin tënd edhe për figura të tjera të ndritura të plejadës së inxhinerëve durrsakë.
Eshtë detyra e jonë, e inxhinerëve më të vjetër që të pasqyrojmë punën e aq shumë inxhinerave të industrisë në Durrës. Le të shërbejë ky libër si shkëndija e parë për hartimin e historikut të industrisë mekanikës dhe degëve të tjera në qytetin e Durrësit.

Durrës 19 janar 2019

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s