KISHTE PARË ËNDËRR / Tregim nga Lumo Kolleshi

KISHTE PARË ËNDËRR

 

Tregim nga Lumo Kolleshi

Pasi ngarkoi dhe skodën e fundit,vinçier Pali,qëndroi i mbështetur për pak mbi leva dhe po vështronte nga perëndimi,megjithëse gjatë gjithë ditës nuk kishte cijatur asnjë rreze dielli.Një mjegull marramendëse kishte mbushur cak më cak luginën dhe i kishte dhënë asaj pamjen e një liqeni të bardhë,mbivendosur mbi liqenin e Komanit (këtë mund ta soditje vetëm nga maja e malit).Mjegulla zuri t’i ngjitej me gulçime përpjetë bjeshkës.Koha do të prishej pa dyshim,për më tepër që ai po ngarkonte trupa në variant dhe rruga nuk të premtonte.Ajo mund të bllokohej nga ndonjë borë e papritur apo nga shirat.Që të mos e izolonte makinerinë,mendoi ta zbriste vinçin në sektor.Kështu nuk do takishte mendjen lart në bog,do të shprehej edhe ai si njeri.
Atë natë,si e shtunë që ishte,në sektor lëvizjet qenë të pakta,pos punëtorëve dibranë të investimeve dhe tek-tuk ndjonjë nga të rruga-urës.Sharrëtarët që i jepnin frymën sektorit,kishin zbritur të gjithë nëpër shtëpitë e tyre në fshatrat që gjendeshin pranë sektorit.Edhe makineri nuk numërohej shumë atë natë në sector.Gjithë-gjithë bëheshin: vinçi i Palit,riportabla e rruga-urës me shofer Islamin nga Elbasani dhe traktori me samar që nxirrte trupat nga thellësia e pyllit.
Pali hëngri darkë dhe erdhi në barrakën me televizor.Aty herë flinte përgjegjësi,herë Pali,herë krerët që vinin nga rrethi,por shpesh mbushej e tëra nga punëtorët,të cilët, pasi I këpusnin një të dremitur nga lodhja,shkonin e humbisnin në botën e ëndrrave nëpër barrakat e tyre.Edhe atë të shtunë Pali u mblodh me punëtorët dibranë.
Si i lodhur që ishte,ndjeu përtesë të ngrihej e ta fikte televizorin.U shtriq disa herë ashtu i shtrirë në krevat dhe,si nuk mund të pajtohej me zhurëm e televizorit,meqë më afër kishte prizën,hoqi spinën.Në dhomë ndihej vetëm soba që brambullinte.Ndërkaq u çua dhe doli jashtë.Thëllimi i ftohtë si brisk ta merrte hundën dhe t’i priste veshët.U kujtua se nuk e kishte hequr ujët e radiatorit,ndaj mori çelësat dhe u gjend pranë vinçit.Ujin nuk ia derdhi prapëseprapë.E ndezi motorin si për ta nxehur dhe të nesërmen vendosi të ngrihej herët.Ngricat ende nuk ishin bërë alarmante.U kthye sërish në dhomë,duke marrë një afsh pranë sobës turfulluese dhe u shtri.
Mëngjesi i nesërm për Palin erdhi më i hershëm. Ca pellgje të hapura nga rrotat e makinave po zbardhnin nën hënën e ftohtë.Kishte ngrirë.Kjo e trembi Palin,që aty për aty zuri të qortonte veten: “Pse e humbe kështu,or burrë?” Po sikur t’i ngjante siç i ndodhi një shoku të vet në park dhe për një nënvleftësim të tillë iu ça radiatori? Megjithatë sepse iu qesh.Sa e sa herë që i heq ujin makinës në stinën e dimrit,i vjen ndër mend ajo inxhinieria e re trupimët,që drejtori e kishte nisur kokë më kokë te shoferët tok me punonjësit e tjerë të administratës pas asaj që ndodhi.Atëherë ai kishte tatër.Ia transmetoi edhe atij urdhrin e drejtorit,por Pali luante arushash me të: “E di sa ujë kërkon kjomakinë,moj çupë?” “Mirë,-ia kishte kthyer ajo,-po shkoj të informoj drejtorin.”
