Poezi nga Vasil Çuklla
At – dhe
Asgjë për mua, nuk pate kurrë.
Në vend të shiut, më hodhe gurë
Mblidhi- më the!… Mblidhi – më the!
Ndoshta, një ditë, do të të duhen.
Ndoshta, një ditë, do mund të bruhen.
Shikoji, pra, si kokra grurë!
At – dhe, i dashur!… I Mëmës – dhe!
Po s’gjete mokër, të mund t’i bluash
Kur s’do gjesh fjalë, të mund, T’u thuash…
Flakjaju kokave… i bëj rrufe!
Pra, gurë më dhe!…
I shkëmbtë më je!
At-dhe i dashur!… I Mëmës – dhe!
Pa fole, me zë, bubullimë
Me shkulme shpirti dhe, me gjëmim
Ndryshe zvarritu, i gjallë mbi dhe…
Kështu më the!
Kur gurë më dhe!
At – dhe i dashur, i Mëmës – dhe!
At – dhe!
E di…
S’pate faj kurrë.
Si kokër gruri mblodha, çdo gurë.
I bëra murë, i bëra urë…
Ndryshe nga ç’the. Ndryshe ç’më the!…
Tani zvarritem meit… i gjallë
Tani marrosem dhe jam i marrë
Ku të varros gjith’ ëndrat, vrarë
Kur nuk më fale, një copëz dhe?!…
At – dhe, i shkëmbtë… At – dhe, i maltë!
At – dhe, i ëmbël… At – dhe, i mjaltë!
At – dhe i dashur!… Kurrë faj’ s’më ke!
Fajin m’a kanë…
një çetë kusarë
Që s’ju vjen turp, quhen Shqiptarë.
Përrlyer gjëmës… gjëmën s’e mbajnë
Të vrasin natën, ditën të qajnë…
At – dhe i dashur! … I Mëmës – dhe!
Ata që s’lënë, gurë përmbi gurë
Ata që s’duan, as mur, as urë
Ata… Rozafën, kanë bërë flamur!
Ata janë, Ti!… Kush jemi, Ne…
At – dhe i dashur… I Mëmës – dhe?!
Thonë…
Natës kalëruar, shtatë male kaptuar…
Hëna ndrin dy hije, lodhur robëtuar
Që rendin mes natës, nga dheu blatuar
Që rendin mes territ, me dhe të mbuluar
Motra, drit e hënës, shumë larg e martuar!
Natës kalëruar, shtatë male kaptuar…
Gjethe dridhur zemra, gjaku ngurtësuar
Shan, nget yzengjitë, kalit të harbuar
Marrëri, marrosu, ti moj e marruar!
Do të shoh vëllezërit, vrarë e sakatuar.
Thonë… i thonë Dhoqinë, thonë… Garentinë!…
Thonë e ç’nukë thonë, i thonë Doruntinë!…
Që harbuar natës, bredh me Konstandinë!
Me meit, vëllanë… nuse gjeraqinë?!…
Me besën e mbajtur, q’i përkund shaminë.
Fatime
Kish emër pakëz të çuditshëm, Fatime.
Qëlloi, të ish vajzë, e pafat.
Një nishan i rrinte gjoksit, përplot sqimë në mes gjinjve
Dy sy kuturisur, të ngjyer terrnatë
Pret jaranin e radhës, ta ulë pëqinjve.
Kish emër pakëz të çuditshëm, Fatime
Banonte tek shtëpia e parë, në liman.
Blerë motmotesh, nga gjyshja, stërgjyshja
Të mundeshin punën, t’a kishin më pranë
Dikur kokër mollë, sot e pakët, thatime!
Kish emër pakëz të çuditshëm, Fatime…
Qëlloi të ish, vajzë e tërfat!…
Mbylli sytë, tek arnonte plagë flirtimesh
Në një natë dimri, të ftohtë e të gjatë
Kur akrepat bashkuar, u prehën qetimesh!