Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

KUR TRËNDAFILI MBIU NË SHPIRT

Ti ishe një trëndafil, që sapo të mora erë,
hyre në gjoksin tim bashkë me oksigjenin,
lëshove rrënjë e degë në inde, deri thellë
gonxhet e trëndafilit tënd nisën të çelin;

Pastaj aroma shpërtheu, në të gjitha poret,
dhe me erëmim trëndafili u mbush shtëpia.
Më thanë të afërmit:“Ç’ke që parfumohesh,
sikur të pret në takimin e parë dashuria?”…

Më pas, në rrugët dhe oborret e lagjes,
aroma e trëndafilit, shkoi derë më derë.
Më vështronin përqark, me habi ziliqare,
sidomos lulet e saksive që s’kishin erë…

Provova t’i shkul rrënjët e tua nga vetja ime,
të drejtoja vështrimet, që më shihnin vëngër.
Por ndjeva dhimbje të forta, me drithërime
se më shpuan gjembat, nga koka te këmbët…

Pra, s’mund të shkulja, kurrsesi nga trupi im,
se më kishe mbirë e gjitha brenda në shpirt!…
Dhe i lashë sytë ziliqar, të pëlcisnin me gjëmim,
përderisa në një kurorë, na lidhi trëndafili yt!…

 

PSE IKIN SHQIPTARËT?…

Ikin shqiptarët nëpër qiell e dete, 
se paria synon të majmet për vete.
Ikën nga sytë-këmbët mosh’e re,
se s’lëshojnë dot rrënjë në kafene.

Ikin sanitarët, ikin infermierët,
se marrin lëmoshë, sa të mjerët.
Ikin nga klinikat pa ilaçe, mjekët,
se enden mes pacientëve, si lejlekët.

Ikën vajzëria, në kthetrat e turpit,
se s’jetojnë dot, pa shitur trupin.
Ikin pas rropatjeve, baballarët,
se u thithin gjakun taksidarët.

Ikën intelektualët e vërtetë,
se nuk u vlen më, truri në jetë.
Ikin mjeshtërit, lënë zanatet,
se këtu s’mbarojnë taksiratet.

Ikin nënat me foshnja duke qarë,
se qumështi gjirit u është tharë.
Ikin çiftet e sapomartuar jashtë,
se nuk bëjnë fole zogu me kashtë.

Ikin arsimtarët e specializuar,
se zgjidhen diplomat falsifikuar.
Ikin ata që ligjërojnë, si bilbila,
se pëlqehen injorantët servila.

Ikin fshatarët, lënë tokat djerrë,
se parat e mbjelljes droga i nxjerr.
Ikin të mirët, bashkë me të liqtë,
se miqtë kudo, punësojnë miqtë.

Ikin shqiptarë pareshtur, ikin shumë,
se ngopen me pluhur rruge pa punë.
Në tokën e begatë kush mbetet pas?
Vetëm ata që të lënë gurin në trastë…

Mund të qëndrojnë mbi rrënjë, shqiptarët,
nëse do dalin nga gjaku i tyre, të parët,
të kthejnë të ikurit, në Atdheun e shpirtit,
siç u kthyen hebrenjtë, në tokën e Krishtit…

 

LULJA E BORËS

Ngrite kryet përpjetë, mbi jorganin e ngrirë,
sfidove dimrin e ftohtë, moj lulja e borës!…
Çele ngjyrat ylberore, mbi korijen e mpirë,
si agimi boreal, në polin akullor të botës.

Paqja ka ngjyrat e tua, me të gjitha bukuritë,
moj lulebora, që guxove na solle shpresën.
Kjo ndodh kurdoherë, me të gjitha trimëritë,
kur ato ngrenë krye, kundër shtypjes së egër.

Kështu kanë guxuar, heronjtë që nga krijimi,
me petale jete t’i dalin vdekjes para pritës.
Kështu guxon të lëshojë rrezet e veta agimi,
kur nga bora e zezë e natës, çel lulen e dritës.

Kështu guxojnë luleborat tona studentesha,
të ngrenë krye mbi borën e ngricën e janarit,
të fitojnë të drejtën e lehtësuar nga pagesa,
për të sjellë pranverën e nesërme të shqiptarit.

Moj e vogla, lulja e borës, zemrën ma ngrohe
më lulëzove gjakun, këto ditë të ngrira dimrit.
Petalet e tua, të parat mesazhe pranverore,
s’do t’i harroj, sado lule të shoh gjatë vitit.

Lulja e bukur e borës, O shpirt i gjallë i tokës!…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s