Rrugës për te vinçi takoi Islamin,i cili e kishte ndezur makinën.
-Si ke nje? A fjete?
-Mirë,po ti?-u përgjigj më shkurt tjetri,i pamësuar ende dialektin.
-Për ku kaq shpejt?
-Do të çoj punëtorët në frontin e punës dhe pastaj do të shkoj në Bajramcurr për ca furnizime.
-A kish pas ngri,se nuk ia derdha ujtin mbramë?-pyeti si për të siguruar veten Pali.
Përgjigjia e lehtësoi dhe rendi deri te çezma për të larë sytë.Hëngri edhe mëngjesin e u vesh për punë.
Nuk po u zinte besë syve kur u ndodh përballë vinçit.Gjurmët e një rrëkeje të hollë uji poshttë makinë ku nuk ia degdisën mendjen,por mendimi se mos kishte përshurur ndonjeri,nuk iu duk me vend.Meraku e bëri të ulej i tëri poshtë motorit.I kishin marrë tubin e serbentinës dhe pa të nuk kishte si të bëhej ftohja e vajit në sodokard.Filloi të bluante me vete si ato mokrrat e një mulliri të porsakalitur dhe nuk i dilte asnjë dorë miell për të qenë.Si i sorollati dyshimet e veta andej e këtej,më në fund u ndal.”Gjithë natën e natës,-zuri të fliste me vete,- sektori ka qenë shurdh.Mor,po edhe qeni i Ndojës nuk ka lehur! Sektori është i shkëputur,dreqi e mori!Kush të ma ketë bërë këtë proçkë? Që është dorë e sprovuar,këtë nuk e luan as topi.O shofer,o mekanik ka qenë.Pa prit!-e ndali veten.- Me motor ife vetëm dy makina kanë qenë mbrëmë ne sektor.Të ma ketë bërë Islami? Më është dukur dhe burrë i mirë! Makinat do të presin sot te skela e trupave,ndërsa unë do të tollovitem nëpër sektor.Jo,jo,nuk duhet ta lë,-nguli këmbë.-Fundja do t’ia them hapur.Në fillim si shok,pastaj…”
Kështu e ndau mendjen dhe po i binte sektorit tutje-tëhu.Ashtu mendjeprishur siç ishte,ngriti kokën nga frenimi makinës së Islamit.E ftoi ne mensë dhe porositi dy gota konjak.Islami nuk dinte gjesendi dhe as e kishte vënë re ndryshimin në fytyrën e Palit.Kishte pirë dhe herë të tjera mbrëmjeve me të.
-S’paskan ardhur makina sot?-pyeti Islami pa e ngritur gotën që kishte pranë vetes,pa e trokitur ai që e kishte sjellë porosinë.
Pali nuk bëri zë.Po e shtrëngonte dhe po e shtrëngonte aq tepër gotën,sikur donte ta thyente nga çasti në cast.I turbulluar siç qe,e ktheu te vetën me fund dhe thirri banakierin t’i sillte një tjetër.
-Ç’ke kështu sot?-e habiti kjo sjellje Islamin.
-Pak më parë më pyete për makina.Kanë ardhur dhe destinacionin e kanë për trupa,por,për të mos ikur bosh,u ngarkuan me dru zjarri.Më kanë vjedhur tubin e serbentinës.Të kam respektuar edhe si jabanxhi që je,por dyshimet i kam tek ti.
Islami e sprapsi nga vetja gotën e konjakut dhe e mori sërish fjalën.
-Më fal që po ta them,por kë të dëgjoj?Ty që të kam dëgjuar dhe kemi qarë hallet me njëri-tjetrin apo gotën e konjakut që e ktheve ashtu?
-Që të fola kështu,nuk e kam nga gota.Më kanë marrë edhe herë të tjera naftë apo ndonjë fener,po nuk të kam zënë ty për xhakete.Në sektor vetëm ne të dy kemi qënë mbrëmë me motor ife.Mendohu dhe është e mira të mos ma vonosh.Mos harro se këtu je dhe jabaxhi,-i mëshoi më shumë se të tjerave fjalës së fundit.
