KE SHKUAR TI, ME ATË FEMËR / Tregim nga Faruk Myrtaj

KE SHKUAR TI, ME ATË FEMËR

 

Tregim nga Faruk  Myrtaj

Ishin bërë ca kohë që, me dëshirë dhe qëllim, po flisja me tim bir dhe dy-tre shokë të tij, si të isha i vërsës së tyre.
“Ke shkuar me Farfurinë ti, ba?!”, – më pyeti sërish im bir. Si për të më shpërblyer për mënyrën e hapur të sjelljes me të.
“Të thashë, nuk kam pasur gjë me atë femër…”
“Por … njerëzit ashtu thonë!”
“Si thonë?!”
“Që ti ke pasur marrëdhënie me të!”
“Po ti, si thua?!”
“Si të thuash ti, se ti je babai im…”
Epo kjo djall-o punë, thashë vetë-me-vete. Kjo rini e sotme të thotë më jep atë që s’e ke!
…Që të jem deri në fund i vërtetë, kur pata dëgjuar së pari emrin Farfuri, mendja më shkoi te ca pjata qeramike me ngjyrë të bardhë e shkëlqim kuarci, që nëna ime e varfër dhe gjyshja jote, që kishte qenë e pasur, i mbante me kimèt dhe i nxirrte vetëm për miqtë. Ato pjata, në atë të bardhë lëbyrëse, të merrnin sytë. Farfuria ishte njëra nga shoqet e klasës sime, por vetëm kaq.
E vërtetë është se, një herë të vetme, me atë gocë, kam kaluar përmes një pylli të errët. Përcollëm një shoqen tonë tjetër, gjer në shtëpi të saj, dhe u kthyem. Vetëm ne të dy u kthyem. Edhe ti, o bir, mbase ke qenë në pyll, e di, por të jesh në një pyll në atë moshë, në krah të një vajze si Farfuria, juve të sotmëve ju duket e çuditshme. Për ne, atëbotë, ishte tjetër gjë. Domethënë s’ishte asgjë!
Unë besoja se isha aty të bëja trimin e saj. Që ajo, Farfuria, të dilte prej pyllit siç kishte hyrë në të. E pacenuar, pa asnjë gërvishtje, pa asnjë plasaritje, domethënë. Farfuri! Po pylli se ç’kishte atë ditë… Këndonte i tëri. Një gjelbërim që të ftonte të uleshe e të preheshe në shtromën e freskisë së tij. Ooo, sikur të shtriheshe me sytë lart, për nga majat e pemëve që ngjiteshin drejt qiellit, të vëreje lojën e së gjelbrës me blunë atje, lart fare. Mendoja kështu, por vazhdoja të ecja në krah të saj, një gjysmë hapi pas. Në të vërtetë, ia hidhja ndonjëherë bishtin e syrit, brinjazi, për të parë në e përjetonte edhe ajo këtë gjelbërim, këtë zhurmërimë gjethesh, këtë dëshmi të pashmangshme dhe të pafajshme zogjsh. Do të më vinte keq nëse edhe ajo s’e kishte mendjen tek çfarë përjetoja unë.
“Nxitojmë pak, të lutem…”, – dëgjova që më tha ajo.
Duke ecur ishim. Normalisht. Nëse duhej të vraponim, që të dilnim nga ajo mugëtirë e gjelbër, po! Por s’mund t’ia merrja vrapit unë dhe ta lija pas atë. Po të nisej ajo e para, më binte ta ndiqja. Në profilin e fytyrës që i shihja dukej që s’ishte e qetë. Nuk nxora dot asnjë fjalë. Mund t’i thosha se, as ajo e as unë, s’ishim gjendur befas aty, në pyll, vetë kishim ardhur, siç edhe të dy po dilnim që aty. Në të vërtetë, pylli u bë edhe më i errët. Drurët qenë më të dendur dhe drita u rrallua edhe më. Vazhdonim të ecnim si më parë, por frymëmarrja e saj po rëndohej. Më dukej se arrija të dalloja edhe frushërimën e flegrave të hundëve dhe dridhjen si të barit tek buzët e saj.
“Nxitojmë… Kush na sheh në pyll… kaq do bota…”
Po kjo kështu? Ç’punë kishim me botën? Pse e zinte n’goje botën ajo?! Çfarë po bënim ne që… Nisa të marr frymë nxituar, edhe unë. Nëse vërtet ndodhte diçka… si do t’i përgjigjesha botës?
Atëbotë unë s’isha ky i sotmi de! As mamin tënd s’e dija që ishte, dhe as ty s’të kisha. Për atë kohë, ti më pyet mua sot!
Atëbotë, si tërë shokët e mi edhe unë, përgjërohesha për shoqen e klasës, e ruaja si sytë e ballit. Sikur të na dilte ndonjë egërsirë në atë pyll, do t’i dilja përballë dhe do ta bëja fije-fije, copë e çikë, nëse bisha e pyllit s’do më përgjakte mua më parë… Do bëja gjithçka për të shpëtuar atë që më ishte besuar mua… Por ti mos më pyet sot nga kush më ishte besuar…
