Poezi nga Eliverta Kanina

Poezi nga Eliverta Kanina

 

FALE ZOT NGA DASHURIA

Zoti na dashtë!
Kur si çamarrokë çmendemi
Dhe e çmendim njëri tjetrin 
Me dashurinë e shpikur prej nesh
Lojë pas loje.

Zoti na dashtë!
Kur krejt bota na vërsulet sy e veshë
Pa e ditur sa na do dhe e duam
Përmes sfidave ndërsa ecim
Dorpërdore.

Zoti na dashtë!
Kur trishtimin e bëjmë piruetë
Me të gjithë në luftë, edhe Zotin vetë
Njëri tjetrin në dy pole universi duke parë
Dashurinë kthejmë në dreq.

Zoti na dashtë!
Kur më shumë jetë i lypim bashkë
Ta shëtisim në askund e me gjithkënd
Derisa dashuria të na bëhet ves
Në të mirë e në të keq!

Zoti na dashtë!
Kur kufijtë i shpërfillim pa i shkelur
Në kërkim të asaj që na ndan e na mban bashkë
Mrekullinë e mëkatit meteor mbartim
Kësaj bote të lashtë.

Zoti na dashtë!
Kur si zotër luajmë me fatin tonë
Dhe jetët, në qiell i masim me pashë
Dashuria dhe Zoti kur bëhen bashkë
Zotër përmbi ZOT qofshim
Dhe…

Zoti na dashtë!

 

EDUKATË MORALIZUESE

Moral moral moral
Si pasta e dhëmbëve
Nga mëngjesi në mbrëmje 
Fjalët mullar i bëmë e morali po njësoj
Në rënie…
Morali a mëkati
Dilema ku kohërat u ngërçën
Kacafytje deri në mehkje
Shoqëri njerëzore dënuar me gjallavdekje
Nga plaku te fëmija
Nga shkolla të shtëpija
Profikalsia shpikur për mosprekje
Frikë nga pasojat?
Një vaksinë morali bla blla bla
Detergjentë morali
Për xhestet, ndjesitë, fjalët
Përsosja marrëzi, për të marrët
Kur trupi, shpirti e mendja bëhen një
Duan e ndjejnë të njëjtën gjë
Ndiqi pas!
Edhe në kundrarrymë ndaj të gjithëve
Shijoje veten
Mos u ndal!
Stërkëmbësha s’të duhen
Të ndihesh vetja dhe gjallë
Është më mirë
Se të jesh në rregull me njerëzit…
Oh sa paskam mall
Për fëmijërinë e dikurshme
Ç’ngasje!
Malli më merr të bëhem e gabueshme
Pa dashje…

 

JETA ËSHTË IMITIM

Deri në çastin e mbramë
Jeta është imitim i vazhdueshëm i çastit të lindjes!
Imitim i pulitjes së pari të syve
I prekjes, i mekjes dhe qarjes së parë
I thëthitjes së parë të buzëve, duarve, gjinjve
I qeshjes së parë engjëllore
I hapit dhe tekës së parë
I belbëzimit të parë
I dashurisë së parë…
Përsëritje e përsëritje
Me dëshirën e besimin e marrë
Për ripërtëritje.

Jeta është imitim i vazhdueshëm i çastit të lindjes!
Në kërkim të aromës së jetës
Me aroma që çastin çmendin si afrozodiakë
Mallit ia përndezin kujtimet si flakë
Me aroma flakonesh që vdesin e ngjallin dëshirën për jetë
Deri në eliksir manipulojnë njëherësh
Gjakun
Qumshtin
Djersën
Limfën e lëngjet e tjerë
Ndërsa hyjnë e dalin nëpër trup
Në emër të jetës, për jetë…

Jeta është imitim i vazhdueshëm i çastit të lindjes!
Me ndjesi që çelin zogj brenda nesh
Të shpresës
Të fantazisë
Të gëzimit
Të vuajtjes e marrëzisë
Përpëlitje që shpuplojnë imitueshëm
Duke ngrirë e shkrirë në gjak
Ca shpikje të shijes së përafërt me lindjen
Për tu ndier të rilindur
Sadopak…

Jeta është imitim i vazhdueshëm i çastit të lindjes!
Nëse s’arrin ta imitosh
T’ia ndiesh rishtazi
Shijen prej qumështi
Aromën prej gjaku
Prekjen e mishtë
Nëse nuk rilindesh herë pas here
As ndjen ta bësh për veten tënde
Fillo të ç’mësohesh
Me shpresën e gjethes në rënie
Derisa dheu të përpijë
Jetës jepi aromë prej dheu
Ndërsa humb e humb klorofil
Deri në çastin e mbramë…

Vdekja mos të të zërë gafil!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s