Poezi nga Hamit Taka

Poezi nga Hamit Taka
 
 
MË FAL
 
Më fal! Udhën s’ta shtrova dot me lule.
S’u bëra dot as lider as VIP as ofiqar.
Unë di vetëm të lëroj atje ku dielli ulet
Mëngjesin të rrënjos në sytë e tu të larë.
Më fal! S’të shëtita dot ty nëpër botë.
Bile unë s’di as ku bie Polinezia.
Lidhjen tonë të pandarë di ta mbroj fort
Dhe humbas plot besim në ëndrrat e mia.
Më fal! Fatin Zoti na e bën dhuratë.
Horoskopin e yjeve asnjë herë s’e kam lexuar.
Kujtoj mbrëmjet kur ti ngre kokën lartë
Trupin ma lërojnë duart e tua shtrënguar.
Më fal! S’të çova dot në Tokën e Premtuar.
Si Magelani s’i erdha rrotull botës.
Nën hijen e agimit vargjet i kam shkruar
Zbathur kam ecur në zemër të tokës.
Më fal! Për ditët tona rutinë e pa jetë.
Për netët plot trishtim e brenga shumë.
Të lutem, mos kujto furtunat, lotët e shkretë,
Mos i kujto më fjalët që të thoja unë.
Kujto ti ditët e pakta plot me dashuri!
Gëzimet që na mbushnin shpirtin i kujto!
Rrugën tonë ku ecëm plot guxim e gjallëri
Bekoje, e dashur, kurrë mos e harro!
 
 
 
HYMNI I STUDENTËVE
 
Ne jemi balli madhështor i agimit,
Ne jemi horizonti i ditëve të kaltra,
Ne jemi dielli i bukur i prillit,
Mbi lulet dhe ëndërrat e arta;
 
Ne jemi besa dhe fjala e shkruar,
Ne jemi duart e pastra që zgjaten,
Ne jemi gjak nga gjaku i kulluar
Në venat e s’ardhmes që po hapen;
 
Ne jemi të ndryshëm, s’jemi ngelësa
Ne jemi të bukur e shtatëlartë,
Ne jemi bijtë e shekullit plot mbresa
Që dhunën e lamë anekdotë të lashtë;
Ne jemi të qetë si nata e bardhë,
Ne jemi si pëllumbat paqësorë
Ne jemi fytyrat e reja me radhë
Përballë monstrave madhështorë;
 
Ne jemi studentënjësh e të pandarë,
Ne jemi zëri i fortë i masës,
Ne jemi vëllezër e opozitarë
S’e duam më luftën klasës
 
Ne jemi shpresa, ne jemi hareja,
Ne mbi frikën kemi pushtet,
Ne ecim përpara në udhët e reja
Drejt së ardhmes që na përket!
 
 
 
KORDELJA
 
Fëminia jonë, ishte si ishte-
Mallë i ëmbël apo lëngatë-
Mëngjes i kaltër ne na vishte
Me ylbere të dy bashkë;
Poshtë nën fshatin tonë të bukur
Luginë e heshtur se ç’bleronte,
Ti si zanë te bregu ulur
Shikoje përroin që dredhonte;
Këmba e hijshme në ujë futur
Që s’e dinim se nga vinte,
Kordelja jote- nyjë e bukur
Mbi ujin kristal reflekset linte;
Nga pylli flladet lozonjare
Me flokët e tua plot hare
Luanin e i shkundnin fare
Luleshegët përmbi ne;
Dhe bilbili që gjithë ditës
Këndonte këngët i pa reshtur
Heshtëte kur hija e dritës
Ikte duke përshëndetur…
Veç kordelja s’më harrohet
Lidhur gërshetit korb i zi,
Sa shpesh ta hiqja, të kujtohet?
Që vetë ta lidhja përsëri…
 
 
 
AROMË POEZIE KA DASHURIA
 
Të dua, i thoshte djaloshi, të dua!
Bukuroshes me fustanin ngjyrë blu…
Për ta prekur me drojë iu afrua
Po fustanin shtriu vajza mbi gju…
 
Me pafajsinë e bukur rinore:
Domethënë- tha djali- ti s’më do!
Në se i do, tha vajza, hiret vajzërore
Dashuria s’të lë t’i prekësh ato…
 
Të dua, – tha djali, – të dua si jetën,
Jeta ime pa ty s’ka më kuptim;
Unë dua, tha vajza, dashurin’ e vërtetë
Pa dashuri jeta do t’ishte mashtrim…
 
Aromë poezie kishte vet’ dashuria,
Dashuria e heshtur, dashuria e përkryer,
Hijen e qeshur hidhte lodërtare
Mbi ëndrrën e tyre të papërlyer;
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s