-Kur mendon kështu,nuk kam përse të rri me ju,-iu drejtua në të dytën shumës,sikur të mos ishte parë kurrë me të.-Sa për atë fjalën “jabanxhi”,hidhe në gotën e konjakut që kishe porositur për mua.
U ngrit e shkoi mendueshëm te makina,ndërsa Pali po shtrëngonte akoma gotën e konjakut.E piu eddhe atë të Islamit.
***
Pali ndezi makinën dhe i kërkoi shoferit të skodës që ta mbante me gaz,sa te hipte lart në kabinën e vinçit.Punëtorët e ngarkesës nuk po e kuptonin këtë mbyllje në vetvete të vinçierit me ta dhe sidomos që pas kthimit të tij nga Fushë Arrësi.Tek shkonin kavot e rëndë përreth trupave,mendonin se kjo mbyllje e tij mund të kishte lidhje me ndonjë procesverbal të mbajtur për humbjen e pajisjes së vinçit apo…
Ndërsa ata ndërmendësonin turlilloj procesverbalesh,shoferi i skodës mendonte krejt ndryshe:ai e parafytyronte makinën e Palit krejt pa xhama në këtë thëllim dhjetori,madje i dukej vetja në vend të tij.
I përqendruar krejtësisht mbi leva,Pali po ndiqte me kujdesin më të madh si lidhishen trupat e rëndë të ahut,si lëviznin duke i dhënë një farë tronditje tokës,si ngriheshin në ajër e qëndronin për pak caste ashtu pezull në digën e vinçit,si nguleshin capinat e punëtorëve që i drejtonin me to për të zënë vend në karrocerinë e skodës dhe më në fund atë kërcitje eshtrash të vetë skodës. Kur skoda kishte dalë nga variant,Pali ende nuk kishte zbritur nga kabina e vinçit.Gati një jetë që kishte bërë po këtë punë si një ritual të zakonshëm,kishte ngarkuar trupa edhe më të rëndë,por vetëm atë ditë i fiksoi të gjitha lëvizjet për të mos i harruar kurrë. Ishte pikërisht dita që kishte mësuar dhe të vërtetën e vjedhjes,kështu që nuk e kishte fort mendjen te punëtorët rrotull,por tek biga e vinçit në të cilën qëndronin për pak kohë të varur trupat.Po i bëheshin të gjitha emrat vetëm Islam.E kishte rënduar aq shumë,sa dhe gota e papirë e konjakut e kishte trullosur më vonë.I mbështetur me bërrylat mbi leva dhe me kokën sipër tyre,e kishte kapluar një gjumë i lehtë.
Poshtë bigës së vinçit po kalonte makina e Islamit.Në hyrje të kthesës ajo ishte aq e madhe sa Palit iu duk se nuk do ta nxinte rruga,por ajo u zvogëlua,u zvogëlua dhe,ashtu e zvogëluar për sytë e tij,u ndodh në pikën më tragjike.Kavoja e tendosur u këput dhe trupi i ahut u rrëzua thekshëm si një mal mbi kabinën e Islamit.Asnjë zhurmë apo rënkim nuk u ndje nga brenda,gjithçka kishte marrë formën e një pete te përgjakur sa hap e mbyll sytë.Nga kolpot e bigës vinçi u drodh.
Hapi sytë dhe pa punëtorët që po dridhnin cigar në qejfin e tyre.Zbriti i dërmuar nga ajo ëndërr e llahtartë dhe u kërkoi duhanin më të fortë.Mendjen e mbante te Islami.Ishte zhburrëruar para tij dhe duhej ta ngrinte veten sërish.Atë natë vonë trokiti në barrakën ku flinte Islami.

Dhjetor 1987-janar 2015

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s