Aty ku drita mes pemëve thuajse u mek fare, s’po merrte dot frymë. Po ngrinte supet të mbushej me ajër. Një çast më tej, i ndali hapat. Ishte kreshpëruar e tëra. Tiparet e fytyrës së saj po më ngjanin si të një njeriu brenda ujit të akuariumit… O Zot…
“Çfarë ke ti…?”, – m’u drejtua.
M’i kishte ngulur sytë si të isha dikush që i kisha mërzitur veshët, teksa një fjalë të vetme s’i kisha thënë. As të pëshpëritja s’kisha arritur.
“Unë? Asgjë… asgjë!”, – i thashë.
U meka, fare. Si drita mes drurëve. S’guxoja t’i afrohesha ta sqaroja, as të bëja përpara pa të. Prisja të vepronte ajo. Kisha ngrirë prej ngrirjes së saj. Vazhdoi të më vështronte si më parë. Dukej sikur priste diçka prej meje, aty, në mes të pyllit, në dritën e mekur të abazhurit natyror, por as që kisha sesi ta merrja me mend çfarë. Ajo që dihej nga unë, mbetej në fuqi: Asgjë e keqe nuk do t’i ndodhte në praninë time. Hodha sytë përqark, për ta garantuar se asnjë rrezik s’guxonte të ngrinte kokë…
Pastaj ajo bëri një lëvizje të dorës si të thoshte “lere, lere… e humbëm fare”.
Bëri përpara. E lashë të largohej dy-tri hapa, si roje në tërheqje të organizuar, në atë distancë vazhduam. Kur pylli u rrallua dhe drita u shtua, iu afrova edhe ca, por vetëm kur dolëm në rrugë bëra kujdes të gjendesha saktësisht në krah të saj. Nuk di nëse na pa njeri kur dolëm nga pylli, por kaq ishte e gjitha… E rëndësishme ishte ajo që isha unë për atë gocë…
Pastaj ajo vrapoi, e pashë me sy që arriti në shtëpinë e saj. Vetëm tani, unë kisha të drejtë të kthehesha në shtëpinë time, me mision të kryer. Ja kaq! Mund të them unë, pas kësaj, që kam shkuar me të…?!”
“Të tjerët s’e kanë mundësinë të të dëgjojnë ty, o ba!”
“Më çave kokën, me këta të tjerët! Goxha burrë unë, vete e të tregoj ty, pinxho, çfarë s’kam bërë dot në kohën e rinisë!”
Tërë sa i kisha rrëfyer tim biri ishte e vërtetë, por ishte po aq e vërtetë se diçka mungoi edhe në këtë rrëfim. Jo vetëm ngaqë nuk ndodhi, por se as atë ditë dhe as më vonë nuk ia thashë dot. Është djali, tek e fundit, i thashë vetes. S’është prifti, as hoxha yt!
Kohë më pas, unë dhe Farfuria u gjendëm mësues, në të njëjtën shkollë. Të dy të martuar, secili në fatin e vet. Nuk e mora vesh pse, pas këmbënguljes së djalit, pa e kuptuar, po vështroja për një Farfuri tjetër. Tashmë s’kisha shans të gjendesha mes pyllit, vetëm për vetëm me të por, nëse kjo rastësi ndodhte sërish, nuk më besohej se isha po aq i sigurt që, sërish, ta mendoja veten si dikur: shok klase të saj.
Mos, thellë-thellë, këtë dyzim ma gërricte pandehma e të tjerëve se kisha shkuar me të?
…Një ditë, pasi ajo u largua nga shkolla, një copë herë u hëngra me veten siç do të kisha bërë me bishën, atë ditë në pyll, po të shfaqej e të më trembte Farfurinë. Pastaj m’u bë se u vura në ngut për ta arritur Farfurinë, përpara se ajo të arrinte në shtëpinë e saj. Për t’i rënë shkurt, çava përmes një fushe me baltë, nuk di nëse më pa kush, apo sesi dola gjallë prej asaj baltovine… Për fat, nuk e arrita. Ajo kurrë s’mori vesh për këtë…
Këto hapa përmes baltës nuk ia thashë dot as tim biri. Por, as kjo, s’mund të quhej shkuarje me Farfurinë.
Më pas, bëja gjithçka të mos ndodhesha vetëm për vetëm me Farfurinë. Sikur kisha frikë se, sapo të ndjehesha pranë saj, mund të rrëzohej si enë e qelqtë dhe bëhej copë e çikë…

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s